Edhe nga varri, Enveri ngjall sherr
Në kryeqytetin shqiptar nuk ndodhi asnjë nga këto. Festa e çlirimit të kryeqytetit nuk u organizua nga Bashkia e Tiranës, por nga Prefektura. Bashkia zgjodhi të zhvillonte një ceremonia thuajse klandestine në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, nën drejtimin e nënkryetarit Enno Bozdo dhe disa deputetëve të djathtë, nivel i ulët përfaqësimi ky, duke menduar se flitet për kryeqytetin e një shteti. Ndërsa Prefektura zhvilloi një tjetër ceremoni në monumentin “Partizani Çlirimtar” në Tiranë, ku morën pjesë kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ministra dhe deputetë të së majtës. Presidenti, si institucioni kryesor në vend, e pa të udhës që të mos bëhej pjesë e asnjë ceremoniali, ku dhe pse flitet për një ngjarje, duket se secila palë feston fitoren e luftës së vetë.
70-vjetori i djeshëm, veç përçarjes së përhershme të partive për ceremoninë dhe debatin se kush do jetë i pari në rresht, pati dhe një tjetër element. Në festimet e zhvilluara në monumentin e “Partizani Çlirimtar”, u panë portretet dhe u dëgjuan thirrje për një personazh jo dhe aq të panjohur për shqiptarët. Teksa Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri zhvillonin homazhe, fotot e diktatorit Enver Hoxha dhe thirrje që i bënin elozhe veprës së “komandantit legjendar” u dëgjuan në qendër të Tiranës. Ithtarët e Hoxhës dje, duket se ishin më të shumë në numër sesa në takimet e tjera. Megjithë ndërhyrjen e policisë për të qetësuar mbështetësit e Enverit, sërish një pjesë e atyre që e quajnë veten ish-partizanë kanë arritur që të ngrënë zërin më shumë sesa folësit gjatë ceremonisë zyrtare. Portretet e diktatorit dhe thirrjet; “Enver Hoxha” dhe “Partia Komuniste” nuk kaluan pa vëmendjen e diplomatëve dhe ambasadorëve që ishin pjesë e ceremonisë së zhvilluar nga Prefektura e Tiranës. Në një mesazh jo të zakontë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu dënoi shfaqen e djeshme, duke u shprehur se parullat dhe thirrjet njollosën ceremoninë. “Një fyerje për shqiptarët. Fatkeqësisht, fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme”,- u shpreh diplomati amerikan. Kjo deklaratë duket se i ka bërë të reflektojnë edhe një pjesë deputetësh, të cilët gjatë ceremonive që janë zhvilluar këtë vit në qytete të ndryshme janë shfaqur në krah të ithtarëve të diktatorit. Pas ambasadorit amerikan Partia Demokratike ka bërë deklaratën e radhës, sigurisht duke e kaluar masën dhe duke e përdorur nostalgjinë e disa pensionistëve për kapital politik kundër dyshes Rama-Meta. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të djathtë shpejtuan ta cilësojnë shfaqjen si një tentativë për rikthim të simboleve të diktaturës nga ana e mazhorancës aktuale. Debatet për diktatorin Hoxha “pushtuan” gjithë klasën politike. Mesazhet e ditës së djeshme detyruan kryeministrin Edi Rama që të reagojë duke shmangur çdo keqkuptim lidhur me thirrjet që u dëgjuan në shesh. “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”,- tha kryeministri Rama. Dje diktatori Enver Hoxha ka arritur të “pushtojë” dhe dominojë debatin politik në vend. Edhe nga varri i futi në sherr dy kampet politike. Për grupin e ish-partizanëve dhe nostalgjikëve që ngrinin dje fotot, diktatori mund të quhet “komandant legjendar”. Por fakti është se për pjesën tjetër të popullit, ai është diktatori dhe njeriu që i shkaktoi vendit më shumë viktima sesa edhe vetë Lufta e Dytë Botërore. Teksa flitet për Luftën e Dytë Botërore, askush nuk mund t’ua heq meritat drejtuesve të saj, por ky ishte një moment i historisë. Në momente të tilla, ngjarjet janë më të rëndësishme sesa emrat. Lavdia nuk ishte vetëm e një njeriu, përkundrazi, nën drejtimin e Enver Hoxhës regjimi që u vendos pas çlirimit nuk mund të quhet si kohë e lavdishme. Madje nuk u bën nder dhe atyre veteranëve të identifikojnë luftën vetëm me një emër. Lufta duhet respektuar, pasi janë vrarë mijëra vetë, një popull i tërë luftoi duke ndihmuar luftëtarët e çlirimit të Atdheut. Në vitin 2014 shfaqja e fotove të Enver Hoxhës nga disa pensionistë mund të ngjajë si miting i pafajshëm dhe shprehje e diversitetit politik në vend. Por nuk duhet harruar se ngjarje të tilla perceptohen ndryshe nga kancelaritë e huaja perendimore. Shqipëria është një vend që ka vuajtur nga komunizmi më shumë se gjithë vendet e tjera të Europës Lindore. Ndryshe nga Bullgaria, Rumania, Polonia apo Çekia, ne ende nuk i kemi dënuar krimet e komunizmit. Nuk janë hapur dosjet, nuk ka pasur rehabilitim të plotë të viktimave të komunizmit, e mbi të gjitha kemi një histori të cunguar dhe të shkruar nga historianë që karrierën e kanë ngjitur nga shkallët e Institutit Maksist Leninist. Fakti që diktatori Enver Hoxha edhe pas vdekjes fut në sherr politikën dhe detyron të reagojnë diplomatë të rëndësishëm në vend, është edhe pasojë e mënyrës së sesi jemi tallur me historinë këto 24 vite dhe nuk janë ndarë meritat dhe mëkatet e personazheve të veçantë. Për figurën e diktatorëve në vendet e tjera ka ligje strikte, që dënojnë shfaqjen e simboleve. Nostalgjikë do ketë gjithmonë e askush nuk mund ti ndalojë. Mbase ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ketë një ligj si vendet e tjera, për caktuar mënyrën sesi duhen trajtuar simbolet e komunizmit. Partia Demokratike, si forcë që kishte misionin ta bënte dekomunistizimin e vendit, nuk arriti të shkëputej dot dhe të bënte këtë kapërcim. Pikërisht për shkak të paragjykimeve mbi origjinën e saj, nëse një hap të tillë do e bënte e majta, do ishte edhe më i besueshëm. Ky hap nuk do t’i zhdukte nostalgjikët dhe fotot e diktatorit, por të paktën Enver Hoxha nuk do trazonte dhe një herë festat kombëtare si dje.
Gjithsesi, Enveri i trazoi ujërat këtej sipër. Lufta duhet nderuar dhe realisht pjesëmarrja e kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit dje, tregon se ishin pjesë e festimeve për shkak të respektit ndaj luftës për Çlirimin e Tiranës. Të tjerat janë e pjesë e lojërave politike, pasi është normale që opozita “ku gjen shesh bën edhe përshesh”. Gjeti disa pensionistë dhe ithtarë të Enverit dhe u turr mbi Edi Ramën, pasi LSI ka një qëndrim paksa më afër edhe kësaj shtrese komunistësh , ose më saktë, që e votojnë si forcë politike. Po të shikosh edhe flamurin e LSI, kreu i saj e ka zgjedhur krejt të kuq, flakë, si dikur në kohën e luftës. Tamam si partizanët. Paksa i tepërt ishte reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në thelb, ka të drejtë, por në një festim të hapur, ku nuk mund të ndalosh asnjeri të vijë në festë mbetet e vështirë t’i largosh, aq me tepër që janë edhe pleq që një këmbë e kanë këtej, e një tjetër afër botës tjetër. Të përdorje policinë ndaj tyre ishte një sakrilegj, pasi me atë mendim do ikin nga kjo botë, e aq me shumë se nuk mund të përdoresh forcën, se mundet edhe një e shtyrë e vogël dhe i linte zemra! E menjëherë do të dilte opozita e të thoshte që Rama e Meta dhunuan veteranët. “Jetojmë në Tiranë” ndaj mund të ndodhë! Tamam si kënga e Doktor Florit, që tashmë nga dje iku në parajsën e tij me këngën e famshme me vete.