Flamuj dhe dele
Nga Frrok Çupi.
Nuk i shikoni si iu kanë zënë rrugët?! Sa flamuj edhe dele, sa dele edhe flamuj….
Sa larg duken, në pamje të parë, por sa afër kanë ardhur në këto ditë të fushatës zgjedhore për qverisjen lokale!
Kudo flamuj. Flamuj me kuintal. Një so- called analist justifikoi flamujt e partisë dhe tha "haj mo, se të lirë i kanë blerë, në Kinë". Të tjerë bezdisen deri në neveri.
Ai që mungon më shumë është flamuri kombëtar. Të tjerët janë me shumicë; të tjerët, dmth., flamujt e partive. Partitë më të pasuruara me xhepin e qytetarëve, dmth., të popullit, kanë ngritur më shumë flamuj. Ata që vjedhin më shumë, shfaqen më fuqishëm; dhe, ata që shfaqen më fuqishëm ushtrojnë presion mbi popullin e grabitur. Që ditën kur u hap lajmi se me 21 qershor do të zhvillohen zgjedhjet për qeverinë lokale, flamuri i LSI nisi të pushtojë rrugë, sheshe, male, shtylla, kryqëzime, puseta, degë pemësh, trotuare dhe skerka. Kjo është partia më e pasur!, thanë njerëzit menjëherë.
– Këta që vjedhin për flamuj e për vete, vallë pse nuk po vjedhin edhe për mua?!
Kjo është psikoza që shoqëron njeriun e mjerë të turmës në këtë fushatë zgjedhore. Voto për atë që sundon më fort, për atë që ka vjedhur më shumë! "Në një turmë mbizotëron gjithmonë e pavetëdijshmja", shkruan filozofi Gustave Le Bon. Pastaj ai shkruan me sinqeritet se në turmë mblidhen veç njerëzit budallenj, kurrë njerëzit e mençur.
… Ja kështu, pak nga pak, gjithë vendi është mbytur në flamuj. Përveç flamurit të kombit, të gjithë flamujt e tjerë po iu nxjerrin sytë njerëzve. Në dy sense të kundërt: Njerëzve të turmave po iu zënë sytë nga lumturia për "partinë tonë të fortë"; ndërsa të tjerëve po iu zë sytë mungesa e një shprese qytetërimi real që fshihet pas flamujve mashtrues.
Po shfaqet absurdi. Flamujt e klaneve kanë zënë vendin e flamurit të kombit. Më duket se shikoj flamuj piratësh. Kush vjedh më shumë, ky ka më shumë flamuj. Kush është më i fortë, këtij i përulen njerëzit dhe i japin votë.
Vetë Zigmund Froj do të ishte i mahnitur me realen që vjen prej ideve të tij. Ideja e tij se "Totem dhe Tabu shoqëron jetën e njerëzve të prapambetur", duket se se është instaluar në fushatën zgjedhore.
Flamuj dhe dele, ose totemë dhe tabu! Herë njëra anë bëhet totem, e herë tjetra kthehet në tabu. Dele dhe flamuj para syve të turmave. Nuk po them veç për rrugët e gjata të militantevë mbushur me flamuj e dele. Kush ka blerë shumë flamuj, domethënë se ka shumë mashtrim dhe poshtërim për njerëzit. Ky është totemi. Ose kjo është tabuja.
LSI, partia më shumë e pasuruar me fondet publike, ose me djersën e popullit- siç thoshte fjalori komunist, e ka kthyer delen në totem . Totem i varfërisë dhe i poshtërimit njerëzor "poshtë perëndisë" së vjedhjes.
Para pak ditësh, teksa po ngrinte flamujt e pafund, LSI mblodhi mijëra dele. Veç në një rast mblodhi dhe theri dymijë dele. Delet i nxorën në fotografi para therjes. Njësoj si para gjyqit, ose njësoj si në praktikat e Shtetit Islamik sot. I nxorën në fotografi, të gjitha mbanin në shpinën e tyre logon me të kuqe "LSI". Mu duk makabre, por politika i bën edhe këto. Sidomos politika e të fuqizuarit me flamuj e dele, ose me totem dhe tabu.
Udhëheqësit e shtetit, që tashmë quhet LSI, i theri mijëra dele dhe i ndau si mish nëpër familje të uritura. Me secilën dele, LSI ka blerë qindra vota.
Kudo është përhapur lajmi se LSI po blenë vota. Blejnë vota me thasë mielli, me pantallona blue- jeans, me pesëmijë lek, me tremijë lek, me njëmijë lek. Votën e kanë nxjerrë në treg, dmth., njeriu nuk ekziston më me shpirtin dhe vullnetin e tij. Po i blejnë. Në njëfarë mënyre ky është më shumë fenomeni "Dele".
Totemi kreu dy krime të mëdha:
I pari,
se e vuri njeriun përposhtë, i uli kokën dhe dinjitetin, i tha se "ti nuk meriton më shumë, ti njeriu meriton veç pak mish deleje". Njeriu nuk ka më nder dhe nuk ka më të drejtë! Kjo është çfarë solli totemi politik mes turmave njerëzore. Po blihet vota e popullit me para të vjedhura nga populli. Popullit nuk i vjedhin veç aq pak sa për të blerë dele; por i vjedhin gjithçka dhe i therrin një dele.
Krimi i dytë,
se nën mburrjen e flamujve, njerëzit i vunë në radhë si delet. Edhe për këtë ka shkruar Gustave Le Bon. Ai thotë se politika sunduese e sundimtarëve të kohës ka për qëllim që t'i barazojë njerëzit, t'u ulë kokën dhe t'i kthejë në dele.
Këta kanë poshtëruar edhe legjendat antike për delen. Delet erdhën bashkë me zotin, sipas legjendës në Kinë. Këto u ngurtësuan, ndërsa zoti shkoi andej nga erdhi, në qiell. Duket se delja qe një shëmbëlltyrë e të Naltit që u ngurtësua këtu mes nesh. Ndërsa këta duan të poshtërojnë edhe delen edhe njeriun.
… Kështu është mbushur gjithë atmosfera tani: Flamuj dhe dele. Më e keqja se njerëiu nuk po dallohet qartë ku është.