Fatmir Xhafaj: Kanabisi, histori turpi dhe kriminale
Nëntë ditë pasi Edi Rama firmosi largimin e tij nga detyra, ministri i Brendshëm në detyrë Fatmir Xhafaj mblodhi dje drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë për t’i falënderuar për bashkëpunimin gati një vjeçar. Fjalimi i djeshëm nuk ishte vetëm bilanc dhe falënderim për policinë, por edhe mesazh për kryeministrin Edi Rama dhe ata që në PS e politikë e kanë parë me rezerva punën e Xhafaj.
Mesazhet për kryeministrin nuk munguan nga ministri në detyrë. Që në fillim, Xhafaj ju referua luftës kundër hashashit duke e krahasuar me vitet e mëparshme, por pa bërë dallime mes qeverisë së PS dhe atyre të mëparshme. “Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen“,- tha Xhafaj.
Kjo deklaratë korrekte për punën e policisë gjatë vitit të fundit, ka brenda saj jo pak helm dhe vrerë, së pari ndaj kryeministrit Edi Rama, por edhe ndaj paraardhësit të Xhafajt në detyrë, ish-ministrit Saimir Tahirit. Të dy, Rama dhe Tahiri, kanë deklaruar se hashashi nuk ishte një fenomen i qeverisjes së tyre, por ishte prezent dhe në qeverisjen e PD. Edi Rama ka deklaruar më herët se qeverisja e tij nuk ka pasur probleme me hashashin dhe gjithçka ishte sajesë e opozitës. Por sot ministri në detyrë nuk bëri asnjë dallim mes qeverisjes së Ramës me Tahirin në vitet 2013-2016 dhe qeverisjes së PD. Madje shkoi edhe përtej luftës pozitë-opozitë duke theksuar se kanabisi ishte kthyer si një fenomen normal. “Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit e shoqërisë ta fitonin betejën me të”,- deklaroi Xhafaj. E vetmja kohë kur kanabisi quhej normalitet gati i ligjshëm dhe dihej se po financonte grupet kryesore kriminale është periudha kur ministria e Brendshme drejtohej nga ai që Edi Rama e quante ministri më të mirë të kabinetit të tij, Samir Tahiri. Duke e quajtur një histori të turpshme çështjen e kanabisit, Xhafaj indirekt i ka kujtuar Ramës dhe të tjerëve në PS se janë pjesë e kësaj strategjie kur hashashi cilësohej normalitet.
Por kritikat dhe mesazhet e Xhafajt ndaj Ramës dhe të tjerëve që u gëzuan kur u “dorëhoq” nuk u mjaftuan me kaq. Një nga aksionet kryesore që Xhafaj përmendi për kohën që drejtoi ministrinë e Brendshme është ai i arrestimit të krerëve të bandave në vend. Xhafaj tha se në pak kohë policia arrestoi drejtues bandash që shumë të tjerë kishin frikë tu përmendin dhe emrin dhe jo më t’i çonin në burg. Aludimi është i qartë se kujt i drejtohet. Opozita nuk ka thënë ndonjë herë se në Shqipëri nuk ka banda, përkundrazi ka 6 vjet që thotë se krimi është bërë njësh me qeverinë. Ata që kanë deklaruar se në Shqipëri nuk ka krim të organizuar janë kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Saimir Tahiri. Kreu i qeverisë deklaron sa herë ka mundësi në media se shifra e 40 grupeve kriminale që ka prezantuar Fatmir Xhafaj është “paksa e ekzagjeruar, pasi Shqipëria nuk ka kaq shumë banda”. Ndërsa Saimir Tahiri në daljen e fundit për mediat tha se ishte “skandalizuar nga deklarata e Xhafajt për 40 grupe kriminale, sepse “Shqipëria nuk ka kaq shumë krim”. Por Xhafaj shkoi më larg se kaq kur foli hapur për përfaqësues bandash që ishin bashkë me përfaqësuesit e shtetit. “Ata anëtarë të botës së krimit që deri dje ndiheshin si zot shtëpie në rrugët e qyteteve tona dhe sfidonin hapur shtetin në jo pak raste, sot kanë kuptuar se ka marrë fund koha kur ata mundet ta sfidonin atë, apo më keq akoma të ishin në ndonjë rast në një anë me përfaqësues të shtetit”,- deklaroi ministri në detyrë.
Ministri në detyrë edhe dje nuk tha zyrtarisht se cilat ishin arsyet konkrete që e detyruan të jepte dorëheqjen. Por në tërësinë e mesazheve mes rreshtave gjendej dhe përgjigja jo thjesht e ministrit, por e politikanit Xhafaj teksa tha se në politikë ka njerëz që e duan karrigen për pasuri, pushtet dhe forcë dhe të tjerë që e duan për të shërbyer.
Ramës ia adresoi këtë mesazh?! Ndaj kryeministri sot don ta shkarkoj me ceremoni në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, kur fare mirë mund ta votonte dekretin ditën e enjte në seancë normale.
Shahu në PS sapo filluar!
S.P.