Gazeta më e madhe gjermane “Bild”: Rama e ka kthyer Shqipërinë në shtet mafioz
Në një artikull tepër të ashpër e përditshmja gjermane “Bild” godet kryeministrin e Shqipërisë për dështimet në qeverisjen e vendit.
Mjete shpërthyese dhe bomba tymi në rrugë, demonstrata masive çdo javë: Shqipëria po fundoset në kaos. Gjatë protestave kundër qeverisë shqiptare ditëve të fundit në Tiranë janë zhvilluar beteja të vërteta në rrugë, shkruan “Bild”. Demonstrues të opozitës kanë goditur me koktej molotovi, eksploziv dhe kavanozë me ngjyrë kundër selisë së kryeministrit Edi Rama. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa ujëhedhës. Dhjetëra policë dhe demonstrues u lënduan.
Çfarë po ndodh në këtë shtet të Ballkanit? Tani edhe pjesa tjetër e kontinentit po e sheh se diçka nuk shkon në këtë vend, i cili ishte komplet i izoluar nën diktaturën e kohës së gurit të Enver Hoxhës mes viteve 1944-1985. Në vitin 2017 BE ka vendosur të hap negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. “Pikërisht me Shqipërinë! Pikërisht me një shtet mafioz”, thekson gazeta gjermane. Shqipëria, sipas “Bild”, është shembull shkollor i një shteti kaotik në duar të gangsterëve: tashmë një vit opozita ka braktisur parlamentin – në shenjë proteste kundër korrupsionit dhe blerjes së votave nga ana e qeverisë. Qe dy vite nuk ka Gjykatë Kushtetuese – dhe Kushtetuta e vjetër nuk është në fuqi, e reja nuk ka hyrë në fuqi.
Në vitet e fundit kryeministri Edi Rama ka qenë i shtyrë të largojë nga posti dy ministra të Brendshëm: Fatmir Xhafaj dyshohet të jetë pjesë e mafies së drogës, e cila e “mban në grusht vendin dhe gjysmën e Europës”. Saimir Tahiri po përballet me një aktakuzë – vetëm politika mund ta bllokojë procesin gjyqësor.
“Bild” thekson se edhe vetë kryeministri Edi Rama rregullisht përmendet si i lidhur me trafikun e drogës. Opozita e akuzon se me para të drogës ka blerë vota. Thuhet se një bisedë e përgjuar e dëshmon këtë. Më 11 shtator 2016 Rama i telefonoi shefit të një zyre elektorale rajonale për të pyetur nëse gjithçka kishte shkuar “sipas marrëveshjes” gjatë zgjedhjeve. Ai u përgjigj: “Po, shef, gjithçka sipas marrëveshjes”. Në Shqipëri ky rast është i njohur si “Dosja 184”.
Akuzën e blerjes së votave e ngre edhe ish-ministri i Drejtësisë i Ramës, Ylli Manjani. Manjani, një profesor i respektuar i drejtësisë, i tha “Bild”-it: “Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë konfirmuar se ka pasur blerje masive të votave”. Ish-ministri thotë se pas kësaj qëndron një projekt i përbashkët i Ramës dhe mafies. “Qeveria e mbron mafien dhe mundëson bizneset e drogës. Si kundërshpërblim bandat dhe klanet blejnë vota për qeverinë”. Dikur Manjani kërkoi një luftë kundër trafiqeve të drogës – dhe nuk e përjashtonte edhe angazhimin e ushtrisë në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s. Pas këtij propozimi ai u dëbua nga posti në janar 2017.
Gazetari hulumtues Besir Çollaku tha: “Nën Edi Ramën kemi një rritje eksploduese të mbjelljes së drogës në Shqipëri”. Sipas vlerësimeve të shërbimeve sekrete perëndimore më shumë se 70 për qind e kanabisit të shitur në Europën perëndimore dhe jugperëndimore vjen nga Shqipëria.
Policia shqiptare konsiderohet e korruptuar, sidomos niveli komandues. Disa nga krerët e policisë dyshohet të jenë të lidhur me mafien – sipas paralajmërimeve nga bota e jashtme. Policët shqiptarë që vërtet hetojnë politikanët dhe policët e dyshimtë, futen në burg apo mbahen në arrest shtëpiak. Disa kuadro të lartë të policisë shqiptare kanë fituar azil politik në Zvicër, Itali, Holandë dhe Finlandë. Njëri ndër ta është Dritan Zagani, dikur shef i policisë kufitare në Vlorë dhe drejtues hetimesh në policinë e anti-drogës. Zagani u mbajt në burg gjashtë muaj, pastaj në arrest shtëpiak, pasi kishte informuar shefat e tij mbi indikacionet se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me rrjetet e drogës. Falë policëve dhe agjentëve italianë Zagani arriti të largohet nga Shqipëria bashkë me familjen e tij. Ai i tha gazetës “Bild”: “Vendi im është shtet mafioz. Qeveriset nga mafia”.