Rruga Kashar-Rrogozhinë shkon 670 mln euro. Reagon Ministria: Shifra spekulative
44 kilometrat e rrugës së re Kashar-Rrogozhinë nga 330 milionë euro që ishte planifikuar kosto në relacionin e buxhetit të vitit 2018 u rrit në 670 milionë euro ne vitin 2019. Dyfishimi i vlerës bën që vetëm për 64 kilometra rrugë, nga Thumana në Rrogozhinë kosto që duhet paguar nga qytetaret shqiptarë shkoi në 1 miliardë euro, ose 10 përqind e prodhimit kombëtar.
Kostot e projekteve koncesionare në rrugë kanë dalë jashtë kontrollit duke u rritur në mënyrë të frikshme nga viti në viti. Top Channel publikon dokumentet zyrtarë që tregojnë se si u dyfishua brenda një viti të vetëm kostoja e autostratës kashar-rrogozhinë, një projekt të cilin qeveria e ka listuar për ta dhënë me koncesion.
Ky është relacioni i buxhetit të shtetit për vitin 2018. Sic duket qartë në tabelë kostoja e dhënies me koncesion të rrugës kashar rrogozhinë është vlerësuar 41.5 miliardë lekë ose 330 milionë euro me kursin aktual.
Por çfarë ka ndodhur për një vit? Ky është relacioni i projektbuxhetit të vitit 2019. Në dokumentin e miratuar në qeveri dhe të sapopublikuar nga ministria e financave, kostoja e koncesionit të Kashar-Rrogozhinë është rritur nga 41.5 miliardë lekë që ishte vjet në 84.7 miliardë lekë. Pra sic tregojnë tabelat zyrtare, qeveria e ka rritur koston e rrugës me rreth 2.1 herë ose me plot 337 milionë vetëm brenda një viti.
Kashar-Rrogozhinë është pjesë e autostradës Thumanë-Rrogozhinë me gjatësi totale 64 kilometër. Fillimisht qeveria kishte parashikuar që këtë rrugë ta jepte si një koncesion të vetëm. Por më vonë rruga u nda në dy segmente, Thumanë-Kashar me gjatësi 20 kilometër dhe Kashar-Rrogozhinë me gjatësi 44 kilometër.
Segmenti i parë ai i Thumanë-kashar u tenderua para disa muajsh. Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit me gjatësi 20 kilometër ju dha kompanisë “Gener 2” për një vlerë rekord që sipas relacionit të projektbuxhetit 2019 mund të arrijë deri në 340 milionë euro. Këto para do të paguhen drejtëprdrejët nga buxheti për 13 vjet. Ndërsa segmenti i dytë ai nga Kashari në Rrogozhinë është listuar si projekt për tu dhënë me koncesion gjatë viteve në vijim me kosto të parashikuar që tani ka arritur në 84.7 miliardë lekë ose mbi 670 milionë euro. Ende nuk dihet nëse dhe kjo rrugë do të shlyhet direkt nga buxheti, si segmenti i parë, apo do të ketë një formë tjetër, përkatësisht përmes tarifës së kalimit.
Por përtej këtij detaji Thumanë-Rrogozhinë vendos një rekord të paprecedentë në historinë e financave të shtetit shqiptar, ku nëse tenderohet dhe segmenti i dytë qytetarët shqiptarë do të thirren për të paguar 1 miliardë euro ose 10 për qind të prodhimit kombëtar për një rrugë me gjatësi vetëm 64 kilometër, shkruan tch.
Gjiknuri: Tiranë-Durrës dhe Kashar-Rrogozhinë, shifrat e mediave, spekulative
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për raportimet në media që flasin se shifra e investimeve për rrugën Kashar Rrogozinë është rreth 800 milionë euro.
Reagimi i Ministrisë:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informon opinionin publik se në këtë institucion është depozituar një propozim nga një subjekt privat për realizimin e projektit të zbatimit, financimit, Zhvillimi dhe Operimin e projektit sipas kornizës së PPP në modelin BOT, për segmentin rrugor:
Segmenti 1: Tiranë-Vorë-Durrës
Segmenti 2: Kashar-Rrogozhinë
Propozimi ka për qëllim të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për të ulur ngarkesën në të gjithë rajonin Tiranë, Durrës dhe Rrogozhinë.
Skema e propozuar parashikon ndërtimin e veprave në fjalë në dy faza. Së pari zgjerimin e aksit Tiranë-Vorë-Durrës, rehabilitimin e rrugës dytësore Tiranë-Durrës përmes Ndroqit dhe asaj të aksesit për bizneset. Së dyti, në një fazë të mëvonshme, përtej 2025, parashikohet ndërtimi i aksit tjetër Kashar-Rrogozhinë.
Skema e propozuar parashikon që të gjithë koston e ndërtimit e përballon koncesionari privat i cili vendos një tarifë për kalimin duke garantuar shlyerjen e investimit dhe fitimin e arsyeshëm pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit. Qytetarëve u krijohet edhe mundësia e kalimit pa pagesë përmes rrugës alternative.
Projektet e paraqitura kanë për referencë kosto tavan dhe jo kosto konkrete të realizimit. Kostot finale të projekteve përcaktohen vetëm pasi të ketë projekt zbatimi të miratuar për realizimin e veprave në fjalë. Çdo koment mbi shifra konkrete në këtë fazë është keqinformim dhe spekulim mediatik.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke analizuar këto propozime, nuk ka asnjë vendimmarrje dhe në rast të një konkluzioni pozitiv, do të ndiqen me transparencë të plotë të gjitha procedurat e përcaktuara në ligj duke garantuar mbrojtjen maksimale të interesave të qytetarëve shqiptare.