Fillojnë protestat kundër Qeverisë, nuk pyesin për “ligjin e luftës” së kryeministrit
Zemërimi dhe varfëria sa vjen e rritet ndaj qeverisë. Të mbyllur brenda me dhunë vetëm që qeveria të dalë e suksesshme në botë se nuk ka shumë të vdekur nga koronavirusi, ndërkohë që duhej rritur numri i testimeve të qytetarëve për të izoluar sa më shumë zonat e infektuara, pra qindra njerëz parmbrëmë vonë dhe dje dolën në protesta. Në kundërshtim me ligjin e kohës së pandemisë, që nuk lejon asnjë dalje nga shtëpia apo në protesta, zona e lagjes nr.5 në Tiranë dhe dje naftëtarët dhe qytetarët e Fierit guxuan dhe thyen ligjin e Ramës për t’u mbyllur brenda. Ata dolën se nuk kanë punë, nuk paguhen, nuk kanë ushqim dhe garanci jetese për familjet e tyre si dhe kurkush nuk iu jep zgjidhje, ndaj ata dolën me forcën e zemërimit të shpirtit.
Policia dje përdori dhunën, ndërkohë që parmbrëmë u tregua e kujdesshme. Disa janë ndaluar nga policia se pse dolën e protestuan para kryeministrit Rama që po vizitonte qytetin e Fierit. Protestuesit nuk reaguan se pse kryeministri ka shkuar në Fier, por donin ti bënin thirrje atij se janë pa rroga, pa punë dhe asnjë të shpresë për jetesë normale. Këtë donin ti thonin ata kryeministrit të vendit, por ai nuk duroi ti prishnin fotot dhe videot nëpër qytet ku donte të dilte se po viziton popullin. E më pas, mediat e tij ta nxirrnin lajm të parë se kryeministri shkoi mes pandemisë në qytetin e Fierit për ti ndihmuar. Protestuesit kërkuan pagat e pa dhëna nga ndërmarrjet; ata ishin naftëtarë, tashmë pa asnjë të ardhur financiare ose siç thuhet të mbetur në mes të katër udhëve.
Edhe në Tiranë protestuesit dolën në mbrëmje, duke sfiduar qeverinë, pasi donin ndihma, punë, pagat e luftës të premtuara nga qeveria. Nuk kishte opozitë në krye të tyre as në Fier e as në Tiranë. Si rregull duhej të kishte, por edhe ata kanë frikë nga pushteti i kryeministrit. Protestuesit nuk dolën për të përmbysur qeverinë apo për zgjedhje politike. Ata thjesht protestuan për hallet ekonomike. Ata guxuan dhe sfiduan pushtetin. Edhe e frikësuan Rilindjen, e cila në mes të pandemisë në vend që të jap lekë për familjet në nevojë, firmosin koncensione për 30 vite. E tha bukur ish-ministri Bushati në sallën e Kuvendit se PS është kthyer tashmë në parti të biznesit e jo të fukarasë apo biznesit të vogël e të mesëm që ka për mision.
Qytetarët kanë pranuar të bëjnë sakrifica duke u izoluar për dy muaj sipas urdhrave dhe tekave të qeverisë. Nga ana tjetër, qeveria përveçse nuk ka marrë masa në përballimin e situatës kërkon ta shesë ketë pandemi edhe si sukses i aftësive të saja menaxheriale. Në mënyrë tallëse, teksa thotë se askush nuk lejohet të dalë nga shtëpia dhe as të bëjë protesta, tubime apo aktivitete tjera, urdhëron që të mbahen zgjedhjet për universitetet në kohën e pandemisë. Rrëmuja që sjellë koronavirusi duket se është koha më e mirë që qeveria të fus duart edhe të autonomia e institucioneve të pavarura, siç janë universitetet. Me justifikimin e pandemisë, po kalojnë me nxitim edhe kontrata koncesionare në Parlament. Më argumentin se jemi në fatkeqësi natyrore institucionet po mbyllin sytë para ligjit dhe po miratojnë tendera sekretë që e thënë shqip, janë vjedhje. Vëmendja e qeverisë dhe shtetit këto kohë nuk është te problemet e mbijetesës që u kanë rënë në kurriz sot shqiptarëve. Është e pafalshme që edhe në këto ditë të vështira, tema e ditës së qeverisë janë koncesionet, tenderat dhe projektet që nuk u shërbejnë qytetarëve, por vetëm një grushti njerëzish afër pushtetit. Ndërkohë pjesë tjetër e qytetarëve po trajtohen si njerëz të kategorisë së ulët që ose u jepet lëmoshë ose nuk llogariten fare si shtetas të Republikës. Qytetarët e kuptojnë mashtrimin dhe kanë nisur të reagojnë ndaj talljes që po bën qeveria. Njerëzit duan ndihma reale nga shteti dhe nuk mund të ushqehen me propagandë.
Të frikësuar se mos vala e protestave për problemet ekonomike të mbijetesës dhe kërkimit për një shpresë për familjet e tyre mund të zgjerohet nga Tirana e Fieri në të gjithë vendin, nga dje kryeministri ka urdhëruar forcimin e masave policore. Por edhe policët janë familjarë e hallexhinjë dhe nuk mund të vendosin dorë mbi qytetarët që kërkojnë të punojnë e të jetojnë.