Edi Rama: Arrestime dhe prapë arrestime!

Pas fushatës kundër plantacioneve me kanabis në vend, ndërtimeve pa leje, universiteteve pa standarde si tip kioske dhe vjedhjes së energjisë elektrike, qeveria pritet të nisë një aksion tjetër kombëtar. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur dje se shumë shpejt do të nisë fushata për ndëshkimin e abuzuesve dhe të atyre që nuk paguajnë detyrime për konsumimin e ujit. Në “Forumin Kombëtar kundër Korrupsionit”, kreu i qeverisë me tone të ashpra ka paralajmëruar shtrirjen e aksionit për zbatimin e ligjit në të gjitha hallkat e shërbimeve publike ku abuzohet. Sektori i ujit është një nga më emergjentët, për të cilin kryeministri premtoi se dora e ligjit do të godasë me forcë, duke nënkuptuar arrestime dhe ndëshkime ndaj abuzuesve. Kryeministri pranoi se në shërbimet publike nuk ka përfaqësues të shtetit që zbatojnë ligjin, por banda që vjedhin çdo ditë paratë e shqiptarëve. Nga ana tjetër, kryeministri ka vënë në dukje dhe një fakt tjetër, se nuk mjafton të zëvendësosh disa njerëz me të tjerë, pasi sërish korrupsioni do të vazhdojë nëse nuk zbatohet ligji . “Ka një gropë tjetër më të madhe se kjo e energjisë, që është uji. Është një gropë e jashtëzakonshme… Një sistem ujësjellësish që administrohet nga banda në të gjithë territorin e Shqipërisë. Një histori e tmerrshme, po përsëri nuk ka të bëjë me njerëzit. Mund t'i zëvendësosh ata njerëz me njerëz të tjerë, e njëjta gjë do të ndodhë”, – deklaroi dje kryeministri. Ndëshkimi pritet të përfshijë gjithë abuzuesit, por edhe drejtuesit e shërbimit të ujësjellësve. Janë me mijëra raste kur përfaqëses të pushtetit vendor jo vetëm nuk kanë mbledhur detyrimet nga qytetarët, por kanë lejuar dhe abuzime marramendëse nga firma private që nuk paguajnë asnjë kokërr leku. Funksionimi i shërbimit të ujësjellësit me borde ka bërë që në këtë sektor të mos njihet as autoriteti i institucioneve të tjera, duke bërë që korrupsioni të miratohet në ekip nga anëtarët e bordeve. Qëndrimi i djeshëm i Kryeministrit pritet të shoqërohet me veprime konkrete, ku aksionet, prangat dhe arrestimet nuk do të mungojnë. Dhe ka të drejtë, pasi bordet-banda të këtyre ujësjellësve marrin para nën dorë dhe nuk vendosin as matësa në kompani e firma apo bare, ndërkohë që shkojnë e bëjnë presion tek familjet e varfra për paratë e ujit. Një bandë në Tiranë, ku hotele, restorante, bare, lavazhe, e një mori tjetër marrin nga tre apo katër linja uji dhe nuk kanë sahat, apo nuk paguajnë fare. Ndaj jo deri tek burgu, porse ka nevojë për masa represive ligjore edhe në këtë drejtim.

Ministrat e kabinetit “Rama” dhe vetë kryeministri paraqitën një ekspoze të aktivitetit kundër korrupsionit gjatë një viti, ku premtuan se zbatimi i ligjit do të ishte prioritet i punës së tyre. Bilanci i qeverisë mund të quhet shpresëdhënës, megjithatë, siç u shpreh vetë kryeministri “është larg objektivave”. Kryeministri tha se korrupsioni është çështje sistemi dhe jo vetëm individësh. E kur vjen fjala tek sistemi ai ndryshohet me shembuj, njëlloj si tek arrestimet e energjisë, por niveli duhet të jetë më i lartë. Ambasadori i OSBE në Tiranë, duke folur në gjuhën shqipe e tha më mirë për gjithë të pranishmit atë se çfarë duhet të bëhet. Sipas tij, nuk ka asnjë zyrtar të lartë të arrestuar në Shqipëri. Në këtë rast, simbolika është e qartë, vetëm arrestimi i “peshqve” të mëdhenj mund të trondisë sistemin e korrupsionit dhe të japë një model të qartë për abuzimet. Duhet të ndëshkohen deri në nivelet më të larta të shtetit. Ka një angazhim për të luftuar korrupsionin nga ana e mazhorancës, por problemi duket se nuk qëndron vetëm tek kjo. Kritikat më të mëdha të opinionit dhe të institucioneve ndërkombëtare shkojnë tek drejtësia dhe reforma në gjithë hierarkinë e drejtësisë, do të jetë garancia e vetme për të shmangur abuzimet.

Beteja kundër korrupsionit, sigurisht, nuk mund të fitohet brenda më shumë se një viti. Megjithatë, mesazhet janë të qarta. Aksionet e mazhorancës kanë dhënë efektin e duhur në opinion. Gjithashtu, shkarkimi dhe arrestimi i disa drejtorëve që janë përfolur nga opozita për afera korruptive dhe shkelje të ligjit, ka treguar se përgjegjshmëria e mazhorancës është më e madhe sesa ajo e kaluara.

Por ka nevojë edhe për më tepër shembuj e aksione konkrete. Pse institucionet qeverisësë apo ato të drejtësisë nuk arrestojnë ish-ministra, ish-drejtorë të përgjithshëm që kanë bërë një mal me para e ndërkohë tani janë deputetë? Pse nuk ka asnjë zyrtar të lartë të sotëm të arrestuar, pasi nuk besohet se të gjithë janë korrektë dhe të ndershëm? Pse asnjë kryetar bashkie, përjashtuar atij të Vlorës ku po vazhdon odiseja e gjyqit, asnjë tjetër nuk po ndëshkohet? Si ka mundësi që asnjë gjyqtar nuk po kapet duke bërë korrupsion, ndërkohë që dihet tashmë se shumë vendime jepen me para në dorë?

Ndaj ka nevojë për ndëshkime konkrete e nuk mund ta bëjë këtë luftë vetëm Edi Rama, pasi sado të bërtasë e të japë porosi ai, përsëri duhet një bllok i madh shoqëror e kombëtar antikorrupsion. Vetëm një njeri, qoftë ky edhe Kryeministri, nuk mundet q edhe  të vendosë rregulla për zbatimin e ligjit, ndaj ka nevojë për ta ndihmuar në këtë iniciativë të tij për zbatimin e ligjit në mënyrë të rreptë, paçka se për partinë në pushtet ka kosto elektorale.

SHKARKO APP