Gratë malësore nuk janë për t’u qarë hallin!
Nga Manjola ZEKA.
Ndjehem keq kur mundohen të na përshkruajnë si në mesjete.. ndjehem keq kur mundohen të na krahasojnë me një kafshë punë, ndjehem keq ku në zonën time të Malësisë së Madhe, kanë filluar të zbresin kolegë të mi gazetarë, që në vend të shohin bukuritë e atij vendi, mikpritjen, dashurinë, bujarinë që të ofrojnë këta njerëz të mrekullueshëm, merren me ca detaje, që në fakt në çdo cep të Shqipërisë ekzistojnë, qoftë veri apo jug.. Nuk po di, pse NE qenkemi ndryshe..
Më dhemb thellë në shpirt kur mundohen të na prezantojnë, si njerëz (gra) të vuajtura, që prej shekujsh nuk dimë të bëjmë ndryshim, si gra që vetëm kur mbyllin sytë, ( flenë gjumë) mund të krahasohen me të tjera… si gra që “shitemi” dhe ‘blihemi” te KISHA….
Do mundohem ti kap me radhë të gjitha detajet , aq sa kam mundur të fiksoj këto ditë, në disa portale online (mbase ka kohë që ‘flenë” aty shkrimet, unë rastësisht këto ditë i lexova) se çfarë shkruajnë për NE, gratë malësore, gratë e veriut, zakonet tona e deri te “shkesat”, në kishë, braktisjen e shkollës që në gjimnaz, pasi kështu do familja, për ta sistemuar vajzën në një “derë” të mirë dhe mundësisht djali të jetë jashtë shtetit??!!
Po thonë, që të shkretat gra, (sidomos i janë referuar zonës së Kelmendit) zgjohen që në orën pesë të mëngjesit për të mjelë lopët, kulluar (qumështin), zënë djathin etj.. po thonë që më pas gruaja merret me punët e shtëpisë, rroba, gatime, pluhura e etj.. po thonë se gratë merren dhe me bagëtinë dhe tokën…
Dakort jam, asgjë nuk kanë shtuar, me të gjitha merren. E, aq sa di unë, nga ana tjetër, burrat, merren me drutë në pyll, me sigurimin e ushqimit për bagëti në dimër (pasi zonat shpesh here bllokohet nga dëbora), sajdisin pse jo edhe turistë që shkojnë ndër këto vise, duke i mësuar si piqet fërliku në hell…duke u mburr edhe me rakinë e shlisë e duke i përshkruar me detaj mbi bjeshkët e Nemuna që zoti i ka godit për vedi..
E pak a shumë, duke mos hyrë në detaje të tjera, kështu mbyllet një ditë e zakonshme për një grua malësore, edhe për një burrë, duke i shtuar këtij të fundit edhe sigurimin e jetesës të përditshme për familjen..
Duke lexuar gjithë këto “çudi”, që ndodhkan në zonën tonë, të padëgjuara në asnjë vend të botës, më lind pyetja…
Po gratë e Jugut si ja bëjnë?! .. Ato që jetojnë në fshatra kryesisht, lopë për të mjelë kanë? Gratë merren, apo burrat? djathë e gjalpë zënë ?- , po fshesën kush e bën në familjet e jugut, po byreçkat dhe bakllavatë, kush i hollon …se të jem e sinqertë jugoret shquhen dhe për nikoqire. Aq sa unë di dhe kam dëgjuar, vetë i bëjnë… nuk lënë burrat të zënë pets me dorë (shkop byreku), apo të punojnë në tezgjah, po edhe anës rrugës gra (te jugut) kemi parë të shesin fiq, mollë, rrush etj…ato na gjezdisn me qesken në dorë., sa herë na bie të udhëtojmë rrugëve në këto vise.
Dhe për çudi, syri i prehtë i këtyre kolegëve gazetarë, nuk e ka vënë re këtë. Këto zonja janë Ok, nuk jetojnë as si në mesjetë, as burrave nuk i nënshtrohen, as ankohen, për bukur të zotit janë..
Po Ne more Ne pse jemi ndryshe…kjo pyetje më bren prej ditësh.
E të kthehem tek kolegë të mi gazetarë..
Po a dini ndonjë gjë ju more kolegë të nderuar, për këtë zonë tonë, për Kelmendin, Kastratin, Koplikun, Reçin, a keni lexuar gjë, apo hiç..
A keni ni (degjuar hic), për një vashë prej Kelmendi që quhej Norë. A keni lexuar për trimërinë e saj …se si ja nguli thikën në zemër Vuci Pashës dhe u kthy kry nalt, tu jepte lajmin Kelmendasve… thjesht kujtova Norën… lexojeni historinë se është e bukur, jam e sigurt që asgjë nuk dini.. Por ne nuk jetojmë vetëm me këto histori…
A keni ni, (dëgjuar) ju more kolegë gazetarë, për Logun e Bjeshkëve që organizohet në Kelmend (Lëpushë-Perdelec), e jo sot por që në kohë të hershme. Dita e Shna Prendës, në Malësi, njihej si festa e bjeshkatarëve (sot quhet Logu i Bjeshëkve), ku të bukurat e Malësisë, të veshura me xhubletën tonë të pakrahasueshme, mu aty në log, zhvillonin një konkurs bukurie, ku përzgjidhej e bukura e bjeshkëve. Pra këta gra të vuajtura, të përulura para burrave, prej vitesh e vitesh, kanë qënë ndryshme, more kolegë të nderuar, jo ashtu siç Ju na i përshkruani sot… gratë malësore, janë burrnesha, trime, të zgjuara të bukura, por mor po, janë edhe shtëpiake të mira. Fshijnë , lajnë, pastrojnë, mjelin lopët, ashtu si dhe gratë e tjera… ashtu siç ju nuk keni ditë ti përshkruani.. dhe nuk do të dini kurrë …
Në fund dua të shtoj dhe diçka, për zakonet tona të fejesave-martesave në kishë, që shumë përshtypje ju kishte bërë|. Çdo ditë të diel besimtarët katolikë kryejnë ritualin e radhës për në kishë. Për te respektuar dhe vetë vendin e shenjtë, burra dhe gra, vajza, djem vishen bukur dhe pastër dhe drejtohen për në Kishë.
E pasi mbarojnë ritet fetare, secili kthehet në shtëpi. E këtu nuk shoh ndonjë gjë të keqe, nëse një djalë sheh një vajzë të bukur dhe i vë “syrin”. Te NE, në kishë, te JU në vende tjera..
Mos paragjykoni të dashur kolegë gazetarë, që unë fort ju respektoj, Ju lutem mjaft me këto ndarje, Malësia e Madhe është vendi i zotërinjve, i krajlave, i njerëzve trima e bujarë, i traditave, ku dhe gratë kanë vendin e tyre. Mos ua qani hallin…