Edi Rama: Dorëzohu Gjykatë Kushtetuese !

 

Kryeministri: Jepni vendimin e fshehur në sirtare ose do përgjigjeni para popullit

Komisioni i Venecias ka dorëzuar dje opinionin përfundimtar lidhur me pyetjet që i kishte dërguar Gjykata Kushtetuese për ligjin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ashtu siç u paralajmërua edhe më parë, Komisioni i Venecias nuk gjeti asnjë shkelje të Kushtetutës apo konventave ndërkombëtare te nenet e ligjit të Vettingut, i cili u ankimua nga Partia Demokratike. Opinioni është një përgjigje e qartë jo vetëm për pretendimet e PD-së, por edhe për ato të disa njerëzve të drejtësisë që e shihnin ligjin si problematik. Shkurt, dje Venecia i dha fund debatit duke certifikuar gjithë procesin e reformës në drejtësi që u miratua nga parlamenti. Por PD-ja prapë ka insistuar mbrëmë se nuk është ashtu siç po trumbeton Edi Rama apo disa të huaj.

Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e fundit për ligjin. Por duket se ky proces do të zgjasë ende. Drejtues të gjykatës kanë deklaruar më herë se vendimi i tyre nuk mund të jepet para datës 15 dhjetor. Kjo pasi opinioni i Venecias duhet përkthyer dhe shqyrtuar me kujdes. Ndërkohë, këto ditë pritet në Bruksel që Këshilli i Ministrave i shteteve të Bashkimit Europian të vendos për çështjen e negociatave. Në këtë situatë kur Venecia ka hedhur poshtë dyshimet, sipas Ramës dhe ambasadorëve të huaj, për ligjin dhe kur afatet kohore janë të lidhura ngushtë me procesin e integrimit, vonesat e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese kanë sjellë dhe reagimin e fortë të Kryeministrit dhe selive diplomatike në Tiranë. Kreu i qeverisë, Edi Rama në një koment të bërë dje në Facebook kërkoi nga kjo gjykatë që të mos humbiste më kohë për të dhënë vendimin. “Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t’i hapë rrugë një orë e më parë zbatimit të tij”,- u shpreh Kryeministri. Madje, Rama hodhi dyshime dhe për faktin se pse Kushtetuesja ju drejtua Komisionit të Venecias për një ligj që ishte kaq i qartë dhe për një çështje ku fjalën mund ta thoshin edhe profesionistët e këtij institucioni. “Gjykata Kushtetuese mund ta kishte mbaruar me kohë këtë punë dhe sot Shqipëria do të kishte nisur zbatimin e Ligjit të Vetingut e po ashtu, edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Askush nuk më bind dot se gjykatësit tanë kushtetues kishin vërtet nevojë për Opinionin e Venecias dhe nuk e bënin dot punën e tyre pa të! Ata kanë treguar se kur duan, dinë ta bëjnë më së miri detyrën e tyre në shërbim të Kushtetutës e të interesave të këtij vendi. Nuk u mungon as dija dhe as eksperienca!”,- tha Kryeministri. Në qëndrimin e Ramës nuk mungojnë dhe ultimatumet ndaj këtij institucioni, duke theksuar se reforma në drejtësi është kërkesë e gjithë shqiptarëve dhe po në emër të qytetarëve të vendit Kushtetuesja duhet të dorëzojë sa më parë vendimin. Në PS kanë një plan hakmarrje ndaj gjykatësve të kushtetueses që pasi të votojnë do të kërkojnë nga ligji i ri i Vettingut që të fillohet pikërisht nga këta gjyqtarë që e vonuan zbatimin.

Jo pak herë Kryeministri ka shprehur dyshime se pas qëndrimeve të Kushtetueses janë dhe ndikime indirekte të opozitës. Edhe në qëndrimin e djeshëm, Rama e ka shprehur këtë shqetësim duke kërkuar nga gjykata që të vihet në anën e duhur të historisë. “Uroj që Gjykata Kushtetuese të mos bëhet mburojë e të shkuarës që prej çerekshekulli mban peng drejtësinë në këtë vend, po të vendoset në anën e duhur të historisë”,- tha kreu i Qeverisë.

Qëndrimi i Kryeministrit u kritikua dje nga opozita si presion ndaj institucioneve të pavarura. Në fakt, para se Kryeministri të fliste, ambasadat më të rëndësishme në vend kishin deklaruar të njëjtën gjë. Në një deklaratë të përbashkët gjithë ambasadat e vendeve të BE në Tiranë i bënin thirrje Gjykatës Kushtetuese që të mos vonojë vendimin pas dhënies së opinionit nga Komisioni i Venecias.

Ndërsa ambasada e SHBA shkonte dhe më tej teksa i kujtonte Gjykatës se “Shtetet e Bashkuara kanë besim se Gjykata Kushtetuese do të riparojë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor që është dëmtuar nga gjykatës dhe prokurorë të korruptuar”.

Gjithë aktorët që janë investuar dhe kanë punuar për miratimin e reformës në drejtësi, tashmë janë në prije të vendimit final nga Kushtetuesja. Nuk është fjala thjeshtë për një ligj, por për gjithë reformën në drejtësi. Pa këtë ligj nuk ka reformë, e pa reformë nuk ka as integrim.

Dhe pa këtë ligj nuk pastrohet edhe Gjykata Kushtetuese.

Qamil Xhani

 

SHKARKO APP