Gjermania: S’ka negociata me BE nëse prekni KUSHTETUTËN
-Kush, në PS, po nxit rrezikshëm kryeministrin Rama që të armiqësohet me ndërkombëtarët, kur deri dje thëniet e tyre i përdorte në favor të pushtetit të tij? Kush ia do të keqen kryeministrit që e bën të ndryshojë Kushtetutën, duke ia nxirë faqen Edi Ramës në Perëndim? Apo është dikush që synon ta rrëzojë dhe t’i marrë PS-në pas humbjes në zgjedhje? Dje në një lokal në ish-bllok një grup deputetësh të PS dhe që njihen si përkrahës të kryeministrit fërkonin duart dhe thonin: “E hëngri dhe ky si Nano se na çau..”
Tentativa e Edi Ramës për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, në kohë pandemie dhe gjatë vitit zgjedhor, ka shënuar ndarjen përfundimtare të ndërkombëtarëve me qeverisjen e Rilindjes.
Brenda pak ditësh dy qendrat kryesore vendimmarrjes, SHBA dhe Gjermania, kanë reaguar ashpër ndaj tentativës së kryeministrit Rama për të sabotuar konsensusin me opozitën dhe për të prekur kushtetutën. Dje, Nënkryetari të CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Johan Wadephul, ka bërë një nga deklaratat më të forta personalisht kundër Edi Ramës dhe qeverisjes që përfaqëson Rilindja. Politikani gjerman ka kërcënuar në mënyrë të hapur Rilindjen e Edi Ramës se nëse vijon me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë dhe rrëzimin e marrëveshjes së 5 qershorit me opozitën reale, Bundestagu do të bllokojë negociatat me Shqipërinë. Deklarata që vjen nga Gjermania nuk lë asnjë vend për keqkuptim lidhur me qëndrimin që fuqia kryesore e BE ka ndaj qeverisë së Tiranës. Kryeministri po akuzohet jo vetëm si autori kryesor i krizës politike dhe institucionale në Shqipëri, por dhe si njeriu që po mban vendin larg Bashkimit Europian.
Asnjëherë më parë një lider shqiptar nuk është trajtuar me këtë gjuhë të ashpër kërcënuese dhe nuk është akuzuar direkt si njeri kundër Bashkimit Europian. Deklarata të ngjashme nga politikanët gjermanë dhe të BE kundër ndryshimeve të njëanshme kushtetuese janë bërë vetëm për presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyp Erdogan, për presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, si dhe për presidentin e Rusisë, Aleksandër Putin.
Që nga dje, Bundestagu dhe Gjermania që ka presidencën e radhës së BE, e ka futur Edi Ramën në klubin e liderëve problematikë dhe drejtuesve të regjimeve që nuk kanë lidhje me demokracinë. Deklarata e Bundestagut gjerman vjen pak ditë pas qëndrimeve po kaq të ashpra të Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
Diplomatja e SHBA deklaroi se marrëveshja e 5 qershorit mes PS, PD dhe LSI për reformën zgjedhore është çështje e mbyllur dhe duhet të miratohet në Kuvend. Veç qëndrimit kundër ndryshimeve kushtetuese, diplomatja e SHBA dha dhe një mesazh të qartë “pro” ndryshimit të qeverisjes në zgjedhjet e ardhshme duke paralajmëruar largimin e Edi Ramës.
Sinjalet e ndërkombëtarëve dhe zërave serioz mes diplomatëve të rëndësishëm flasin për kurs përplasje që Rilindja dhe personalisht Edi Rama kanë nisur me Perëndimin. Gjermania dhe SHBA e kanë thanë hapur mesazhin e tyre lidhur me Rilindjen dhe largimin e saj, sa më parë me zgjedhje normale. I vetëdijshëm për këtë përplasje me Perëndimin, Edi Rama ka vendosur t’i sfidojë të gjithë duke vijuar më marrëzinë e ndryshimeve Kushtetuese pa konsensus dhe në mes të pandemisë së koronavirusit. Kjo nuk është më lojë pushteti për PS, por një dramë që mund të kthehet në tragjedi për shqiptarët, nëse Edi Rama nuk heq dorë në mënyrë normale dhe pa përplasje me popull.
BE do të bllokojë në formë të prerë vazhdimin e negociatave me Shqipërinë për shkakun e mësipërm, përveç 15 kushtëve të paplotësuara.
Por kokëfortësia e tij në këtë rast lind disa pikëpyetje: Kush në PS po nxit kryeministrin Rama që të armiqësohet më ndërkombëtarët, kur deri dje thëniet e tyre i përdorte në favor të pushtetit të tij? Kush ia do të keqen kryeministrit që e bën të ndryshojë Kushtetutën, duke ia nxirë faqen në Perëndim? Apo është dikush që synon ta rrëzojë dhe ti marrë PS-në pas humbjes në zgjedhje?