Fshehe taksat? Tre vjet burg !
Prej 10 ditësh administrata tatimore dhe doganat janë hedhur në një aksion kombëtar kundër informalitetit. Regjistrimi i bizneseve, pagesa në kohë e taksave, sigurimi i punonjësve janë tre nga shtyllat kryesore ku institucionet po mundohen që të vendosin rregull në gjithë sektorët e ekonomisë së vendit. Në 10 ditë, ka një bilanc pozitiv të aksionit. Si rrallëherë, bizneset, edhe ato më të voglat, kanë nisur të japin kuptonin tatimor. Ndërkohë që në zyrat e regjistrimit të sipërmarrjeve mijëra biznese kanë nxituar të plotësojnë çdo kriter që parashikon ligji. Por sado policë tatimorë të jenë në terren është e pamundur të disiplinohet një ekonomi që prej 24 vjetësh mbijeton në amulli të plotë.
Për të mos lejuar që sjellja shembullore e bizneseve me kuponat këto ditë të përfundojë me mbarimin e aksionit, Këshilli i Ministrave ka vendosur ashpërsimin e masave duke futur në Kodin Penal veç gjobave edhe dënimin me burg për administratorët e bizneseve që shkelin ligjin duke kryer evazion fiskal. Kështu, qeveria ka dërguar në Parlament një draft, i cili amendon Kodin Penal, duke ashpërsuar masat ndëshkuese për veprën e evazionit. Pika kryesor e ndryshimeve në Kod ka të bëjë me fshehjen e të ardhurave dhe pagesën e taksave, ose siç njihet ndryshe, evazion fiskal. Fshehja e të ardhurave edhe me kodin aktual klasifikohet tek veprat plenale. Por ligjvënësit kanë krijuar hapësira që dënimi me burg të kompensohet me gjobë. Me ndryshimet e reja në ligj, të cilat pritet të diskutohen në Kuvend, sipërmarrësit dhe administratorët e kompanive që kryejnë shkelje, dënohen automatikisht vetëm me burg, deri në dy vite.
Duke e konsideruar si prioritet luftën ndaj informalitetit, qeveria ka klasifikuar si vepra penale edhe 4 shkelje të tjera që kanë të bëjnë me taksat dhe tatimet. Drafti i ri shton një paragraf të posaçëm në nenin 180 të Kodit Penal. Sipas propozimit të qeverisë, me ndryshimet e reja në ligj do të klasifikohen si vepra penale edhe 4 shkelje të tjera tatimore. Kështu, për ushtrim të aktivitetit tregtar të paligjshëm, mosregjistrimi në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve dhe moslëshimi i kuponit tatimor, abuzuesit do të dënohen deri në 3 vite heqje lirie.
Ndryshimet në ligj nuk parashikojnë vetëm masa të rrepta për sipërmarrësit dhe bizneset, por edhe për administratën tatimore. Madje, për këta të fundit ndëshkimet me burg janë edhe më të rënda. Sipas propozimit, punonjësit e organeve fiskale, të cilët nuk kryejnë detyrën, që lidhet me vjeljen brenda afatit të caktuar ligjor të taksave dhe tatimeve, do të dënohen deri në 7 vite burgim, pavarësisht shumës së dëmit. Një tjetër penalitet në Kod që ka të bëjë me bizneset është dhe për ata që tregtojnë naftë apo benzinë, jashtë standardeve të cilësisë. Sipas draftit, tregtimi dhe hedhja për konsum e nënprodukteve të falsifikuara të naftës do të dënohet me burg. Gjithashtu, masa më të rrepta ndëshkuese do të ketë dhe për kontrabandën e mallrave dhe shmangien e pagesës së akcizës.
Ndryshimet ligjore janë paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili në nisje të aksionit kundër informalitetit deklaroi se ligjet ekzistuese lënë hapësira për abuzime.
Nisma e re e qeverisë pritet të krijojë jo pak debate në Kuvend. Opozita ka kundërshtuar operacionin kundër evazionit duke argumentuar se masat duhen të jetë të ashpra tek kontrabanda dhe jo tek tregtarët e thjeshtë që kanë fitime modeste. Nga ana tjetër, pas ndërtimeve pa leje dhe vjedhjes së energjisë, kjo është nisma e tretë e qeverisë që ashpërsohet me masa më të ashpra në Kodin Penal. Penalitetet mund të jenë të ashpra dhe fjala ‘burg’ rezulton se është përdorur shumë nga kjo mazhorancë. Por nëse kemi parasysh se flitet për ndërhyrje në ekonominë e vendit, ku shkalla e abuzimit nga bizneset është miliarda lekë, dënimi penal është mëse i domosdoshëm, por jo në këto masa. Mund të jetë më i vogël si masë ndëshkuese. Në të vertetë ka shumë biznese që kanë abuzuar prej vitesh në kurriz që qytetarëve dhe shtetit duke abuzuar jo vetëm me cilësinë e standardet e mallrave, por edhe me pagimin e taksave.
Masa shtërnguese qeveritare janë të nevojshme , porse duhet më përpara që të krijojë kushte normale e të barabarta për konkurencë. Masat e tilla ,që parashikohen të miratohen,kanë nevojë të mbahen për disa vite derisa të krijohet edukata , natyrisht me “dajak”, që taksat janë detyrim nga çdo qytetar. Ndërkohë kjo masë kërkon edhe një qeverisje më të mirë, një administratë profesionale e të pakorruptuar. Nëse qeverisja mungon atëhere shkohet drejt një shteti diktatorial që merr taksa e nuk jep shpresë e zhvillim ekonomik. Kjo është e rrezikshme !