Gjermania ngel në klasë Ramën, nuk ka negociata me Shqipërinë

Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut për integrimin në BE. Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth: “Në dhjetor nisim negociatat vetëm me Shkupin”. Ky qëndrim vjen pasi Qeveria “Rama” përkeqësoi situatën me ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe rrëzimin e marrëveshjes politike të 5 qershorit. Aktet e fundit të PS, mosplotësimi i kërkesave që lidhen me luftën ndaj krimit, ndëshkimin e manipuluesve të votave, korrupsionin si dhe mos ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë që Shqipëria të hiqet nga agjenda e integrimit për presidencën gjermane të BE.

Më 24 mars Këshilli i Ministrave të BE hapi dritën jeshile për negociatat me Shqipërinë, por duke vendosur që konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE zhvillohej pasi qeveria “Rama” të plotësonte 15 kushtet. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, së cilës iu la një datë për takimin ndërqeveritar në fund të muajit dhjetor 2020, për Shqipërinë nuk ka asnjë afat, por vetëm një listë të gjatë me detyra shtëpie. Gjashtë muaj pas vendimit të BE për kushtet, Shqipëria duket edhe me larg nisjes reale të negociatave dhe përfundimisht pa asnjë datë. Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth në një fjalim për objektivat e presidencës gjermane para Komisionit Europian konfirmoi se në fund të muajit dhjetor do të nisin negociatat zyrtare me Maqedoninë e Veriut. Roth, kërkoi nga vendet e tjera të BE dhe fqinjët e Maqedonisë, Bullgaria dhe Greqia, që mos pengojnë procesin dhe të vendosin kushte shtesë. Ai gjithashtu kërkoi që BE t’a trajtojë Ballkanin Perëndimor “si oborr të brendshëm të saj”. Në fjalimin më të rëndësishëm të ministrit gjerman për Ballkanin dhe presidencës gjermane të BE mungoi Shqipëria. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut u fol më data konkrete dhe Gjermania do të lobojë direkt të vendet anëtare për nisjen reale të negociatave, për Shqipërinë nuk kishte asnjë axhendë.

Në nisje të presidencës gjermane objektivi për integrimin ishte procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vitet e fundit, Gjermania ishte vendi kryesor i BE që loboi që dy shtetet e Ballkanit të mos ndaheshin gjatë procesit të negociatave. Për këtë qëllim, në vitin 2017 ju kërkua qeverisë “Rama” plotësimi i 19 kushteve për hapjen e negociatave.  Mazhoranca socialiste jo vetëm nuk plotësoi kushtet, por thelloi krizën politike me mos ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit elektoral, si dhe me zgjedhjet lokale moniste të vitit 2019. Nga 9 kushte që kishte fillimisht Gjermania keqeverisja e Edi Ramës bëri që në fund të vitit 2019 Shqipëria të ketë 15 kushte për t’u plotësuar. Deri më sot asnjë kusht nuk është plotësuar, madje gjatë këtij vitit kushtet mund të jenë shtuar. Qeveria “Rama” përkeqësoi situatën me ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe rrëzimin e marrëveshjes politike të 5 qershorit. Aktet e fundit të PS, si dhe mos plotësimi i kërkesave që lidhen me luftën ndaj krimit, ndëshkimin e manipuluesve të votave dhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë që Shqipëria të hiqet nga axhenda e integrimit për presidencën gjermane të BE. Konfirmimi zyrtar për dështimin në procesin e integrimit  u dha dje nga Ministri gjerman për Çështje Evropiane, Michael Roth. Gjermania e ka ngelur në klasë Edi Ramën dhe deri në mbyllje të vitit 2020, BE mund të mos e hapë fare kapitullin e negociatave me Shqipërinë.

Deklarata e djeshme e ministrit gjerman nuk është e papritur. Javën që lamë pas Edi Rama zhvilloi një vizitë në Berlin. Qëllimi ishte që të takohej me kancelaren Angela Merkel, të merre një datë për takimin e parë ndërqeveritar Shqipëri-BE dhe sigurisht dhe një foto që do t’a përdorte për fushatën elektorale. Vizita e Edi Ramës rezultoi një dështim total. Kancelarja Merkel nuk e priti si kryeministër të Shqipërisë dhe as si kryesues të radhës së presidencës së OSBE. Ndërkohë drejtues të rëndësishëm të Bundestgut gjerman dhe partive që qeverisin sot në Gjermani në mënyrë demonstrative bojkotuan takimet e thirrura nga lobistët e Edi Ramës në Berlin. Mesazhi i politikës gjermane nuk ka qenë asnjëherë më i ashpër dhe më i qartë se ky ndaj një kryeministri shqiptar. Kreu i qeverisë vizitoi Berlinin dhe të vetmin takim të “rëndësishëm” pati një intervistë me gazetarët e “Deutsche Ëelle”. Pritja e ftohtë që ju rezervua Edi Ramës në Berlin ishte mesazhi i parë për mos pranimin e qeverisë së tij dhe aq më pak të mandatit të tretë që kërkon. Pas refuzimit dhe bojkotit të politikës zyrtare gjermane, dje nga Brukseli ka ardhur dhe sinjali i parë serioz për bllokimin e negociatave. Gjermania dhe Brukseli praktikisht po e thonë qartë që me Edi Ramën në pushtet nuk ka integrim dhe as BE. /Mili Xhani/

 

SHKARKO APP