Fati i zgjedhjeve në dorën e Dukës
Kryetari i PAA, Agron Duka kërkon në Kolegjin Zgjedhor çregjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë, për tejkalimin e afateve ligjore
Duke kërkuar çdo mënyrë dhe shteg për të gjetur një marrëveshje mes PS dhe PD, dje ka hyrë në lojë një skemë interesante ligjore. Kur duket se dështimi i zgjedhjeve pa opozitën është i sigurt më 18 qershor, Partia Agrare Ambientaliste me kryetar Argon Dukën ka bërë lëvizjen e fundit që mund të shpëtojë zgjedhjet e kontestuara që në nisje. Dje Agron Duka ka dorëzuar në Kolegjin Zgjedhor një ankesë për procedurat e ndjekura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e kandidatëve për deputetë. Në thelb, kërkesa kërkon shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së, duke argumentuar se, regjistrimi i kandidatëve aktualë është bërë në shkelje të afateve ligjore. Çështje e interpretimit ligjor.
Konkretisht PAA argumenton se, dita e fundit për dorëzimin e listave ishte 28 prilli dhe jo data 29, e cila u mor për bazë nga KQZ-ja për regjistrimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje. “Partitë që kanë të drejtë të depozitojnë listat shumë emërore brenda një afati të caktuar, i cili është 50 ditë para datës së zgjedhjeve e llogaritur në ditë kalendarike është data 28 prill 2017. Partitë politike të sipërcituara kanë depozituar listat shumemërore më datën 29 prill 2017, në tejkalim të afatit të përcaktuar nga neni 67, pika 1 e Kodit Zgjedhor. Data 29 prill 2017 është dita e 50-të e afatit 50 -ditor, të cilin neni 67 e ka përjashtuar nga mundësia për të depozituar listat shumë emërore. Për sa më sipër, duke konsideruar se vendimet e datës 5 dhe 7 maj 2017 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të paligjshëm, kërkojmë: Shfuqizimin e vendimeve të KQZ-së nr. 283, 284, 285, 286, 287, 288 të datës 05.05.2017, dhe 289, 290, 291, 292, 293, 294, 295, 296, 297 të datës 07.05.2017”,- thuhet në kërkesën e PAA.
PAA e Agron Dukës është subjekti i vetëm i partive opozitare që është regjistruar në KQZ edhe pse nuk ka depozituar listat. Në këtë mënyrë, PAA ka gjithë të drejtën ligjore që të kërkojë nga Kolegji Zgjedhor, si organi më i lartë vendimmarrës për zgjedhjet, rishikimin dhe anulimin e vendimeve të KQZ-së. Me këtë padi, PAA kërkon çregjistrimin e listave shumemërore të kandidatëve për deputet të partive që kanë depozituar listat në datën 29 prill 2017. Pra listat e 15 partive, të cilat janë për zgjedhjet e 18 qershorit.
Kolegji Zgjedhor do të mblidhet sot për të hedhur shortin për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe për të vendosur afatin e nisjes së shqyrtimit. Sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji duhet të japë vendim brenda 10 ditëve nga hedhja e shortit për çështjen e ankimuar. Shpresohet se nuk do pritet 10 ditë në këto ditë të nxehta politike.
Por çfarë pasojash sjell për zgjedhjet nëse Kolegji Zgjedhor i jep të drejtë Partisë Agrare Ambientaliste. Efekti i parë është që gjithë vendimmarrja për regjistrimin e 16 partive aktuale bëhet nul. Pra, nuk njihen regjistrimi i kandidatëve për këto subjekte politike. Nga ana tjetër Kolegji detyron KQZ-në që të rishqyrtojë edhe një herë procedurat, duke kërkuar zbatimin e ligjit. Zbatimi i ligjit nënkupton se duhen 50 ditë për regjistrimin e partive. Gjë që do të thotë se, në parim, nëse Kolegji vendos pro, zgjedhjet duhet të shtyhen edhe për më shumë se 50 ditë të tjera nga dita e publikimit të vendimit të Kolegjit. Pas kësaj lëvizje të Kolegjit lind e drejta e Presidentit, Parlamentit ose vetë KQZ-së për të gjetur një zgjidhje ligjore lidhur me afatin e ri për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi 18 qershori juridikisht quhet i pavlefshëm. Duket një ekuacion politik dhe matematik njëkohësisht, por i luajtur me mjeshtri nga ata që e kanë ideuar bashkërisht skemën “Duka”.
Pavarësisht se është një proces i komplikuar juridik, ankesa e bërë dje nga Agron Duka është e vetmja mënyrë që sjell palët drejt konsensusit, duke rrëzuar 18 qershorin. Rrëzimi i datës së zgjedhjeve nga Kolegji Zgjedhor është një variant që duket se pranohet nga të gjitha palët. As kryeministri nuk tërhiqet me kokë ulur nga data e zgjedhjeve dhe as PD-ja nuk ngelet e penalizuar për shkak të procedurave.
Lëvizja e djeshme e PAA-së duket se është më korrekte ligjërisht për zgjidhjen e krizës politike. Pa hyrë në detaje që kanë të bëjnë me vullnetin politik të palëve, Agron Duka ka dhënë një mundësi për zgjidhje juridike të ngërçit politik. Nëse Kolegji vendos pro kësaj kërkese, atëherë palët fitojnë më shumë kohë për negociata dhe arritjen e një marrëveshjeje politike, ku opozita hyn në zgjedhje.
Nëse Kolegji nuk e pranon atëherë mbetet që kriza vazhdon dhe palët të shkojnë në përplasje, nëse amerikanët nuk arrijnë të bindin palët për konsensus. Por informacionet nga selia e PS-së tregojnë se edhe vetë Kryetari i PS-së, Edi Rama është dakord në heshtje që Kolegji Zgjedhor t’i japë udhë shtyrjes së zgjedhjeve, pra që ta rrëzojë juridikisht datën 18 qershor, por vetëm që PD të bindet për t’u futur më pas në zgjedhjet e shtyra. Mendohet se, ato mund të shtyhen për nga fundi i korrikut.
Fati i zgjedhjeve tashmë mbetet në dorën e Kolegjit Zgjedhor, por me iniciator Agron Dukën.
Qamil Xhani