Edhe EURALIUS “nuk di” Anglisht?

 

Ka ndodhur gjoja një “lapsus” në përkthimin e ligjeve të Reformës në Drejtësi. Mësohet se EURALIUS (Misioni Europian i Asistencës për Drejtësinë) nuk ka ndryshuar vetëm përmbajtjen e ligjit të Vetingut në variantin në anglisht, por edhe atë të ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut. Përkthim i pasaktë i ligjit të Vettingut i është dërguar Komisionit të Venecias i cili do të japë mendimin final për reformën në drejtësi.

Partia Demokratike ka akuzuar hapur se ndryshimet në përkthim janë të qëllimshme dhe deformojnë objektin e ligjit. Kryeministri Edi Rama dhe deputetë të Partisë Socialiste e cilësuan sherrin e fundit të PD-së si një tjetër përpjekje për të bllokuar reformën në drejtësi.

Por konkretisht për çfarë gabimesh në përkthim bëhet fjalë? TV Klan publikoi dje ndryshimet e dy varianteve të Kushtetutës; në variantin shqip të miratuar me konsensus nga Kuvendi thuhet se “Operacioni ndërkombëtar i monitorimit i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit, gjyqtarit të kolegjit të apelimit dhe komisionerit publik”.

Në variantin anglisht të EURALIUS, i shtohet pjesa, “sipas atyre që parashikon ligji”. Por kjo shtesë, e shtuar në kushtetutën në anglisht, të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, sipas opozitës, i jep kuptim tjetër nenit.

Në nenin C, në variantin shqip, thuhet se Komisioni dhe Kolegji i Apelimit publikojnë vendimet e tyre si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm të marrë nga publiku. Në versionin anglisht thuhet se informacionet e nevojshme të marra nga publiku mund të merren në konsideratë. Ajo që ka shkaktuar ngërçin politik të momentit është përkthimi i ligjit të Vetingut, i cili u ankimua nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Më pas Gjykata ka marrë variantin  anglisht të EURALIUS dhe e ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias. Duket se në Venecia ka shkuar një variant i përkthyer me probleme. Probleme të cilat, sipas PD-së, e ndryshojnë thelbin e neneve në disa pika. Nëse është kështu siç thotë PD-ja atëhere kredibiliteti i EURALIUS tronditet në Shqipëri. Pyetja shtrohet se pse u ka deformuar thelbin apo disa pjesë nga ligji?

Konkretisht, në ligjin e shumëdiskutuar të Vetingut, në nenin 8 në variantin shqip thuhet se lista e kandidatëve për votim përmban kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale, përveç atyre që nuk janë rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi. Në variantin anglisht të Euralius, thuhet “përveç atyre që janë rekomanduar”. Pra është hequr fjala nuk, çka i jep tërësisht tjetër kuptim këtij neni.

Në nenin 33 në lidhje me hetimin e pasurisë thuhet se ILDKPKI, mund të kërkojë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Parave ose Ministrisë së Drejtësisë, dokumente që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta… Në variantin anglisht kjo fjali është hequr.

Në nenin 33, në variantin shqip të miratuar në Kuvend, thuhet se kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta. Në anglisht thuhet sipas provave më të sakta, duke e relativizuar saktësinë e provës.

Në nenin 49 procesi penal shndërrohet në proces rivlerësimi, përsa i përket deklaratës së dhënë nga dëshmitari apo eksperti. Në 14 nene të Ventingut dhe tre nene të kushtetues, sipas opozitës, ka ndryshime thelbësore që e tjetërsojnë kuptimin dhe veprimin e ligjit. Për këtë arsye opozita iu drejtua gjykatës kushtetuese për ta ripërkthyer ligjin dhe për t’ia dërguar sërish Komisionit te Venecias.

Në tërësinë e vetë ndryshimet e ligjit të Vetingut, më shumë se gabime përkthimi, janë shtesa apo heqje fjalësh që ndryshojnë gjithë përmbajtjen e neneve. Për ata që i njohin ligjet, ndryshime të tilla në përkthim janë të pafalshme dhe mund të jenë bërë me qëllim. Por edhe nëse ka qenë një gabim i specialistëve, çështja është aq serioze sa nuk mund të mbetet vetëm tek disa nëpunës të thjeshtë të administratës. Gabimet u pranuan edhe nga kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili tha se ditët e fundit Venecias i është dërguar varianti korrekt i ligjit të Vetinngut, i përkthyer tashmë nga specialistë të lincesuar dhe jo nga EURALIUS.

Komisioni i Venecias pritet të jap mendimin në datën 7 dhjetor. Ajo që nuk dihet është se mbi cilin variant të përkthyer do të japin rekomandimet. Mbi atë të EURALIUS, apo ligjin e fundit në anglisht që u dërgoi Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht qëndrimeve të politike të palëve, kjo histori vë në pikëpyetje besueshmërinë e misionit EURALIUS. Zyrtarisht Misioni i caktuar nga Komisioni Europian në Tiranë nuk ka pasur asnjë reagim për debatin e fundit. Ndërkohë që  shigjetat e kritikave janë lëshuar mbi zyrtarët e BE që asistuan reformën në drejtësi, të paktën për transparencë të publikut duhej bërë një sqarim.

Prapë nuk duam ta besojmë se ka qenë thjesht lapsus në përkthim apo me qëllim dikush ka futur duart? Misioni i EURALIUS është autoritar dhe ka tagrin e BE pas vetes, ndaj e pabesueshme ajo çka thotë PD, ndonëse kjo e fundit ka edhe thëniet e kreut të Kushtetutës pro saj. Pra që kishte gabime në përkthim.

E pabesueshme kur ka plotë përkthyes sot në Shqipëri, të cilët janë diplomuar në Universitetet më të mira të botës.

SHKARKO APP