Gratë që duan Kryebashkiake
Zgjedhjet e 21 qershorit mund të kenë shumë elementë që do të quhen risi. Ndarja e re territoriale, eliminimi i komunave dhe i një morie administratash burokratike, zgjerimi i pushteteve të kryetarëve të bashkive, ndryshimi i skemave si funksionon qeverisja vendore dhe një fushatë që duket se do të jetë më shumë politike, etj janë disa nga elementët e rinj të kësaj fushate. Por ajo që bie në sy në listat thuajse të përfunduara të kandidatëve është numri më i madh i grave, duke e krahasuar me të gjitha zgjedhjet e kaluara vendore. Të paktën deri dje, kur ende emrat e disa kandidatëve nga e djathta nuk janë publikuar, rezultojnë se në garën e 21 qershorit do të marrin pjesë 12 gra. Më parë gratë janë kandiduar në komuna apo bashki të vogla, ku pesha elektorale ka qenë e papërfillshme. Ndërsa në këto zgjedhje disa prej tyre janë caktuar dhe në zona të forta politike, ku gara ka qenë historikisht e ashpër dhe me shumë probleme.
Durrësi dhe Shkodra janë dy prej bashkive më të rëndësishme ku partitë kryesore kanë zgjedhur të kandidojnë gra. Madje në Shkodër përballja duket se do të jetë edhe më interesante, pasi përballë Keti Bazhdarit të PS-së kandidon deputetja dhe ish-prefektja e PD-së, Voltana Ademi. Në Durrës kandidon një prej emrave me të spikatur mes prurjeve të reja në PD, Grida Duma. Në qytetet e tjera kandidojnë ; Miranda Rira e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Prrenjas, Majlinda Bufi për Partinë Socialiste në Roskovec, Rajmonda Balili për Partinë Socialiste në Patos, Diana Mile për LSI-në në Pogradec, Zamira Rami për LSI-në në Gjirokastër, Floriana Koka për PS-në në Sarandë, Mimoza Arapi për PDIU në Konispol, Valbona Kola për PS në Klos, Adelina Farici për PS në Mat.
Mes listave që kanë propozuar partitë deri në dje në darkë bie në sy numri i pakët i kandidateve nga Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar. Ndërsa koalicioni i majtë ka kandiduar 10 gra në këto zgjedhje, nga e djathta janë propozuar vetëm dy, Voltana Ademi në Shkodër dhe Grida Dumën në Durrës. Kandidimi i Ademit është zgjedhur si një profil i fortë politik i PD-së në një zonë të djathtë, përballë Bazhdarit që është aktivizuar në politikën aktive vetëm vitet e fundit. Ndërsa zgjedhja e Grida Dumës, e cila u përfol si kandidate e mundshme në Tiranë, duket se ka qenë e ndikuar dhe nga problemet që shkaktoi në Durrës mospranimi nga selia blu i kandidimit të republikanit Agron Duka. Një arsye tjetër e moskandidimit të një numri më të madh të grave në listat e PD-së ka të bëjë dhe me problemet e opozitës. Për shkak të rëndësisë elektorale që kanë këto zgjedhje, Partia Demokratike kërkon me doemos fitoren në disa prej bashkive më të rëndësishme. Kandidatët e PD përballë kanë ish-deputetë, kryebashkiak me disa mandate dhe njerëz që vijnë nga poste drejtuese të pushtetit. Në këtë mënyrë, logjika e përballjeve të ashpra elektorale duket se e ka bindur PD-në që betejat kryesore, përveç Durrësit e Shkodrës, t’ua besojë burrave. Dhe ky është një sinjal jo i mirë që do të ketë përplasje elektorale.
Pavarësisht rezultatit, prania e më shumë grave në politikë pritet të jap mesazhe pozitive në zonat ku ato kandidojnë. Për vetë mënyrën sesi e konceptojnë fushatën, të paktën në bashkitë e tyre nuk priten përplasje militantësh, thyerje dhe vjedhje të shtabeve elektorale. Aq më pak sharje, fyerje ndaj kundërshtarëve dhe manipulime skandaloze të votave. Mesazhi tjetër pozitiv është se 12 kandidatet femra, ndryshe nga burrat, nuk dyshohet se kanë precedentë penal. Kandidimi i grave për partitë ka qenë i detyruar dhe për shkak të Kodit Zgjedhor dhe ruajtjes së balancave gjinore.
Femra është përherë me korrekte, me familjare, më e drejtë si natyrë e mundet që kandidimi i 12 femrave për Bashkitë e vendit të sjellë një frymë të re dueli elektoral. Dhe pas kësaj kur të vijë koha e zgjedhjeve parlamentare e mira e politikës e do mbajtjen e një premtimi publik të liderëve politikë që 50 përqind e deputetëve të jenë femra .