Edi Rama: Fajin e ka BE!

Intervista e fundit kryeministrit Edi Rama për një media ndërkombëtare mund të quhet edhe si një sulm i paralajmëruar ndaj Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë shqiptare ka zgjedhur gazetën prestigjioze austriake “Der Standard” për të lëshuar sinjale ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian. Që në fillim kreu i qeverisë shqiptare e shpreh hapur pakënaqësinë me politikat e zgjerimit të BE-së. Kryeministri Rama nuk heziton ta cilësojë qëndrimin e Brukselit ndaj Tiranës si një çmenduri. Shembulli që sjellë është i thjeshtë. Në planin e BE-së ndodhen të gjitha vendet e rajonit, por Shqipëria edhe pse ka bërë disa reforma ndodhet në vendnumëro për hapjen e negociatave. Ndërkohë, Serbia vendi që shkaktoi disa luftëra në Ballkan e nuk e njeh ende Kosovën, si dhe Mali i Zi që vetëm para dy muajsh u bë pjesë e NATO-s kanë çelur negociatat. Shqipëria ka 8 vite në NATO dhe ende e sheh “me dylbi” çeljen e negociatave të anëtarsimit. Këtë qëndrim Kryeministri e cilëson si jo të drejtë nga ana e Bashkimit Europian.

Rama shpreh shqetësimin për qëndrimin me dy standarde të BE lidhur me kushtet e vendosura. Ai thotë se Shqipëria ka miratuar reformën në drejtësi, procese që Serbia dhe Mali i Zi nuk i kanë kaluar dhe sërish Tirana është prapa në raport me vendet e tjera të rajonit. Kryeministri Rama numëron si suksese zgjedhjet e lira dhe të ndershme, votimin e reformës në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese të disa viteve më parë.

Por kritikat e kryeministrit shqiptar ndaj BE-së marrin nota kërcënimi në rastin kur duhet të flasë për Kosovën. Duke argumentuar mosliberalizmin për shtetin e ri të Ballkanit, Rama thotë se “nuk ka vetëm lodhje zgjerimi, ka edhe një lodhje durimi”. Kreu i qeverisë shqiptare nuk e sqaron se çfarë vjen pas lodhjes nga zgjerimi, por shton se “frikërat në Ballkan” mund të shtohen.

Një pjesë e ankesave të kryeministrit qëndrojnë. Realisht ka një diferencim mes qëndrimeve të BE ndaj Serbisë dhe Shqipërisë. Por nëse sot Serbia është para nesh, Rama duhet ta pranojë që ka edhe merita personale për këtë gjë. Serbia ka pasur mes kritereve kryesore nga BE edhe shtensionimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit. Rama, me normalizimin pa kushte të raporteve me Serbinë i dha mundësi Aleksandër Vuçiçit që të prezantohej në BE si një lider i moderuar dhe Serbia si një vend jo problematik me fqinjët. Janë të njëjtët liderë serbë që pasi takojnë Ramën dhe flasin për një Serbi perëndimore nuk harrojnë të përmendin se Tirana zyrtare kërkon “Shqipërinë e Madhe”. Shumë mirë që kryeministri vendosi të luajë në politikën rajonale, por sot pyetja që shtrohet është se cili është rezultati që mori? As fonde nga BE dhe as çelje të negociatave.

Megjithë qëndrimet kontradiktore të Brukselit, për një pjesë të të cilave kryeministri ka të drejtë, shpërthimi i djeshëm i Edi Ramës është më shumë një justifikim. Me deklaratat e tij, Rama nuk flet vetëm për Brukselin, por edhe për shqiptarët. Kryeministri, siç duket, po përgatitet për refuzimin e radhës nga ana e BE-së për mos hapjen e negociatave. Në mandatin e dytë nuk ka më argumente për tu justifikuar dhe befas dje ka gjetur një “armik” të ri. Këtë herë, sipas Kryeministrit, është vetë Bashkimi Europian po pengon integrimin e Shqipërisë. Këtë gjë po mundohet të ngulisë në opinion, duke bindur kështu qytetarët se qeveria i ka bërë detyrat, por janë disa burokratë në BE që nuk i vlerësojnë sa duhet reformat.

Në thelb, qëndrime të tilla nuk janë të reja për Kryeministrin. Në këto vite, sa herë punët e qeverisë kanë shkuar për ‘dreq’ gjithmonë fajtori është gjetur diku tjetër, por asnjëherë te Qeveria Shqiptare. Vitet e para të mandatit qeverisës të PS, fajin për çdo gjë që nuk ishte bërë dhe nuk bëhej dot kollaj e kishte Saliu. Rama i bindi shqiptarët se të gjitha problemet vinin nga Saliu dhe emri i ish-kryeministrit Sali Berisha shoqëronte çdo dështim. Në mbyllje të mandatit të parë, kur bilanci i qeverisë ishin vetëm disa tonelata bojë nëpër qendrat e qyteteve dhe portale qeveritare pa fund, Rama gjeti një tjetër argument. Në këtë moment u shpik “tepsia” dhe fajin e kanë aleatët. Gjithë dështimet e 4 viteve ua faturoi aleatëve, duke i cilësuar si pengesë të reformave. Ishin aleatët ata që, sipas Ramës, po pengonin reformat që donte Brukseli dhe zhvillimin e vendit. Tani që PS-ja gjithë pushtetin  e ka vetëm, me ikjen e aleatëve i kanë ikur dhe alibitë. Ndaj Kryeministri hodhi tezën e re se qeveria ka bërë të gjitha reformat, por në Bruksel nuk dinë t’i vlerësojë.

Që Brukseli nuk ka dëshirë hapje në Ballkanin Perendimor, kjo duket. BE është e tronditur nga sherret mes vendeve anëtare dhe nuk e ka mendjen në Ballkan. Por Tirana zyrtare duhet të jetë korrekte dhe të bëjë shkëputjen nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni. Sa kohë që bandat e drogës të cilat sollën plot vota me 25 qërshor, nuk ndëshkohen, por marrin përfitime nga qeveria, nuk ka shpresa që BE të jetë e hapur për Shqipërinë.

Gjithësesi kryeministri e bëri parapritën për moshapjen e negociatave.

SHKARKO APP