Edi Rama, ndonëse mundohet të manifestojë qetësi në publik apo të bëjë sikur luan batutash në parlament, ai nuk ndjehet aspak mirë. I është goditur ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, miku i tij më i mirë dhe ish-ministri më i sukesshëm, sipas tij.
Goditjen ia kanë dhënë shërbimet partnere, pasi një mori grupesh kriminale droge që rrezikuan Shqipërinë, por tronditën edhe Europën, filluan të flisnin se kishin mbështetjen e qeverisë. Britmat e Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Hollandës dhe Britanisë ishin spektakolare. Dhjetra e dhjetra tonë kanabis e qindra kilogram heroinë hynte në BE. Të mos ishte Italia me arrestimet e bujshme, akoma kryeministri do ishte “shkëmb graniti” në brigjet e Mesdheut, por gjyqi që ka filluar në Itali për bandën Habilaj, ka frikësuar shumë mazhorancën shqiptare. Kryeministri pas një fitore të papritur prej 74 mandatesh u bë arrogant, tregoi dhëmbët opozitës si dhe po bëhej gati të qeveriste me dorë të fortë, por siç akuzon PD-LSI, ai do bashkëdrejtonte me krimin e organizuar.
Nëse kjo që thotë opozita do realizohej, atëhere Edi Rama do kthehej në Pasha ku do të priste kokat e kujtdo në politikë, media, biznes, drejtësi,etj. Por goditja e ish-ministrit Tahiri, që akoma hetohet nga prokuroria e krimeve të rënda me akuza shumë të rënda për një politikan, siç thonë disa burime ambasadash, erdhi për të ulur në gjunjë kryeministrin Rama, i cili donte të kalonte “ylberin” dhe me pas mund të ishte i rrezikshëm edhe për më tej kufinjve shtetrorë. Goditja e Italisë (dhe jo vetëm) ishte edhe për të larguar njëherë e mirë nga politika pikërisht krimin e organizuar dhe mafien e drogës.
Duke e ndjerë rrezikun e dosjes Tahiri, kryeministri e mbrojti, por njëkohësisht edhe e hodhi në kazanin e rrugës, sepse nuk e di saktësisht se çka dosja italiane për Saimir Tahirin apo edhe për Edi Ramën. E mbrojti disi se kishte frikën se mos Tahiri flet, por edhe e hodhi se nuk e di se deri ku është zhytur ish-ministri.
Kryeministri ndodhet në kuotën e tij më të ulët në publik. Edhe ai e di mirë, ndonëse bën sikur nuk ka asnjë lidhje me ish-ministrin, se rreziku për tu groposur politikisht është real. PD-LSI janë hedhur në sulm për ta rrëzuar kryeministrin. Në një farë mënyre mund të thuhet se ose e rrëzojnë me rastin Tahiri-Habilaj ose Edi Rama nuk rrëzohet më dhe ikën kur të dojë vetë.
Megjithatë Edi Rama po luan një lojë me një ambasador, të cilin e ka shumë mik (nuk dihet nga se vjen kjo supërmiqësi) dhe mund të godasë në janar-shkurt kundërshtarët politikë në mënyrë që të harrohet dosja Tahiri.
Të gjitha palët janë me “veshë në krah” dhe me “shpatë” në dorë.
