Rama-Veliaj, ”vëllezërit” siamezë në PS!
(Ky editorial shikohet më i plotë si video, ndaj kliko)
Dje ishte mbledhja e Asamblesë Kombetare të PS-së, ku Edi Rama foli pas takimit me tone autokritike për punën e PS-së, në raport me atë që duhet të arrijnë dhe jo që vihet në diskutim fitorja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Për shumë arësye opozita ose më saktë PD e ndarë në disa copa e ka shumë të vështirë ti fitojë zgjedhjet e ardhshme. Mbi të gjitha nuk ngjall akoma shpresë dhe besim në popull që të mund të rrëzojë kryeministrin Rama.
Ndaj edhe mbledhja e Asamblesë socialiste ishte analizë e ftohtë se si mund të jenë më afër një fitore historike prej 94 mandate deputeti.
Në një parti ka përherë debate, analiza, ndryshime dhe sugjerime se si mund të ngrihet më lart forca politike.
Nuk po flasim për partinë demokratike, pasi, fatkeqësisht, nuk po e merr veten sepse janë në gjueti shtrigash brenda shtëpisë së tyre politike. Por në PS, Edi Rama, duke qenë edhe kryeministër dhe njeri që nuk kënaqet me asgjë të arritur, por kërkon gjithnjë e me shumë, pra kishte analizë dhe jo lëvdata.
Pas mbledhjes pati lajme të pakonfirmuara, por të ekzagjeruara, se kryeminiëstri kishte kritikuar kryebashkiakun e Tiranës. E vërteta, sipas deputetëve të PS, është se kishte kërkesa se si mund të bëjmë më mirë punën organizative, sidomos në zonën e Kavajës. Të mos harrojmë se të fitosh në Kavajë mbetet pothuaj e pamundur, edhe sikur të kandidojë vetë Edi Rama apo Erion Veliaj. Ajo është zonë bastion i së djathtës dhe nuk ka shpresë për të konvertuar në të majtë. Bile e mira e do që PS-ja të mos kërkojë të kthejë krejt Shqipërinë në të kuqe, pasi më pas nuk do të kemi më pluralizëm e demokraci.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në një intervistë, ka folur në lidhje me Asamblenë e PS të mbajtur ditën e djeshme.
Ai u shpreh se trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër , ndërkohë që 1/3 e deputetëve në Parlament janë nga qarku i Tiranës.
Ai shtoi se ka disa pjesë që duhen ndryshuar në mënyrë që të jenë gati për zgjedhjet e përgjithshme të 2025.
“Si partia më e madhe qeverisëse, kjo është një parti që kalitet. Kemi kaluar në sitë të gjithë organizatat e partisë. Në qarkun e Tiranës voton 1/3 e popullsisë së vendit, 1/3 e Parlamentit të Shqipërisë do të jenë në qarkun e Tiranës, përgjegjësia jonë është më e madhe. Trendi i Tiranës edhe si peshë politike do të vijë në rritje e sipër.
Siç e parashtrova para asamblesë je, ka disa pika ku duhet të bëjmë disa korrigjime që të jemi gati për 2025” –shtoi Erion Veliaj.
Por për të qenë korrekt me të vertetën, të drejtosh punën politike në një qark ku është një e treta e popullsisë së vendit dhe ku në gjysmën e territorit të qarkut është një popullsi demokrate, realisht është një sforcë e madhe, duhet një punë titanike.
Të fitosh në Vlorë, Fier, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës etj, nuk është ndonjë sakrificë e madhe partiake, kurse në kryeqytet, apo në krejt qarkun e Tiranës, duhet përkushtim dhe stërmundim.
Por nëse shikon ftohtë marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, ato janë si dy vëllezër siamezë, të lidhur pazgjidhshmërisht me njeri tjetrin e ku fitorja e njërit forcon tjetrin, dhe anasjelltas.
Ndaj opozita e Berishës nuk duhet të shpresojë në ndonjë përcarje mes Ramës dhe Veliajt që të luten se kështu ju vjen pushteti. Opozita duhet të rritet dhe të jetë e besueshme, pasi bën mirë për demokracinë e vendit, por edhe që mban të karikuar për punë qeverisjen.
Opozita të merret me datën 20 shkurt që të shikojmë sa njerëz vijnë në këtë protestë!