Esat Pashë Toptanët në Kosovë-Shqipëri
Detajet e reja që kanë dalë për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë flasin për një skenar nga më negativët për Kosovën.
Po shfaqen, përditë, Esad Pashë Toptanët e rinjë!
Një dokument i ekspertëve të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), një organizatë që merret me problemet në BE, tregon se gjithë debati që është hedhur për diskutim për gjoja shkëmbim territoresh mes dy vendeve është një mashtrim i madh. Sipas dokumentit të publikuar dje delegacioni i kësaj organizatave që ka vizituar Beogradin, fundi i negociatave mes Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit nuk do të jetë shkëmbimi i territoreve, por vetëm dhënia e Veriut të Kosovës shtetit serb dhe kjo e fundit do të njoh vetëm pavarësinë. E thënë thjesht, në Beograd nuk flitet fare për shkëmbim territoresh, por vetëm ndarje të Kosovës, ku Serbia merr gjithë pjesën që ka pasuritë më të mëdha nëntokësore dhe ekonomike.
Serbia merr qindra milardë dollarë pasuri nga tokat kosovare, ku bie në miniera e Trepçes. Dhe jo vetëm. Flitet se Serbia ka krijuar një fond me dhjetra milionë euro ryshfet për palën kosovare.
Ky është zhvillim edhe më i keq sesa ideja e çmendur e korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve, e cila që në fillim është cilësuar e gabuar. Deri pak ditë më parë, Hashim Thaçi për të joshur opinionin publik në Kosovë, Shqipëri dhe ndërkombëtarët ka deklaruar se do të marrë Luginën e Preshevës dhe në këmbim Serbia mund të marrë zonat në Veri ku janë serbët. Një ide e tillë ka hasur në kundërshtime të forta në Prishtinë, Tiranë, nga vende të BE dhe konkretisht nga Gjermania. Projekti Thaçi-Vuçiç është quajtur si një marrëveshje që do të hapë lojën e luftës në Ballkan dhe do të krijojë tensione që shkojnë përtej Kosovës dhe Serbisë. U quajt më të drejtë si një pazar që i jep Serbisë diçka që nuk i takon dhe nga humbëse e luftës, ajo te vendoste kushtet. Por Thaçi dhe një pjesë e vogël mbështetësish në Prishtinë dhe në Tiranë, thanë se kjo është një mundësi historike për të vendosur paqe mes shqiptarëve dhe serbëve. Një paqe për të cilën edhe këtë herë shqiptarët duhet të paguanin çmimin më të shtrenjtë duke dhënë disa komuna në Kosovë.
Çmenduria e politikanëve shqiptarë, andej dhe këtej kufirit, nuk paska fund. Siç po del nga raportet e brendshme të organizatave që operojnë për llogari të BE-së, skenari kundër Kosovës qenka shumë më i keq. Shkëmbimi gjoja i territoreve ishte karremi për të futur në lojë ndërkombëtarët dhe për të vënë në gjumë opinionin publik në dy shtetet shqiptare. Ndërsa në të vërtetë, fjala kyçe e asaj çfarë po diskutohet është ndarja e Kosovës. Në qëndrimet e mbajtura deri më sot, politikanët serbë asnjëherë nuk e kanë quajtur serioze idenë se Kosovës do të japin Preshevën. Madje kanë qeshur me këto deklarata. Dhe po del se paskan pasur të drejtë. Vetëm idiotët politikë mund të besojnë se Serbia jo vetëm do të njohë Pavarësinë, por do t’u japë shqiptarëve dhuratë edhe krejt Luginën e Preshevës. Dhe do e bënin këtë sepse Hashim Thaçi dhe të tjerë po uleshin në bisedime!
Hajde Esad-Pashë Toptanë të rinjë!
Rreziku për të shkuar të plani i Vuçiç-Thaçi nuk është larg. Dy ditë më parë Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratonte dot një rezolutë për dialogun me Serbinë. Rezoluta i hiqte të drejtën Hashim Thaçit që të negocionte për territorin e Kosovës. Duke kërcënuar me rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” mbështetësit e idesë së shkëmbimit të territoreve (pra ndarjes së Kosovës) ia lanë sërish në dorë negociatat presidentit Hashim Thaçi.
Për të ruajtur karriket nuk e miratuan Rezolutën.
Dhe Presidenti vijoi negociatat duke takuar të enjten me kryeministren serbe në Bjellorusi dhe folën se marrëveshja është shumë më e madhe se “shkëmbimi i territoreve”. Esadistët në parlamentin e Kosovës për të ruajtur përfitimet personale dhe “bythën politike” e shitën Kosovën dhe parimet, duke u kthyer si dikur Esad Pashë Toptani që shiti Atdheun.
Në debatet që janë zhvilluar këto kohë ka dhe një detaj që nuk bën fajtor vetëm Hashim Thaçin për këtë projekt, por edhe qeverinë në Tiranë. Aleksandër Vuçiç kur flet për marrëveshje nuk i referohet Kosovës dhe qeverisë së saj, por flet për pakt me shqiptarët. Me këtë gjë nënkupton se nuk ka marrëveshje vetëm me Thaçin, por edhe me qeverinë shqiptare. Edi Rama duket i ka dhënë këtë mundësi edhe me deklaratat e paqarta dhe mbështetjen e ideve të Hashim Thaçit për “mundësi historike”. Me këto qëndrime, Edi Rama po bëhet bashkautor dhe bashkëfajtor në idenë më të rrezikshme dhe më antishqiptare për Kosovën. Në kohën kur Qeveria e Tiranës duhet të kishte një qëndrim të qartë dhe të dilte kundër këtyre ideve, gjuha me dykuptime dhe mbështetja indirekte vetëm sa dëmton pozitat e Kosovës. Në të kundërt, duhen marrë si të vërteta shumë deklarata që vijnë nga politikanë dhe intelektualë në Kosovë që thonë se “ndarjen me Kosovën e ka vendosur Edi Rama me Aleksandër Vuçiç”.
Nëse kjo është e vërtetë atëherë nuk kemi më politikanë në shërbim të shtetit, por Esad Pasha të rinjë që për hir të pushtetit në Kosovë dhe Shqipëri janë gati të shesin kombin.
Por Esad Pashë-Toptanët përherë kanë një përfundim!
Shënim: Esat Pashë Toptani u vra në rrugën Castiglione në Paris më 13 qershor 1920 nga Avni Rustemi
Qamil Xhani