Gjyqtarët, hetoni tek pasuria e tyre

 
Prej një muaji, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve në Tiranë kanë nisur një tur diskutimesh për analizën e sistemit të drejtësisë. Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, tha dje nga Gjirokastra se korrupsioni që ndodh në gjykatat shqiptare është një tallje ndaj gjithë shoqërisë shqiptare në vend. Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, më shumë se disa herë ka folur për gjyqtarë që duhet të jenë në burg dhe njerëz të drejtësisë që japin vendime të turpshme në këmbim të parave. Nga një sondazh i bërë mes gjyqtarëve dhe prokurorëve rezulton se 40 për qind e tyre pranonin se në drejtësi ka korrupsion. Dy ditë më parë, kancelarja gjermane e quajti sistemin e drejtësisë si kushtin kryesor për integrimin në BE dhe thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Në këtë situatë të errët të sistemit të drejtësisë, ku çdo ditë dalin vendime skandaloze, si ai i lirimit të vrasësit të dy turistëve çekë apo plot kriminelë të skeduar që marrin lirinë apo prona që tjetërsohen; mazhoranca ka premtuar se në shtator do të kryejë reformën në drejtësi. Reforma, pjesë e së cilës është bërë tashmë edhe Partia Demokratike, do të trajtojë kryesisht mënyrën e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe funksionimin e gjykatave kryesore në vend. Por problemi në sistemin e drejtësisë nuk është se kush i zgjedh gjyqtarët; Parlamenti, Presidenti apo Konferenca Gjyqësore. Problem mbeten arsyet se përse brenda pak kohësh, pjesa më e madhe e gjyqtarëve korruptohen.
Fakti më skandaloz që dëshmon për korrupsion në radhët e gjyqtarëve janë edhe deklaratat e tyre të pasurisë. Në dy ditët e fundit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPKI) ka kallëzuar penalisht 21 zyrtarë për mosdeklarim dhe fshehje të ardhurash. Nga këta, pesë prej tyre janë gjyqtarë. Petrit Aliaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Vlorë; Rasim Doda, me gjyqtar në Gjykatën e Sarandë; Enkeleda Doda (Kashuri), gjyqtare në Sarandë; Adelina Zarka, gjyqtare në Fier dhe Petraq Çuri, gjyqtar në Durrës. Zyrtarët e tjerë janë pjesë të drejtorive në ministri, Hipotekave dhe Doganave, institucione që gjithmonë kanë pasur probleme me korrupsionin. Ndërsa për rastin e zyrtarëve të tjerë, mosdeklarimi i pasurisë justifikohet edhe me mosnjohjen e ligjit në detaje dhe mosrepektimin e afateve, për gjyqtarët diçka e tillë nuk vlen. Nuk mund të ndodhë që një gjyqtar të mos njohë ligjin dhe të mos njohë efektet e tij. Pra, në të gjithë rastet, gjyqtarët ose kanë bërë “sikur” kanë harruar zbatimin e ligjit, ose e kanë shkelur atë me vetëdije për të fshehur pasurinë.
Reforma në drejtësi në opinion nuk kuptohet vetëm me ndryshimin e ligjeve. Edhe ligjet ekzistuese nuk e lejojnë korrupsionin. Reforma nënkupton largimin e gjyqtarëve që janë të korruptuar. Ndaj nëse ka një pikë nga ku duhet të nisë largimi i tyre është verifikimi i pasurive, atyre të deklaruara dhe atyre që i kanë të fshehura në emrat e miqve apo të të afërmve. Mjaftojnë vetëm disa verifikime të thjeshta, sesi ka mundësi që gjyqtarët, vetëm me rrogën e shtetit të kenë disa apartamente dhe shtëpi pushimi, pothuaj njëlloj si dhe biznesmenët. Si ka mundësi që një pjesë e gjyqtarëve rezultojnë të jenë edhe aksionerë në biznese të ndryshme, madje dhe në emrat e rrethit të ngushtë familjar. Teksa të gjithë flasin për korrupsion në gjykata dhe nuk japin emra, zgjidhja është e thjeshtë; shikoni llogaritë bankare dhe pasuritë e tyre. Ato janë dëshmia e përzierjes së krimit me drejtësinë, madje dhe me politikën. Ndaj dhe reforma për largimin e tyre, bëhet pa pasur nevojë për ndryshimin e ligjeve.
Por largimi  i tyre është vetëm një element. Masa tjetër duhet të jetë dhe marrja e pasurive. Dje Gjykata e Durrësit vendosi sekuestrimin e apartamenteve dhe lokaleve që kishte një grup i trafikut të drogës. E njëjta gjë duhet të bëhet dhe me pasuritë e vendosura në mënyrë korruptive nga zyrtarët dhe përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë.
Ka një plan për në shtator për arrestime edhe të gjyqtarëve të korruptuar, bile një prej tyre ka gjasa të jetë në Gjykatën e Lartë për të cilin (e) është firmosur hetimi dhe përgjimi.
 
Edi Rama po përgatitet për reformën me drastike në këto 25 vjet në sistemin e drejtësisë. Publiku pret, ndërkohë që politika e përzier me këto gjyqtarë po bënë të pamundurën e mosrealizimit të kësaj reforme.  

SHKARKO APP