Gjinushi dhe Milo kundër Edi Ramës
Realisht PS dhe Edi Rama po e ndjejnë efektin negativ të pazarit me PD-në dhe Lulzim Bashën, pasi nga marrëveshje e kërkuar nga LSI dhe ndërkombëtarët, ai kaloi në PAZAR TË FSHEHTË për ndarjen e tortës shtetërore, ndonëse futi opozitën në zgjedhje. Ndarja e pushtetit deri tek drejtoritë dhe agjencitë shtetërore kanë krijuar pakënaqësi të mëdha në bazën e PS-së. Reagimet e para që kanë ardhur nga socialistët te drejtuesit e fushatës së PS në qarqe tregojnë për ulje të mbështetësve dhe akuza që e cilësojnë paktin Rama-Basha si të turpshëm. Pakënaqësitë e socialistëve e kanë detyruar Kryetarin e PS-së, Edi Rama të kërkojë që partitë e vogla të koalicionit të majtë t’i bashkojë në siglën e PS-së. Janë të njëjtat parti, të cilat i preu në besë duke mos u lejuar regjistrimin në koalicion. Dje Rama ka bërë lëvizjen e fundit duke ftuar në takim gjithë aleatët e dikurshëm të vitit 2013. Nga 40 parti që ka pasur në vitin 2013, vetëm 23 prej kryetarëve pranuan t’i shkojnë në takim, përveç LSI-së, e cila ka deklaruar që më parë që është jashtë koalicionit në këto zgjedhje. Mbrëmë Ilir Meta në një intervistë te Eni Vasili tha ndër të tjera se, nga PS-ja nuk ka pasur asnjëherë ftesë me shkrim dhe zyrtare e serioze për koalicion, ndërkohë që LSI nuk e ka mohuar koalicionin. Por, siç dihet, pas paktit Rama-Basha në mesnatën e 17 majit, Edi Rama firmosi që të mos ngrihen koalicione, gjë që është në kundërshtim të Kodit Zgjedhor.
Dje Kryeministri Rama u ka kërkuar ish-aleatëve të mos kandidojnë me siglën e tyre, por të shkrihen në PS duke votuar vetëm për siglën e Partisë Socialiste. Pra, pasi ua “futi” në vitin 2013 duke u marrë votat dhe duke mos u njohur asnjë meritë, dje u kërkoi të votojnë vetëm PS. Në emër të aleatëve të PS-së dje folën Petro Koçi, Idajet Beqiri dhe Gjergj Koja. Të treja këto parti, në vitin 2013 në rang vendi kanë marrë diku te 6 mijë vota. Ndërkohë, aleatët historikë të PS-së, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo nuk kanë pranuar të marrin pjesë në takim. Takimi i Ramës ka pasur si qëllim afrimin e këto dy partive, pasi PSD e Gjinushit dhe PDS e Milos së bashku kanë marrë rreth 22 mijë vota në vitin 2013. Por të dy ish-aleatët këtë herë nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e fasadës së koalicionit. Skënder Gjinushi tha se nuk tërhiqet nga gara dhe nuk ka ndërmend që votat e partisë së tij t’ja japë sërish PS-së. “Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. Ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet. “Manarët le të tërhiqen, deshët do të jenë në fushatë. PS nuk i merr dot 70 vota, duhet patjetër një aleat”, tha Gjinushi.
Paskal Milo ishte dhe më i ashpër në qëndrimin e tij. Ai deklaroi se nuk ka pasur asnjë ftesë zyrtare nga PS për takim dhe thirrja për bashkim i ka ardhur nga Petro Koçi, i cili prej një muaji ka deklaruar se nuk ka më parti, pasi e ka shkrirë me Partinë Socialiste. “Faleminderit Petro për thirrjen që bën, por më duket se ke marrë pozitat e mercenarit, nuk është e nevojshme që të tërhiqesh ti. Rama nuk duhet të më bënte thirrje të tërhiqem përmes të tretëve. Ne kemi identitetin tonë, politikat tona. Nuk mund të kthehemi në shërbëtorë të dikujt që kërkon pushtet dhe nuk ndajnë qeverisje në një kohë që s’kanë bërë asgjë”,- tha Paskal Milo. Disa javë më parë, Paskal Milo deklaroi se, Edi Rama nuk ka respektuar asnjë pikë të marrëveshjes me aleatët. Ndërsa shtoi se, “Rama duhet t’i ketë harruar dhe emrin atij dhe Gjinushit”.
Sondazhet tregojnë se PSD merr dy deputetë dhe PDS një deputet, duke kandiduar veçmas, tani që PS-ja i tradhtoi.
Tentativa e Edi Ramës për të mbledhur votat e aleatëve të vegjël, që nuk i ka respektuar asnjëherë, tregon se Partia Socialiste ka një hall të madh pas marrëveshjes me Partinë Demokratike. Pa koalicionin me LSI-në, pa aleatët seriozë, si Milo dhe Gjinushi, Rama u detyrua të zhvillojë takime me parti “fantazmë” që përveç disave, të tjerave nuk u njihet as kryetari. Halli për partitë e vogla vjen se PS-ja nuk ka mbajtur premtimet me elektoratin, por as me aleatët e saj të vitit 2013. Duket “akull” në bazën e PS-së, pasi ndjehen të tradhtuar dhe kanë frikën se pazari Rama-Basha do vijojë edhe pas zgjedhjeve, duke i lenë prapë pa punë si këto katër vite.
Burime nga takimi i partive me Kryeministrin thanë se dje Rama është shfaqur i penduar. Ai u ka kërkuar falje aleatëve që nuk i ka respektuar për 4 vjet. Justifikimi që u ka dhënë është se i ka munguar eksperienca me koalicionet. Veç ndjesës, Rama u ka bërë dhe një ofertë aleatëve që pranuan t’i shkojnë në takim. Burime thanë se, Rama u ka kërkuar aleatëve të shkrijnë partitë duke bërë fushatë për PS-në, ndërsa shpenzimet e fushatës që do bëjnë do të paguhen nga Partia Socialiste. Gjithashtu, Rama u ka deklaruar se të gjitha partitë që do bëhen pjesë e PS-së do të kenë, në bazë të votave që do sjellin, poste në administratën e pas 25 qershorit. Por një pjesë e aleatëve janë shprehur kritikë për “paktin” e ri me Ramën. Sipas tyre, PS dhe Rama u tregua mosmirënjohëse ndaj tyre kur ishin parti me logo dhe i kishin votat të deklaruara. Ndërsa me skemën e re që ka dhënë Rama nuk dihet sesi do të numërohen votat e aleatëve, pasi nuk ka më logo subjektesh elektorale. Pra një mashtrim i madh i PS-së. Nuk iu dha poste kur kishin vota dhe sigël partie e jo më tani pa parti në fletën e votimit.
Efektet e pazarit Rama-Basha dhe jo paktit të hapur e të sinqertë, kanë krijuar dyshime, pakënaqësi, revoltë në një pjesë jo të vogël të elektoratit të PS-së. Këtë e kupton më mirë se kushdo vetëm Gramoz Ruçi, i cili e njeh PS-në që në krijimin e saj.
Ndaj insiston që Edi Rama të ndryshojë strategji elektorale, pasi pazari me PD-në, si dhe mundësia për bashkëqeverisje edhe pas zgjedhjeve me Lulzim Bashën, ka demoralizuar krejt strukturën e socialistëve. Gjithsesi, asnjë parti kryesore si PS, LSI dhe PD nuk do të arrijë të marrë më shumë se 53 mandate deputetësh. Tashmë sistemi është tre polar. Pra, pas zgjedhjeve do të ketë vetëm koalicione, sepse asnjë nuk e merr vetëm pushtetin.
Qamil Xhani