Gjyqtarët kundër reformës

Ndërsa ende nuk është dhënë një vendim për ligjin e Vetingut, Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim një tjetër padi ndaj ligjeve të reformës në drejtësi. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë (SHKGJRSH) dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (UGJSH) ankimuan dje në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Dy kryetarët e dy shoqatave Erjon Bani dhe Gerd Hoxha, depozituan dje 58 faqe padi, ku argumentojnë të paktën 22 shkelje të Kushtetutës nga ligji i miratuar nga Parlamenti më 7 tetor.

Drejtuesit e shoqatave deklarojnë se janë një sërë kompetencash dhe shkeljesh ligjore që sipas tyre gjendjen në ligjin e ri. Mes tyre ata veçuan faktin se shkelën parimet kushtetuese për emërimet e krerëve të gjykatave. Gjithashtu, gjyqtarët thonë se shkelën disa nene kushtetuese me ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, si dhe të kryetarëve të gjykatave të vendit, ndërsa gjyqtarëve nuk u njihet e drejta për një proces të drejtë. Nisur nga këto pretendime ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e ligjit dhe shpalljen e tij si anti-kushtetues.

Kjo është padia e dytë që bëhet ndaj ligjeve të veçanta që janë pjesë e paketës së reformës në drejtësi në Gjykatën Kushtetuese. Padia e parë është bërë nga Partia Demokratike për ligjin e Vetingut. Pas ankesës së PD-së edhe Unioni i Gjyqtarëve kërkoi që të bëhet pjesë e procesit si palë e interesuar.

Pavarësisht aspektit juridik dhe të drejtës për të ankimuar ligje të veçanta të reformës në drejtësi, lëvizja e djeshme e shoqatave të gjyqtarëve jep efekte konkrete të reforma. Së pari, duke parë ngarkesën aktuale të Gjykatës Kushtetuese me padinë për Vetingun, ankesa e re e gjyqtarëve do të sjellë një tjetër vonesë. Nëse gjykatat do ta marrin në shqyrtim padinë për  “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” mund të lindë nevoja për një tjetër mendim të Komisionit të Venecias. Një procedurë e tillë mund ta shtyjë nisjen e zbatimit të reformës edhe me disa muaj të tjerë.

Së dyti, në objektin e padisë së gjyqtarëve thuhet se, ndërpriten mandatet e anëtarëve të institucioneve aktuale të drejtësisë. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi më 22 nëntor dhe efekti i tij ka nisur. Ta bllokosh ligjin në këtë fazë do të thotë të bësh hap pas në gjithë procesin.

Gjyqtarët dhe prokurorët që janë aktualisht në sistem kanë të drejtë të ankimojnë çdo ligj të ri që mendojnë se nuk përputhet me Kushtetutën. Por koha kur është zgjedhur të bëhet ky proces duket si një kundërvënie ndaj reformës. Në 10 dhjetor Komisioni i Venecias pritet të sjellë përgjigjen për ligjin e Vetingut. Kjo përgjigje pritet të zhbllokojë dhe punën e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka pezulluar ligjin. Në kohën që mund të ketë një zhbllokim të situatës në rast se Gjykata rrëzon padinë e PD-së, një pjesë e reformës vihet sërish në pikëpyetje me padinë e re.

E gjitha kjo garë padish ka vetëm një efekt bllokimin e reformës në institucionin kushtetues. Sigurisht, juristët janë në të drejtën e tyre të bëjnë padi. Por në rastin konkret janë pala direkte që preken nga Vetingu dhe gjithë reforma. Ndaj dhe kjo seri padish ngjan si një tentativë për të mbajtur sa më larg zbatimin e ligjit.

Në këtë situatë është koha që Gjykata Kushtetuese të vendosë rregull dhe t’i jap fund dilemës me reformën. Reforma në drejtësi, sigurisht që, nuk është më e mira e mundshme. Ka jo pak probleme që u diskutuan për gati 2 vjet. Megjithatë, në fund paketa kushtetuese dhe shumica e ligjeve të reformës morën 140 vota të deputetëve. Nëse i hapet rrugë çdo ankese në Gjykatën Kushtetuese nisja e zbatimit të reformës do të kërkojë vite, pa folur këto për kohën që kërkon funksionimi i saj i plotë. Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë fund edhe për shkak të situatës qesharake që është krijuar me përkthimet e materialeve. Detajet e ditëve të fundit po tregojnë se jo vetëm ka palë që janë kundër reformës, por edhe se po përdoren mekanizma banalë për të bllokuar funksionimin e saj.

Nisur nga kjo padi e fundit ka të drejtë Kryeministri Rama që bërtet se ky sistem drejtësie po mban peng Shqipërinë dhe po bllokon Integrimin e vendit në BE.

Qamil Xhani

SHKARKO APP