Gishtat e thyer të 18 vjeçarit Daniel Drobaj
Gjykata e Tiranës la dje në burg pa afat 18-vjeçarin, Daniel Dobraj. I riu akuzohet se në protestën e ditës së enjte para Parlamentit, kundër shembjes së ndërtesave të Unaza e Re, plagosi efektiven e forcave “Shqiponja” Ina Nuka me kapsollë. Efektivja e policisë humbi gishtin e dorës së djathtë nga shpërthimi i kapsollës dhe ndodhet për kurim të specializuar në Turqi. Prokuroria disa ditë më herët deklaroi se kishte prova filmike që faktojnë se kapsolla që plagosi policen u hodh nga Drobraj, por në seancën e djeshme këto prova nuk u paraqitën. Procesi ndaj 18-vjeçarit tregoi para opinionit deklaratat e bëra disa ditë më parë nga banorët e Unazës së Re, të cilët folën për dhunë dhe tortura nga ana e Policisë së Shtetit.
Në seancën e djeshme, Daniel Dobraj u shfaq para kamerave me dorën e djathtë të fashuar. Ai tha para gjykatës se në momentin e arrestimit dhe më pas në qelitë e komisariatit efektivë të policisë kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Drobraj deklaroi se policët e kanë qëlluar në gishtat e dorës së djathtë, me qëllim thyerjen e tyre, në shenjë hakmarrje për plagosjen e polices, koleges së tyre.
Këto deklarata të Dobraj u konfirmuan dhe nga avokati i tij, i cili tha se 18-vjeçari është dhunuar “me shkelma, grushte dhe është rrahur në komisariat nga oficerët e policisë”. Avokati u shpreh se i riu është arrestuar në momentin që familjarët po negocionin për dorëzimin e tij dhe jo siç deklaron policia se u kap në flagrancë. Në nisje të seancës, në pak minuta që mediat u lejuan të ishin të pranishme, Daniel Dobraj tregoi nga kamerat dorën dhe tha se nuk mund të lëvizte disa gishta për shkak të dhimbjes së ardhur nga rrahjet në polici. Ndërkohë gjykata nuk pranoi dje që gjatë seancës së plotë të ishin të pranishme të gjitha mediat dhe as deputetët e opozitës që kishin shkuar për të ndjekur seancën. Për shkak të këtij vendimi nuk munguan tensionet mes deputetëve të PD-së, LSI-së dhe forcave të shumta të policisë. Të gjithë deputetët që ishin dje në Gjykatë deklaruan se dhuna ndaj 18-vjeçarit ka ardhur si pasojë e një vendimi politik për të ndëshkuar protestuesit. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se dje se rrahja e të riut është një akt primitiv hakmarrje që është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama. “Ja si i thyen studentit të shkëlqyer Daniel Drobaj gishtërinjtë, në një akt primitiv hakmarrje, narkos-it me urdhër të Edvin Kristaq Urrejtjes për një akuzë të pa provuar”,- deklaroi dje Sali Berisha në Facebook teksa postoi dhe një foto të të riut me gishtat e fashuar. Ndërkohë në mediat afër qeverisë dje u raportua se të riut nuk i janë thyer gishtat. Një përgjigje zyrtare për thyerjen e gishtave dhe sa është dëmtuar Dobraj mund të jap vetëm raporti mjeko-ligjor, por fakti që i riu është dhunuar nuk mund të fshihet dhe as vihet në dyshim. Dhe rrahja e një të riu në ambientet e komisariateve të policisë është një ngjarje e rëndë që duhet të shqetësojë më shumë qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme. Por edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ambasadat e huaja në Tiranë.
Daniel Dobraj akuzohet për plagosjen e një policeje. Nëse i riu vërtetë e ka hedhur kapsollën dhe verifikohet nga gjykata ai do të marrë dënimin, sipas ligjeve. Në këtë histori nuk ka askush dyshime se kur qëllohet mbi Policinë e Shtetit që është në detyrë, duhet të vuash dhe pasojat. Kjo është ajo që ndodh në çdo shtet normal, pavarësish motiveve që e çuan të riun dhe banorët e tjerë të Unazës së Re në tubim dhe pavarësisht faktit se policia e shtetit atë ditë kishte shkuar si për festë dhe jo për miting të dhunshëm. Por dënimi ligjor i fajit nuk i jep të drejtë as policisë dhe akujt tjetër që të bëjë hakmarrje personale mbi një të burgosur. Plagosja e një vajze të re police është një ngjarje që tronditi opinionin, kolegët dhe eprorët e saj, por rrahja gati barbare të 18-vjeçarit në komisariat e bën të duket policinë jo si institucion shtetëror, por si organizatë që vepron me Kanun.
Rasti i Dobraj i shtohet dhunës së ushtruar, para mediave, ndaj protestuesve të tjerë ditën e enjte. Të gjithë ishin dëshmitarë sesi para Parlamentit u rrahën gra dhe të moshuar. Më pas, të njëjtat forca policie shkuan dhe në Spitalin Ushtarak dhe i arrestuan gjatë kohës që ishin duke u kuruar. Për të mos folur më pas për arrestimet e pensionistëve që shanë kryeministrin Edi Rama. Shqetësuese është se për të gjitha këto raste flagrante, përveç disa deputetëve, nuk ka folur asnjë nga institucionet që ka detyrë respektimin e të drejtave të njeriut. As Avokati i Popullit dhe as qindra shoqata të shoqërisë civile që fondet nga BE i marrin për të ruajtur të drejtat e njeriut.
Gjatë 23 ditëve të protestës së banorëve të Unazës së Re janë arrestuar dhe shoqëruar rreth 130 qytetarë. Prokuroria thuajse ka ngritur padi në të gjitha rastet, por nuk ka asnjë padi për dhunën e policisë ndaj tyre.
Fajtori për policen duhet dënuar me vendim gjykate dhe jo me dru e dajak në komisariatet e policisë së shtetit.
Q. Xhani