Ballist Morina trondit Kroaci-Serbi-Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta thërriti dje ambasadoren kroate, ndërsa qeveria nuk po bën lëvizje diplomatike për “heroin shqiptar të Beogradit”. Të mos ishte Ballist Morina dhe sherri që erdhi pas e zorshme që Shqipëria të ishte kualifikuar në Europianin e vitit që shkoi. Ato tre pikë ishin vendimtare për ekipin kuq e zi.
Këto ditë javë vendimtare për fatin e Ismail Morinës, ose siç njihet ndryshe Ballist Morina. Gjykata Supreme e Kroacisë refuzoi të mërkurën kërkesën e avokatëve të tij që kërkonin mos ekstradimin në Serbi. Prokuroria serbe e akuzon për nxitje të dhunës dhe trazirave që ndodhën në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në tetor të vitit 2014. Si dhe disa akuza të tjera, prej të cilave vitet e burgut janë të shumta, sipas tyre. Morina akuzohet nga Serbia si autori i ngritjes së dronit me flamurin “Autoktonus”, ku ishte e vizatuar harta e Shqipërisë së madhe dhe shfaqeshin portretet e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit. Që prej 3 vitesh autoritet serbe e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke e cilësuar si personin përgjegjës për dhunën dhe për “nxitje të akteve kriminale mes kombeve”. Në bazë të këtij urdhër arresti, Morina u arrestua në qershor në Kroaci për t’u ekstraduar në Serbi. Nëse Ismail Morina shkon në Beograd, ai rrezikon të dënohet minimumi në 8 vite burg, duke e dërguar atë siç thonë mediat serbe, në burgjet ku ndodhen kriminelët me të rrezikshëm serbë. Për shkak të ngarkesave politike që pati gjesti i tij në stadiumin e Beogradit, procesi ndaj tij në Serbi nuk do të jetë i rregullt. Ndërkohë që jeta e atij që cilësohet si heroi i ndeshjes së Beogradit rrezikohet seriozisht në burgjet serbe.
Këto ditë në mediat e Serbisë ka pasur lajme dhe tituj bombastikë nga gazetat më të mëdha të vendit për ekstradimin e Morinës. Në një të përditshme serbe citoheshin disa kriminelë të dënuar në Beograd, të cilët deklaronin se do t’a vrisnin Ismail Morinën në burg. Nacionalistë serbë, përfaqësues të grupeve më të rrezikshme kriminale dhe kriminelë të luftërave në ish-Jugosllavi një vit më parë kishin venë dhe një çmim për “kokën e Ismail Morinës”. Ekstradimi i tij në Serbi cilësohet si një fitore dhe një mundësi për t’u hakmarrë për atë që ndodhi gjatë ndeshjes mes dy ekipeve kombëtare. Në Beograd duket sikur po bëjnë festë për ekstradimin e Morinës. Ministrja serbe e Drejtësisë deklaroi dje e sigurtë se Kroacia do të mundësonte dërgimin në burgjet serbe. Qeveria e Beogradit ka tre vjet që përpiqet me të gjitha mënyra për arrestimin e tij dhe duket se po e arrin këtë.
Ndërkohë Kroacia duket se po synon të fusë ura zjarri mes Serbisë dhe Shqipërisë, aq me tepër kur dashuria Vuçiç-Rama është publike. Nga të gjithë njihen konfliktet Kroaci-Serbi dhe kjo mundësi e artë diplomatike kroate për të krijuar konflikt dhe vatër tensioni mes Beogradit dhe Tiranës, duket me afër se kurrë. Pra po luhet që ua dërgojnë serbëve që të plasin protestat në Tiranë dhe Prishtinë kundër serbëve. Diplomaci ballkanike!
Po Qeveria shqiptare çfarë po bën? I vetmi institucion i lartë shtetëror që është interesuar personalisht është Presidenti Ilir Meta. Dje kreu i shtetit thirri në një takim urgjent ambasadoren e Kroacisë, Sanja Bujas Juraga. Kreu i shtetit i ka shprehur shqetësimin për rrezikimin e jetës së Morinës në rast ekstradimi, dhe mosgarantimin e një procesi të drejtë. Edhe pse vendimi i gjykatës kroate ka qenë proekstradimit, Presidenti ka kërkuar nga autoritetet kroate që në këtë rast institucionet e Kroacisë të vlerësojnë dhe kontekstin e veçantë që ka kjo ngjarje. Vendimi i fundit për ekstradimin ose jo të Morinës është në dorën e ministrit kroat të Drejtësisë, Drazhen Boshkanjoviç. Ligjet e këtij vendi i njohin të drejtën kreut të Ministrisë që të vendos nëse procedura do të kryhet ose jo. Pra, ekzistojnë të gjitha mundësitë që nëse institucionet shqiptare në nivelet më të larta angazhohen për sqarimin e çështjes, të ndalojnë burgosjen në serbi të Morinës. Përveç një letre të dërguar nga ministri teknik, Gazmend Bardhi kabineti “Rama” nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret. Nuk flasim këtu për qëndrime në facebook dhe në media, por për takime dhe negociata mes dy qeverive për të ndaluar një procedurë që mund të rrezikojë jetën Ballist Morinës. Qeveria e ka detyrë që të ndjek raste të tilla për çdo qytetar shqiptar. Ndërkohë që këtë herë nuk bëhet fjalë për një shqiptar të dënuar për krime, por për një njeri ndaj të cilit ka një proces thellësisht politik. Për një sportdashës që mund të djegë shumë flamuj serbë në rajon!
Kur Ismail Morina ngriti dronin në Stadiumin e Beogradit, në një ndeshje që ishte si “luftë”, ishin të shumë qeveritarë që e mbështetën dhe zinin radhën për të bërë foto me të. Sot ata pushtetarë që kanë detyrimin ligjor për të mbrojtur një shtetas shqiptar nga një proces i padrejtë rrijnë e drekojnë në Velipojë në një mbledhje qeverie të pa dekretuar, por që gjithsesi është në detyrë.
Mos e lini Ballist Morinën të shkojë në oborrin e Vuçiç, zoti Edi Rama!
S.P.