Gjyqtari i Lartë në prag arrestimi
Arrestimi i gjyqtarit të Sarandës dhe prangosja në sallën e gjyqit të gjyqtares së Lezhës nuk do të jenë të vetmet ngjarje nga ndëshkimi i njerëzve të korruptuar të drejtësisë. Presidenti Bujar Nishani dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço kanë dhënë sinjale të forta se prangat do të tringëllijnë edhe në duart e gjyqtarëve të tjerë. Burime të sigurta tregojnë se sherbimet e specializuara të antikorrupsionit kanë vënë në shenjestër një gjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe dy gjyqtarë të Apelit në Tiranë,pasi kanë informacione se kanë kërkuar shuma të mëdha në euro për të dhënë vendime kryekëput në kundërshtim me ligjin. Nuk dihet saktësisht koha kur do të bëhen publike provat,por për njerin prej tyre e kanë “kopsitur” dosjen dhe presin vetëm arrestimin.
Kreu i shtetit ka deklaruar se pa largimin e gjyqtarëve të korruptuar nuk mund të flitet për reformë në drejtësi. Në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në një intervistë për “Deutsche Ëelle”, zoti Nishani ka bërë për herë të parë një ndarje në dy nivele mes njerëzve problematikë brenda sistemit të drejtësisë. Ai ka folur për gjyqtarët e korruptuar përgjatë proceseve gjyqësore,të cilët mund të largohen më kollaj nga sistemi. Por nga ana tjetër, ka përmendur dhe gjyqtarë të korruptuar që kanë mbështetje e janë promovuar në poste kyçe për shkak të mbështetjes politike. Këta të fundit, sipas tij është më e vështirë t’i largosh nga strukturat për shkak të lidhjeve që kanë me partitë politike. Por ndërkohë shërbimet e specializuara antikorrupsion e kanë dokumentuar një gjyqtar të nivelit të lartë në afera dhe presin ta arrestojnë. Ndonëse me imunitet, por e kanë vënë nën përgjim e survejim duke u takuar me pjestarin e palës së interesuar për të fituar një gjyq prone në shuma të mëdha financiare. Informacionet e besueshme shprehen se këtë gjyqtar e presin prangat.
Në kulmin e debatit për reformën në drejtësi, ministri Nasip Naço ka paralajmëruar furtunë në radhët e sistemit të drejtësisë, por edhe të politikës. Çelësi që do të ndajë gjyqtarët e korruptuar nga ata të ndryshëm, sipas ministrit Naço është zbatimi i ligjit antimafia. Pra, gjyqtarët që nuk e justifikojnë pasurinë që kanë do të largohen nga sistemi. E njëjta praktikë, sipas tij, do të ndiqet edhe për politikanët. “Nëse ne aplikojmë ligjin antimafia për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë, të jeni të bindur se do të tronditet dhe klasa politike dhe sistemi gjyqësor, duke evidentuar në çdo rast pasurinë e tyre të pajustifikuar. Unë besoj se ligji ka nisur të aplikohet”,- tha për “TemaTV”, ministri Nasip Naço.
Deklaratat e Nishanit dhe Naços që janë njëherazi dhe pjesë përbërëse e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tregojnë se për herë të parë pastrimi i radhëve të gjyqësorit është marrë seriozisht. Brenda një jave rasti i Sarandës dhe Lezhës janë dëshmi se në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kanë nisur të shohin problemet reale që ekzistojnë mes gjykatave në vend. Por një gjyqtar në Sarandë dhe një gjyqtare në Lezhë nuk mund të jenë të vetmit që kanë abuzuar. Të premten e kaluar, një shofer i gjyqtarit në Vlorë u kap me 20 mijë euro në duar. Sigurisht, shoferi përfundoi pas prangave, por emri i gjyqtarit për të cilin dyshohet se ishte paguar rryshfeti, ende nuk është bërë i ditur.
Teksa të gjitha palët e pranojnë se problemi qëndron tek gjyqtarët që japin vendim në favor të lekëve, apo siç deklaron kreu i shtetit që veç korrupsionit monetar ka edhe korrupsion politik, reforma duhet të nisë pikërisht nga peshqit e mëdhenj. Janë me dhjetëra vendime që nga vetë mazhoranca e sotme janë denoncuar gjatë qeverisjes së PD-së si të njëanshme dhe të dhëna në këmbim favoresh nga gjyqtarët. Nga ana tjetër, jo pak gjyqtarë të propozuar si nga PS-ja dhe nga PD-ja janë akuzuar se janë promovuar në detyra drejtuese falë mbështetjes politike. Nëse operacioni kundër gjyqtarëve të korruptuar është marrë seriozisht, le të nisë nga rastet më flagrante. Denoncimet janë bërë nga vetë palët që kanë marrë përsipër reformën në drejtësi.
Në arrestimet e gjyqtarëve bie në sy edhe një element tjetër jo pak i rëndësishëm. Gjyqtari i Sarandës u arrestua për një vendim që lidhej me çështjen e pronësisë. Ndërsa gjyqtarja e Lezhës u kap me 2 milionë lekë të vjetra. Korrupsioni është gjithmonë një fenomen negativ, por kur vjen fjala tek gjykata, duhet bërë një diferencim. Në media ka pasur denoncime që kanë të bëjnë më vendime gjyqtarësh që kanë dhënë falje dhe kanë nxjerrë nga burgu njerëz të dënuar për krime. Bëhet fjalë për vrasës, përdhunues, trafikant femrash apo trafikantë droge. Gjyqtarë të arrestuar për këto shkelje deri më tani ka shumë pak. Megjithatë, reforma nuk duhet paragjykuar. Stina e arrestimeve sapo ka nisur dhe pritet të ketë emra të njohur të drejtësisë që mund të përfundojnë në pranga.
Të presim se cili është ky gjyqtari i Gjykatës së Lartë që është nën hetim, ndonëse dosja është mbushur e kopsitur.