Eurobarometri me zhivë kanabisi

Një sondazh i kryer nga Komisioni Europian jep të dhëna interesante për mënyrën sesi shqiptarët e shohin zhvillimin ekonomik të vendit. Ndryshe nga sa deklarojnë, ekspertët apo qytetarët që ankohen për taksa të larta, ulje të mirëqënies dhe mungesë investimesh, në të dhënat e sondazhit të Eurobarometrit, shqiptarët rezultojnë më të kënaqur se kurrë më parë me financat e tyre, pra më mirëqënien. Janë  55 për qind e qytetarëve shqiptarëve që shprehen se gjendja ekonomike e Shqipërisë është e mirë. 44 për qind e vlerësojnë atë përgjithësisht të keqe, ndërsa 1 për qind nuk ka dhënë asnjë vlerësim.

Eurobarometri është një sondazh i kryer nga institucionet e Komisionit Europian që teston opinionin publik në vendet e BE dhe në vendet që janë kandidate për në BE. Ekspertët e KE kanë pyetur 1083 veta, gjatë periudhës nga 20 deri në 28 maj  të këtij viti. Qëllimi është testimi i opinionit mbi reformat dhe situatën ekonomike e politike. Në rastin e Shqipërisë, si vend kandidat për në BE, bien në sy shifrat e rritjes ekonomike që raportojnë qytetarët. Rezultatet e sondazhit janë befasuese edhe nëse lexohen nga dikush që nuk e njeh ekonominë dhe zhvillimet në vend. Në 4-5 vitet e fundit ka një fakt të pranuar nga të gjithë ekspertët e ekonomisë dhe nga vetë ministrat e kabinetit aktual qeveritar. Për shkak të nismave dhe reformave që ndërmori qeveri “Rama” nuk pati asnjë investim serioz në ekonominë e vendit. Kjo edhe pse shkak të borxheve të mëdha që la qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha. Realisht qeveria Berisha 2 e la të groposur ekonominë. Asnjë kompani serioze ndërkombëtare nuk ka pranuar të investojë në Shqipëri, për shkak të taksave jo të favorshme dhe mungesës se klimës favorizuese.  Përkundrazi, një vit më parë Shqipëria u bë lajm ndërkombëtar për shkak të rrahjes barbare të një biznesmeni libanez që kishte vendosur të investonte paratë këtu. Në raportet e institucioneve të specializuara financiare ndërkombëtare, vlerësohet reforma për kuponat tatimorë të Ministrisë së Financave, por asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka thënë se ekonomia ka njohur zhvillime domethënëse. Këtë gjë e konfirmon dhe fakti se institucionet dhe bankat ndërkombëtare kanë kohë që nuk pranojnë të japin hua për projektet në Shqipëri.

Pavarësisht gjithë këtyre pikave kritike të ekonomisë, çuditërisht qytetarët shqiptarë e shohin ekonominë mjaft positive, gjithnjë sipas sondazhit europian. Por çudirat e shqiptarëve me ekonominë, sipas të dhënave në raportin e  Eurobarometër nuk mbarojnë me kaq. Sipas sondazhit shqiptarët e vlerësojnë me pozitivisht ekonominë edhe se sa qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian. Konkretisht rreth 45 përqind e qytetarëve të vendeve të BE, si Franca dhe Gjermania e vlerësojnë ekonominë e vendeve të tyre si të mirë. E thënë ndryshe, 55 përqind e shqiptarëve janë më të kënaqur se gjermanët dhe francezët me zhvillimet e ekonomike! Mesatarisht një qytetar shqiptar ka të ardhura 5 herë më pak se një qytetar i vendeve të BE. Edhe pse studimi është bërë për shqiptarët, duket se nuk ka shqiptarë që e beson se ekonomia këtu po ecën më mirë se në vendet e Bashkimit Europian.

Dy muaj më parë, një sondazh kompanisë ndërkombëtare Gallup raportonte se 56 për qind e shqiptarëve duan të emigrojnë. Pra më shumë se gjysma e popullsisë, nëse do të kishte mundësi, do të kishte ikur një orë me parë nga Shqipëria. Shkak kryesor i largimit nga vendit cilësohej situata ekonomike. Është e pakuptimtë sesi 56 përqind e qytetarëve duan të ikin, sipas sondazhit dhe Gallup, dhe 55 përqind, sipas Eurobarometer mendojnë se situata ekonomike në vend është shumë e mirë. Edhe brenda vetë institucioneve të BE ka shifra që kundërshtojnë këtë sondazh. Një studim i Eurostat (institucion i BE) në vitin 2016 e rendiste Shqipërinë si vendin e dytë më të varfër, pas Bosnje-Hercegovinës.

Atëhere nga i nxorën këto shifra sondazhuesit e Eurobarometër, nga hotel Tirana apo nga ndonjë restorant buzë detit në Durrës të Vangjush Dako?

Shifrat e publikuara nga institucioni i Komisionit Europian kanë shkaktuar jo pak reagime në Tiranë. Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili hidhte dyshime për shifrat e publikuara duke ironizuar dhe metodologjinë e përdorur për realizimin e tij. “Eurobarometri na thotë edhe që megjithëse janë tre herë e kusur më të varfër se europianet, prapë së prapë shqiptarët qenkan shumë të gëzuar që janë kaq të varfër. Barometrat punojnë me zhivë dhe kjo zhiva e eurobarometrit do të jetë me siguri e përzierë me kanabis, nga ajo që trazon mendjen dhe xhepat e disave…. Gallupi na thotë qartë, që shqiptaret duan të ikin në masë nga Shqipëria, por Gallupi përdor zhivë të pastër me sa duket”,- deklaroi dje Petrit Vasili.

Naturisht disa reforma i bëri qeveria e kaluar 2013-2017 dhe duhet vlerësuar, por nuk mund të thuhet se mirëqënia është rritur në ato shifra, pasi nuk i beson asnjeri. Edhe vetë kryeministri Rama do jetë çuditur me guximin e atyre shifrave, ndonëse politikisht i ka pëlqyer.

Gallupi thotë se 56 përqind e shqiptarëve duan të ikin me vrap nga vendi, kurse Eurobarometri shkruan se 55 përqind e shqiptarëve janë të kënaqur e të lumtur me mirëqënien.

Cilin të besojmë?! Më mirë e dijnë qytetarët e varfër dhe të papunë, të cilët rendin drejt kufirit për të ikur nga Shqipëria.

Qamil Xhani

SHKARKO APP