Edi Rama duhet të përgjigjet për Vorën
Prej gati një jave, Agim Kajmaku, fituesi i votimeve jo normale në Bashkinë e Vorës është në sulmin e akuzave të opozitës. Partia Demokratike në dhjetëra reagime publike ka hedhur dyshime se zyrtari socialist ka fshehur dënimet penale në biografinë e tij. Në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku ka deklaruar se ka ndryshuar vetëm emrin gjatë kohës që ishte emigrant në Greqi. Sipas tij, në vitet ’90 për të mundësuar punësimin në Greqi ka ndërruar emrin në Jorgo Toro. Më pas, me kthimin në Shqipëri ka marrë sërish emrin që ka sot. Por sipas Partisë Demokratike, pas kësaj të dhëne fshihet një dënim për vepër penale në shtetin grek, të cilin “fituesi” i Vorës nuk e ka deklaruar. Sipas ligjit të dekriminalizimit, fshehja e dënimit edhe në rast se bëhet fjalë për një vepër të lehtë penale u heq të drejtën zyrtarëve që të mbajnë detyrën shtetërore. Si pasojë e këtij ligji që PS-ja e miratoi vetëm nën presionin e fortë të ndërkombëtarëve, sot është bërë një listë e gjatë me deputetë dhe ish-kryetarë bashkish që janë larguar nga detyra. Agim Kajmaku, në të vetmin reagim publik që ka bërë për këtë çështje këmbëngul se nuk është dënuar asnjëherë gjatë jetës së tij. Si prova ka dhënë pasaportën me të cilën tregon se ka udhëtuar në shtetin grek gjatë viteve të mëparshme.
Historia e denoncimeve të zyrtarëve të lartë më të kaluar problematike tregon se deri në momentin e fundit, edhe ata që ishin dënuar për drogë dhe trafik vajzash në vendet BE, këmbëngulnin se ishin njerëzit më të pastër në gjithë Shqipërinë. Edhe ata që janë dënuar për trafiqe të tjera betoheshin se në jetën e tyre nuk kishin marrë asnjë gjobë për tejkalim shpejtësie nga policia. Këtë nuk e bënin se ishin të sigurt se nuk do t’u dilte e vërteta, por se kishin garanci nga kryeministri Edi Rama se nuk do t’i linte në rrugë. Në modelin që ka vendosur Rilindja, nuk ka rëndësi se sa krime kanë bërë dhe sa e zezë është dosja, por deri në çfarë pike ka forca për të mbledhur vota dhe për të qenë i përulur para Rilindjes.
Në të gjitha rastet e tjera të dekriminalizimit, Edi Rama i ka lëshuar besnikët e tij pas një beteje të fortë publike dhe presioni të opozitës. Ndaj për çështjen e Vorës është e kotë të presësh përgjigje nga Agim Kajmaku për të kaluarën e tij. Ai që duhet të përgjigjet është pikësëpari kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ka detyrimin moral ndaj qytetarëve dhe atë ligjor për të sqaruar gjithë historinë e akuzave. Pas një jave që opozita ka ngritur një çështje ndaj një të zgjedhuri personal nga Rama, kreu i qeverisë duhet të kishte nisur verifikimin. Kryeministri ka institucione që verifikojnë figurën e zyrtarëve, ka gjithë shërbimet inteligjente, ka policinë dhe çdo institucion tjetër që mund të kishte verifikuar akuzat për 24 orë. Hetimi që po bën këto ditë prokuroria është çështje tjetër dhe nuk lidhet me qeverinë. Kryeministri nuk mund të pres vendimin e prokurorisë, (e cila gjithsesi në urdhrat e tij nbetet) për të verifikuar figurën e një zyrtari garant i të cilit është doli ai vetë. Para se të flasë prokuroria, kjo çështje ka kosto politike për PS dhe Qeverinë. Pyetjet që Partia Demokratike bën përditë janë për Edi Ramën, jo për Arta Markun. Heshtja dhe sjellja sikur nuk po ndodhë asgjë është fyese edhe për vetë socialistët. Kryeministri që kalon orë të gjatë në Facebook duke u grindur dhe sharë me komentuesit, nuk mund të sillet sikur se di që në Vorë ka një problem që janë nxinë edhe më tepër fytyrën qeverisjes së tij. Kryeministri duhet t’u tregojë shqiptarëve nëse gënjen PD-ja apo gënjen Agim Kajmaku. Nëse del se ka gënjyer kandidati për të kaluarën e tij, atëherë kreu i qeverisë, për shkak të detyrës së tij, nuk është thjesht i mashtruar por edhe përgjegjës për atë që ka gatuar. Sepse nëse gjithë “shokët” që kandidon të dalin me rekorde kriminale, ky nuk është më problemi i tyre, por i atij që i përzgjedh.
Mili Xhani