“Goglat” e PS kapin qokat e KLGJ dhe KLP
-Mazhoranca socialiste futi në votim emrat e kandidatëve që janë rrëzuar nga ndërkombëtarët, plus kësaj njeri nga lista e fituesve të goglave ka shkelur ligjin e dekriminalizimit.
-Nga kjo lojë djallëzore e mazhorancës nuk ngrihen organet e KLP dhe KLGJ, sepse duhen 94 vota në parlament, gjë që PS-ja nuk i ka, ndaj do shtyhet pafund Vettingu dhe zbatimin i Reformës në drejtësi.
Nënkomisioni Ad Hoc për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë zgjodhi dje sot me short (gogla) anëtarët për këto dy institucione. Pesë anëtarët jo gjyqtarë për KLGJ u zgjodhën Arben Vani, Sokol Lamaj, Erjon Muharemaj, Ilir Panda dhe Altin Hazizaj. Ndërsa 5 anëtarët jo prokurorë për KLP u zgjidhën Kozma Jano, Floreta Gjini, Enejda Sema, Mirela Bogdani dhe Alfred Balla. Sipas procedurës këta kandidatë do t’i kalojnë më pas Kuvendit për votim me 2/3 e votave, pra 94 vota. Sipas ligjit, secili nga emrat e mësipërm duhet të merrte 4 vota pro nga 5 anëtarë të nënkomisionit parlamentar. Për shkak se nuk u ra dakord deputetët e mazhorancëns vendosën që t’i votojnë kandidatët më short për t’i dërguar më pas në Kuvend. Por më shumë se te mënyra e votimit, debate kanë shkaktuar mënyra sesi u përzgjodhën kandidatët para se të hynin të goglat.
Miratimi i djeshëm në nënkomisionin e Kuvendit ka dy probleme kryesore. Problemi i parë është efekti që sjell ky votim. PS dhe opozita PD-LSI nuk ranë dakord për emrat që ishin sjellë për votim dhe shorti i goglave çon në Kuvend vetëm emrat që dëshironte PS. Por votimi në seancë është me 2/3 (94 vota) të cilat PS pa PD dhe LSI nuk mund t’i bëjë kurrë. Praktikisht PS çoi në Kuvend disa emra për të cilët e di që nuk ka miratimin e opozitës. Arsyeja pse u hodh një hap i tillë nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me luftën politike. Në popull dhe në mediat e tij kryeministri do ta luajë mjeshtërisht momentin kur asnjë nga kandidatët e dalë nga goglat të mos marrë 94 vota në sallën e Kuvendit. Rama do të dalë e do thotë se “ja PD dhe LSI nuk e duan reformën sepse nuk votuan njerëzit e dalë nga goglat!”. Nga ana tjetër ky proces i zgjedhur nga PS për ngritjen e KLGJ dhe KLP e fut në ngërç reformën. Opozita nuk mund të pranojë që të votojë kandidatë që nuk janë përzgjedhur sipas ligjit. PS nuk mund ti caktojë në detyrë pasi nuk ka 94 vota. Kjo situatë do të bëjë që KLP-ja e famshme të mos mblidhet për shumë kohë dhe të mos zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm. Një ngërç i tillë mund të vazhdojë me muaj. Tek e fundit edhe PS nuk e ka më me ngut, pasi ka në Prokurorinë e Përgjithshme prokuroren që zgjodhi vetëm me votat e saja, pra me 69 vota. Goglat e djeshme nuk e zgjidhin problemin e krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por vetëm sa e shtyjnë edhe më tej ngërçin kushtetues e politik.
Problemi i dytë ka të bëjë me kriteret ligjore me të cilat u zgjodhën disa kandidatë. Opozita PD dhe LSI kundërshtuan procesin e përzgjedhjes së kandidatëve duke e cilësuar si jo korrekt nga ana ligjore. Kjo për arsyen se kandidatët që u hodhën në votimin me gogla ishin seleksionuar më herët nga Partia Socialiste. Pra secila gogël të binte prapë në rregull ishte PS-ja pasi të gjithë ishin të përzgjedhur prej forcës politike në qeveri. Ndaj kryetari i komisionit të ligjeve zoti Manja ishte i qetë, buzagaz e plot humor, sepse e dinte se kujtdo ti binte fati në gogël prapë i kryeministrit do të ishte si linjë politike.
Veç opozitës që pretendon se një pjesë e emrave që u përzgjodhën dhe do të votohen në Kuvend kanë pasur parregullsi, kritika për disa emra ka pasur dhe nga ndërkombëtarët. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) në relacionin për kandidatët vinte re se një pjesë e tyre nuk kishin kualifikimin e duhur. Konkretisht disa kandidatë për KLP kanë rezultuar se nuk plotësonin kriteret ligjore që parashikojnë ligjet e reformës në drejtësi. Në disa rastet edhe kriteret e formimit profesional nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Një prej kandidatëve për KLP është akuzuar për plagjiaturë (vjedhje) të platformës së kandidimit. ONM-ja skualifikoi duke futur në listën e zezë Entela Hoxhën, Andi Muratajn dhe Alfred Ballën. Por Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjoncaj, pasi ka mbledhur të gjitha raportet në vlerësimin përfundimtar i futi sërish në listë emrat. Opozita e kundërshtoi këtë procedurë, ku Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit merrte me shumë kompetenca sesa ligji, deputetët, Kuvendi dhe ONM. PD dhe LSI kërkuan që emrat që ishin në listën e zezë të ONM të hiqeshin nga gara. Megjithatë emrat e kontestuar nga opozita dhe ONM u votuan sot me gogla nga ana e mazhorancës.
Por skema është me fine se sa duket. PS-ja i përzgjodhi emrat të gjithë nga miqësitë e kryeministrit pasi e di se 94 vota nuk jepen në parlament. Duke mos u votuar me 94 vota, sepse PD dhe LSI nuk kanë luajtur mendsh të votojnë emrat e Edi Ramës, ato do rrëzohen. Dhe procesi fillon nga fillimi, por kjo ha shumë muaj. Nga kjo lojë djallëzore e mazhorancës nuk ngrihen organet e KLP dhe KLGJ, duke e shtyrë pafund Vettingun dhe zbatimin e Reformës në drejtësi. Ndërkohë kryeministri në mungesë të KLP e KLGJ ka kapur prokurorinë dhe po bën presion shumë gjyqtarëve në këmbim të ruajtjes se vendit të punës në gjykatë se duhet te firmosin vendimet e prokurorisë të cilat po hartohen në zyrën e Arta Markut.
E vërteta mbetet se goglat ishin sot si zaret e qeverisë, sepse kushdo t’i dilte si emër në gogël ishte më edvinist se sa vetë Endri Fuga dhe Engjëll Agaçi.