Gjykatën Kushtetuese e vdesin përfundimisht
-A kanë anëtarët e KPK dhe institucioneve të tjera të Vettingut nipër, mbesa apo kushërinjë, të cilat kanë probleme me ligjin?! Apo nuk i takojnë asnjëherë, kur kanë dreka, dasma apo vaki të tjera të kësaj bote?
Nga dje Shqipëria mund të jetë ndër vendet e vetme në botë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pjesë e institucioneve të ngritura për reformën në drejtësi, shkarkoi gjyqtarin Gani Dizdari, duke e lënë këtë institucion me vetëm një anëtar nga 9 që duhet të ketë, sipas Kushtetuës. Gani Dizdari, një jurist që për 40 vjet ka punuar në të gjitha hallkat e sistemi të drejtësisë, sipas ekspertëve të KPK rezultoi se nuk plotësonte kriteret për të vijuar detyrën në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari kishte edhe 6 muaj për të dalë në pension, por e palosën me një vendim të KPK. Argumenti i shkarkimit, si gjithë procesi i reformës në drejtësi, është një paradoks më vete. Sipas juristëve të KPK gjyqtari Dizdari kishte kontakte papërshtatshme me një person të dënuar. Personi që i referohet KPK-ja është nipi i gjyqtarit. Një gjyqtar në Shqipëri mund ta shkarkosh për 100 arsye, por pse ka takuar nipin e tij kjo është më shumë se qesharake. A kanë anëtarët e KPK dhe institucioneve të tjera të Vettingut nipër, mbesa apo kushërinjë , të cilatë kanë probleme me ligjin?! Apo nuk i takojnë asnjëherë, kur kanë dreka, dasma apo vaki të tjera të kësaj bote?
Me shkarkimin e gjyqtarit, të cilit i janë thinjur flokët në systemin e drejtësisë dhe mbahet si një juristët me korrekt, Gjykata Kushtetuese nga 9 anëtarë që duhet të ketë sipas ligjit sot ka vetëm një, pasi Vitore Tushës i ka mbaruar mandati kushtetues.
Për të marrë një vendim për një çështje, “pro” apo “kundër” në Gjykatën Kushtetuese duhet të votojnë gjashtë anëtarë. Më herët, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi dhe 3 anëtarë të tjerë të kësaj gjykate, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Ndërsa anëtari i shtatë, Besnik Ymeraj dha dorëheqjen nga detyra para nisjes së procedurave të institucioneve të Vettingut. Për shkak të rrëmujës që solli reforma në drejtësi, kjo gjykatë në vitet e fundit si plotësoi asnjëherë 9 anëtarë. Me shkarkimin e fundit që vendosën nga institucionet e Vettingut , Kushtetuesja tashmë ka “vdekur” përfundimisht.
Plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese është një histori edhe më e komplikuar se reforma në drejtësi. Sipas Kushtetutës, 9 anëtarët e gjykatës emërohen 3 nga Presidenti, 3 zgjidhen nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Por pas ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi, të gjitha kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të kalojnë nëpërmjet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) edhe kjo një strukturë e re e ngritur pas reformës. Por vetë anëtarët e KED janë juristë që nuk kanë kaluar në filtrat e Vettingut. Për pasojë, disa juristë që nuk janë certifikuar nuk mund të japin miratimin për njerëz të tjerë në poste kyçe. Presidenti ka depozituar një listë kandidaturash, por KED nuk e ka marrë në shqyrtim, pasi nuk dihet nëse anëtarët e saj kalojnë Vettingun. Kuvendit i duhet që ti miratojë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese me 3/5 e votat dhe në këtë fazë mazhoranca nuk i zgjedh dot emrat pa opozitën. Kjo sepse PS-ja kërkon të votojë emrat e saj. Ndërsa Gjykata e Lartë me këtë ritëm të Vettingut mund të mbyllë derën shumë shpejt. Me kaosin që ka krijuar reforma në drejtësi duket se dhe për shumë kohë vendi do të jetë pa Gjykatë Kushtetuese, mundet pa gjykatë të lartë funksionuese. Ndërkohë dosjet e gjyqeve vetëm shtohen nëpër gjykata.
Gjykata Kushtetuese cilësohet “roja” i Kushtetutës dhe është i vetmi institucion që ligjërisht kontrollon dy pushtetet e tjera, Parlamentin dhe Qeverinë. Më rënien e Gjykatës Kushtetuese sot Edi Ramën, qeverinë dhe mazhorancën në Kuvend nuk ka asnjë institucion ligjor që ta ndalojë. Ndaj në këtë situatë amullie dhe mos kontrolli kushtetues, qeveria ka miratuar ligjet më skandaloze të mundshme. Janë votuar gjithë koncesionet që qartazi fshehin afera korruptive. Gjithashtu, me “vdekjen” e Gjykatës Kushtetuese opozita nuk mund të ankohet më në asnjë institucion për të kërkuar të drejtën.
Gjithçka tashmë është nën kontrollin e Edi Ramës. Pas marrjes së timonit politik nga kryeministri Edi Rama me zgjedhjet e kontestuara të vitit 2017, pas marrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, dje ra dhe Gjykata Kushtetuese.
Qeverinë dhe Ramën nuk ka më asnjë kontroll kushtetues që ta ndalojë. Kjo është alarmante për një vend që aspiron të jetë demokratik./Q. Xhani/