Hakmarrja greke

Deklaratat e forta dhe tensionet e ditëve të fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë kanë sjellë pasojat e para. Edhe pse bëhet fjalë për deklarata dhe qëndrimeve të selive diplomatike, ata që vuajnë pasoja janë qytetarët shqiptarë. Gjatë dy ditëve të fundit, në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Greqisë autoritetet helene kanë kthyer rreth 100 qytetarë që kërkonin të udhëtonin drejt shtetit fqinj. Mes personave që janë kthyer ka gra, fëmijë dhe të moshuar. Nuk kishte ndodhur kjo gjë prej shumë muajsh, në mos me tepër. Por zihen të “mëdhënjtë” dhe e hanë të “vegjlit”.

Kalimi i shqiptarëve drejt Greqisë bëhet në bazë të marrëveshjes së zonës Shengen, që funksionon me pjesë më të madhe të shteteve të BE-së, sipas procedurave përkatëse. Edhe më parë ka pasur raste të kthimit nga pala greke, por numri ka qenë shumë herë më i vogël. Dje 100 shqiptarët që udhëtonin drejt Greqisë duket se janë kthyer qëllimisht dhe jo për shkak të moszbatimit të rregullave të Zonës Shengen. Argumenti i përdorur nga pala greke është mungesa e dokumenteve, si dhe fakti i mos disponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen. Një absurditet. Ku ka emigrant që harxhon 100 euro në ditë! Po të kishin kaq euro nuk kanë nevojë të shkojnë e të punojnë për grekët. Natyrisht që është një pretekst për tu hakmarr prej deklaratave të kryeministrit Rama.

Ndërkohë që veç kthimit, në mediat shqiptare dje janë transmetuar dhe pamje që tregojnë se qytetarëve u janë dëmtuar dhe pasaportat, duke i shkarravitur, gjë që është dhe një shkelje e procedurale. Kjo pasi refuzimi i kalimit mund të justifikohet, për përdhosja e një dokumenti shtetëror është i pashpjegueshëm. Këtë vetëm një grek mund ta bëjë !

Kthimi i shpeshtë i qytetarëve shqiptarë nga pala greke është ngritur dy ditë më parë si problem dhe nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Greke, Konstantinos Tsouvalas, Tahiri kërkoi nga institucionet e vendit fqinje “të respektohet lëvizja e lirë e shtetasve në zonën “Shengen” dhe të mos kthehen shtetas shqiptarë në kufi pa shkaqe ligjore e të motivuara mirë”.  Pavarësisht qëndrimeve të Ministrit shqiptar, institucionet greke kanë vijuar edhe dje që të kthejnë qytetarë shqiptarë pa motive bindëse. Drejtuesit e Policisë Shqiptare kanë kërkuar dje sqarime dhe nga pala greke, por duket se arsyet e këtyre masave që ngjajnë me operacionet “Fshesa” të viteve ’90 nuk janë në dorë të institucioneve të rendit, por tek qeveria greke.

Ajo që po ndodh këto ditë në kufi, edhe pse nuk është në shifra alarmante, duket si një hakmarrje e pastër e Greqisë ndaj qëndrimeve të Tiranës. Gjatë dy javëve pati deklarata të forta mes dy ministrave për çështjen e prishjeve të disa ndërtimeve pa leje në Himarë. Ministria e Jashtme Greke thirri ambasadorin tonë në Athinë për të “dhënë sqarime” me pretendimin se po shkelen të drejtat e minoritetit greke. Ministria jonë e jashtme thirri ambasadoren greke në Tiranë ku iu kërkua mosndërhyrja e Athinës në punët e brendshme. Ajo që ka acaruar më shumë greket nuk është qëndrimi i Ministrisë së Jashtme, por qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama. Të enjten në Parlament, kreu i qeverisë mbajti një fjalim të ashpër kundër pretendimeve të Greqisë për Himarën dhe për shkeljen e të drejtave të minoritetit. Në replikë me kreun e PDBNJ-së, Vangjel Dule, Rama tha se zbatimin e ligjit në vend nuk mund ta përcaktojë Greqia. Dhe shtoi me tej se dikur edhe në Athinë është folur shqip, çka i acaroi grekët. Rama akuzoi drejtuesit politikë të minoritetit që kanë informuar keq në Athinë dhe kanë hapur një debat të kotë.

Fjalimi me tone të forta i Kryeministrit Edi Rama duket se ka sjellë shqetësime në Athinë. Përveç reagimit të diplomacisë greke që pretendon se Kryeministri shqiptar nuk e njeh historinë e Himarës dhe Athinës, pala greke e bëri fakt inatin, duke kthyer qytetarët shqiptarë me pretekste idiote në kufi.  Ndërkohë që hakmarrja greke priret të shfaqet dhe në procesin e integrimit, pasi media greke dhe zyrtarë politikë kanë folur për bllokim. Efekti i debatit të nisur në Tiranë dhe Athinë pritet të ndjehet dhe në Bruksel.

Nuk është çudi që Athina zyrtare ta paraqes si kusht në Bruksel, ndonëse Kancelarja Merkel vendos për pranimin e Shqipërisë, por edhe për bankat greke nëse do të kenë gjë në bankomate apo do rrijnë në radhë për të marrë 100 euro gjithsejt. Aq sa u kërkojnë grekët çdo shqiptari në kufi!

SHKARKO APP