Euro në pikiatë nga paratë e pista që po fut mafia
-Mafia po pastron paratë e krimit, duke i investuar sidomos në ndërtime dhe pasi i konverton i qarkullojnë në banka. Bosët e këtyre parave, pak më vonë, do ti shikojmë si deputetë në parlament apo edhe qeveritarë.
-Kursi i këmbimit për monedhën europiane arrin në nivele të ulta, shumë alarmante. Bizneset vendase paralajmërojnë falimentime masive nëse qeveria nuk ndërhyn, pasi mafia po hedh qindra milionë euro në treg, duke sakatuar biznesin e ndershëm.
Monedha Euro ka arritur nivelin më të ulët të këmbimit gjatë muajit dhjetor të këtij viti. Dje në Shqipëri një euro këmbehej me 122.2 lekë, duke shënuar vlerën më të ulët edhe se gjatë muajve të sezonit veror, kur zakonisht vihen re luhatje të kursit të këmbimit. Ndryshimi i nivelit të kursit të këmbimit në shifra të tilla jep efekte negative në gjithë ekonominë kombëtare. Shumica e bizneseve që operojnë në vend, për shkak se aktivitete i kryejnë në Lekë dhe shitjet jashtë vendit i bëjnë me Euro, kanë ditë që ndodhen përpara kushteve ekstreme. Ulja e Euros në krahasim me vitet e tjera ka bërë që fitimi i tyre të ulet në mënyrë të ndjeshme, derisa çështja ka shkuar në mbijetesë. Efektin e parë e ndjejnë bizneset që eksportojnë si fasonët. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (DHKPV) në një deklaratë për mediat paraqiti dje të dhëna alarmante që flasin për rrezikun e falimentimit të këtij biznesit për shkak të kursit të Euros. Konkretisht, fitimi total i biznesit fason që operon në tregjet e huaja llogaritet rreth 15 përqind. Si pasojë e luhatjes së Euros në vlerën e 9% tashmë fitimi i tyre me 6 % është i pamjaftueshëm për të përballur shpenzimet e pagave dhe taksave. Në një deklaratë të këtij biznesi kërkohej ndërhyrje urgjente e qeverisë për të shmangur falimentimet masive që mund të vijnë në këtë biznes. Rasti i biznesit fason, që ka dhe numrin më të madh të të punësuarve, është vetëm një shembull për të treguar se luhatja e kursit të këmbimit ka efekte shkatërruese në ekonominë e vendit.
Ekspertët e ekonomisë japin variante të ndryshme për atë që po ndodh me monedhën euro, por ajo ku bien dakord shumica është se zhvleftësimi kaq i madh kësaj monedhe nuk lidhet me ekonominë reale, por me qarkullimin e parave të pista në treg. Ulja e Euros në nivele të tilla, në Shqipëri është hasur kryesisht gjatë vitit 2015. Në këtë vit Shqipëria ishte dhe në qendër të akuzave se për nisjen e një fushatë gati kombëtare për mbjelljen dhe shitjes së hashashit. Aktualisht Shqipëria nuk ka probleme të njëjta si në vitin 2015 me prodhimin e hashashit, por mesa duket paratë që vijnë nga trafiqet në Shqipëri dhe vende të tjera, arrijnë të futen në ekonominë tonë duke dhënë shenja të dukshme dhe në kursin e këmbimit.
Gjatë këtij viti, për të përballur efektet negative të uljes së kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë bleu rreth 400 milionë euro. Megjithatë efektet e kësaj lëvizje për të normalizuar tregun nuk dhanë asnjë rezultat. Qeveria nga ana tjetër pretendon se ajo që po ndodhë është një situatë që lidhet me zhvillimet e tregut. Një nga argumentet është se në fundvit në vend vijnë emigrantët dhe për pasojë ulet kursi i Euros. Në fakt, prej kohësh remitancat dhe ardhja e emigrantëve nuk janë më në nivelet e disa viteve më parë, madje janë përgjysmuar. Si ka mundësi kur shqiptarët sjellin më pak para se më parë në vend, Euro ulet më shumë se kurrë? Ekonomia e Shqipërisë është shumë e vogël për tu prekur nga politikat e Bashkimit Europian me Euro. Por edhe argumenti se ndryshimi i kursit varet nga Brukseli nuk qëndron, pasi prej kohësh niveli i Euros ka qenë i qëndrueshëm në vendet e tjera. Edhe në vende fqinj që s’janë në BE si në, Serbi Mali i Zi, Maqedoni etj, kursi i këmbimit të monedhës europiane nuk ka pasur luhatjet që ka në Shqipëri.
Ajo që ndodh me Euron këtu është një fenomen thellësisht shqiptar dhe nuk lidhet me zhvillimin e ekonomisë dhe as me forcimin e Lekut. Kjo që po ndodh shpjegohet vetëm më futjen në treg të qindra miliona eurove të parave të krimit, të cilat pasi këmbehen me vlerë të ulët kthehen më pas në investime dhe Lekë të “pastruara”. Fakti që qeveria nuk ndërhyn, por e cilëson si situatë ‘normale’ vetëm sa provon se është pjesë direkte ose indirekte e kësaj skeme që ka efekte shkatërruese për ekonominë e vendit.
Nga ana e saj mafia po investon, pastron dhe rifut në qarkullim më pas paratë si të pastra dhe bosët e tyre më vonë do jenë deputet apo qeveritarë.
Alban Marku