Fituam! Tani ç’të bëjmë?
Nga Frrok Çupi.
Fituam!…. Kësaj here fituam një lojë futbolli, të rëndësishme, padyshim. Me këtë lojë fituam të drejtën që të shkojmë në Francë për një lojë tjetër futbolli…
Sidoqoftë, fituam.
Festa ishte akoma më e madhe se fitorja. Në aeroportin e Rinasit, në sheshin "Nënë Tereza", në selinë e qeverisë, në selinë e Presidentit, në bulevard… Dje, pardje, një ditë para se pardje.
Dje festuam për ardhjen e fitores. Pardje fetuam për fitoren. Para dy ditësh festuam pse "fituam mbi popullin" e egër që "do të bënte terror kundër serbve". Bashkë me këtë "fitoi qytetaria!'. Këto u thanë të gjitha në podiume dhe ekrane, po prej qeverisë.
Dje u tha edhe një budallëk tjetër nga një udhëheqës, kryetar i Bashkisë së Tiranës. U tha se "tani shqiponjat bëhen gati të shtegtojnë drejt Parisit". Udhëheqësi nuk di as a-në, nuk di se shqiponja nuk është dallëndyshe dhe nuk ështe në familjen e shtegtarëve! Festa erdhi dhe po ikën si një marrëzi.
Por fituam!…
Tani çfarë të bëjmë?!
Të gjithë ata që nuk kanë çfarë bëjnë, pyesin "çfarë të bëjmë?".
Kemi prapë fitore… ja që kemi çfarë bëjmë. Kemi përpara 25 Tetorin- festën e Dritave, kur Partia mëmë e këtyre që "fluturojnë si shqiponja" elektrifikoi gjithë vendin në vitin 1972. Disa kanë festën e lindjes së diktatorit, më 16 Tetor, ndërsa disa të tjerë kanë festën e fitores mbi diktatorin. (Njësoj si festa pro, dhe festa kundër; mendja humbet njësoj). Po përgatiten festat e Nëntorit. Edhe këto- fitore! Fitorja e Luftës solli diktaturën komuniste, por prapë si fitore e festojnë të shtypurit dhe fitimtarët.
Pak para se të vijë Nëntori, me siguri, do të festohet për përmbytjet. Gjysma e Shqipërisë ndodhet nën ujë, e përmbytur nga inondatat e fundit; Fieri, Vlora, Lushnja, Gramshi, Skrapari, Erseka, Lezha… Dje, një nënë fierake u gjend në mes të ujit deri në grykë dhe kërkonte ndihmë; një fëmijë gjashtë muajsh u mbulua nga uji në krevat; një tjetër njeri vdiq nën ujë. Dje, teksa festohej fitoreja në selinë e qeverisë.
Prapë do të kemi fitore! Pas disa ditësh qeveria do të festojë fitoren pse nuk u mbytën aq shumë njerëz nga përmbytjet e fundit, dmth., më pak se sa aq…. Askush nuk e di sa.
… Ja pra që kemi ç'bëjmë kur nuk kemi ç'bëjmë.
Ka një lidhje të fuqishme mes fitores dhe vanitetit. Gjithë historia e boshllëkut dhe e të keqes i ka rrënjët në Fitore.
Po të kishim çfarë të bënim, nuk do të linim kokën pas fitores. Do të fitonim lojën e sportit e do të shkonim në punë. Por punë nuk ka. Këshilli i Europës në raportin e djeshëm tha se në Shqipëri ka rënë dramtikisht shifra e punësimit; nga 11 përqind që ishte (kur ishte keq), në diku te 4 përqind. Nuk ka punë…, atëherë qeveria feston fitoren.
Po të kishim ç'bënim, nuk do të kishim kohë për fitore. Qeveria do të ndodhej në vendin e fatkeqësive të popullit, aty ku janë përmbytur njerëz, shtëpi, mjete, mall e bagëti. Çfarë, të shkojë qeveria atje?.. Qeveria sapo e ka shkurtuar buxhetin për fatkeqësitë e natyrës me 10 përqind më pak që nga viti 2013. Atje nuk ka show, atje nuk vishen kostume klass, atje nuk shfaqesh dot kryeministër mode, atje ka baltë dhe njerëz… Atëherë shpikim fitore në qendër.
Po të mos kishim fitore, atëherë do të zbuloheshin të gjitha. Do të zbulolhej varfëria që është rritur e po rritet. Shqipëria përmendet prej KE si vendi me ekonominë më të rrënuar në rajon. Shpenzimet familjare kanë rënë edhe 3 përqind, nga një nivel shumë i ulët që ishin. Njerëzit mendohen para bukës dhe para ilaçit. Jo para Fitores.
Edhe kur nuk ka fitore, fitorja sajohet.
Jemi një nga popujt që kemi vuajtur më shumë se kushdo prej fitoreve. Diktatori Hoxha e kishte personalizuar fjalën "fitore" dhe e thoshte ndryshe nga të gjithë, e thoshte jo "fitore", por "fitorje". Dukej si metali i shpatës që lëmohet prej përdorimit.
Kemi humbur jetë duke fituar. Kemi fituar mbi borgjezinë; mbi armikun e klasës; mbi vëllezërit armiq; mbi prindërit fanatikë; mbi kultin; mbi Zotin; mbi dëshirën për jetë të mirë; mbi barin; mbi inteligjencien; mbi liberalët; mbi ballistët e nacionalistët; mbi Perëndimin.
Regjimet e mbrapshta totalitare lindën mbi bazën e fitores. Qysh ditën e parë kur u ngjiz komunizmi, qysh atë ditë fjalët e para ishin "Fitore e diktaturës së proletariatit". Vetë Marksi dhe Englësi e gjetën të formuluar tezën e fitores që shkatërron njeriun. Joseph Weidemeyer, bashkëkohës i Marksit, e kishte formuluar që në vitin 1845. Këta tanët që thonë se festojnë si të moderuar, në fakt janë aq të vjetër sa oficeri dhe gazetari Weidemeyer. Veçse teoricieni i Fitores së proletariatit e tha hapur se "nuk fitojnë të gjithë, por fitojnë veç disa". Disa fitojnë e disa shtypen përmes fitores së të tjerëve.
Këtu është ngushtuar shumë numri i të fituarve. Me fitoren fitojnë veç një grusht njerëz, ndoshta veç kryeministri me të tijët. Të tjerët i ha fitorja.