Hapni ose mbyllini përgjithmonë dosjet!
. Deklarata e kryeministrit dukej si pjesë e diskutimeve lidhur me diktaturën dhe jo projekt real. Por fill pas saj, organizatat e shoqërisë civile deklaruan se e kanë gati ligjin që duhet të miratohet për të mundësuar një proces të tillë. Madje organizatat e shoqërisë civile kanë punuar me ekspertë të vendeve ish-komuniste që kanë kaluar situata të ngjashme me Shqipërinë. Pavarësisht se duket se ka një koordinim për këtë çështje mes qëndrimit të Ramës dhe atyre të shoqërisë civile, efekti pozitiv i saj është se nuk do të kemi një parti që merr përsipër të bëjë ligjin, por kërkesa vjen nga zëra jashtë politikës. Në parim, opinioni është pro hapjes së dosjeve të komunizmit. Madje Shqipëria, si në shumë gjëra të tjera, edhe këtu është e vonuar. Vende si Gjermania, Polonia, Çekia, etj, e kanë kryer procesin e hapjes së dosjeve shumë vite më parë. Shoqëria jonë pas 24 vitesh, ende nuk e ka guximin për të parë në sy të vërtetën e krimeve të komunizmit.
Ndërsa ky debat është rihapur sërish, dy janë kufizimet që janë shfaqur. I pari, lidhet me faktin se një pjesë e dokumenteve, madje ato më të rëndësishmet, që tregojnë për përfshirje të politikanëve të pas viteve ’90 në strukturat e Sigurimit, janë zhdukur. Dhe kjo e kompromenton përsëri këtë proces, pasi disave u hapen, kurse ata që kanë patur mundësi fshirje apo djegie të dosjeve të tyre, dalin pa u lagur. Bile ka ministra, deputetë, zyrtarë të lartë të Shtetit etj. Pra, fakti që janë zhdukur një pjesë e mirë e tyre duket se kompromenton nismën. Një deklaratë e tillë është bërë nga ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi dhe e thënë nga një njeri që ka pasur mundësi të shohë ato që të tjerët s’i kanë parë, duket mëse e besueshme. Dhe Fatos Klosi di shumë gjëra! Kufizimi i dytë lidhet me rëndësinë që kanë disa dokumente sekrete. Me këtë nënkuptohet fakti se mes dosjeve ka emra personazhesh të njohur dhe njerëzish që kanë punuar në Sigurimin e Shtetit, por veprimtaria e tyre ka pasur dhe interesa shtetërore, si infiltrimi në agjenturat e huaja, apo çështje që lidhen me interesa kombëtare. Ligji i ri, nëse do të merret seriozisht në konsideratë nga klasa politike aktuale, nuk duhet të bëjë gabimet që janë bërë më parë në hartimin e nismave të tilla. Derisa pranohet që një pjesë e dosjeve të rëndësishme janë zhdukur, duhet të nisë edhe një hetim se kush janë personat që i kanë zhdukur ato. Në mënyrën sesi operohet në strukturat e sigurisë, çdo gjë lë gjurmë dhe nëse institucionet duan sinqerisht, mund të gjejnë gjurmë të personave apo mikrofilmave të dosjeve që siç thuhet, ruhen edhe në vende të tjera sekrete, veç atyre që dinë një pjesë e punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ish-strukturave të Sigurimit të Shtetit.
Çështja që lidhet me sigurinë kombëtare është pak delikate, por ata që do hartojnë ligjin e ri duhet të shmangin që bashkë me dosjet të cilat mund të kenë detaje për operacione të sigurisë kombëtare, të mos fshihen dosje të personazheve që vetëm për sigurinë kombëtare nuk kanë punuar. Më e keqja që ka ndodhur në vendet ish-komuniste nuk ka qenë dalja e sekreteve shtetërore, por fakti që njerëz që kanë kryer krime, kanë vrarë, njerëz, kanë dhënë dëshmi për persona që janë ekzekutuar, apo kanë dënuar me internime familje të tëra edhe pas rënies së sistemit, fatkeqësisht kanë pasur poste drejtuese në administratën e lartë.
Në media, por edhe nga ish-zyrtarë të sistemit, ka pasur akuza dhe aludime se njerëz që sot janë në të ashtuquajturën elitë të politikës, biznesit dhe medias, dikur kanë qenë pjesë e strukturave të Sigurimit të Shtetit. Ka ardhur koha që shqiptarët të dinë të vërtetën se kush punonte për strukturat famëkeqe të diktaturës dikur dhe merrte njerëzit në qafë, sot vazhdon të ketë ndikim në jetën publike në Shqipëri. Pas publikimit të krimeve, pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve nuk do të kenë më kurajon të jenë më në poste publike. Ky është shërbimi më i mirë që shoqëria e sotme shqiptare mund t’u bëjë mijëra viktimave që vuajtën nga komunizmi.
Hapja e dosjeve është dhe një mënyrë për t’i dhënë fund shantazhit politik, që aq shumë është bërë modë sa herë ka përplasje në vend. Pas hapjes së tyre, askush nuk do të akuzojë dhe nuk do i përdorë të dhënat e tyre për kapital politik. Por që të ndodhë kjo, dosjet duhet të hapen të gjitha, pa asnjë përjashtim. Pas 24 vjetësh, shoqëria jonë ka krijuar një distancë me diktaturën. Një pjesë e krimeve duken të largëta, madje për çudi, sot dalin dhe njerëz që kanë nisur të vlerësojnë diktaturën. Brezat që kanë lindur pas viteve ’90 e njohin komunizmin vetëm nga intervistat në media të ish-anëtarëve të Byrosë dhe nga librat me kujtime të Sekretarëve të Partisë, në të cilat komunizmi çuditërisht shfaqet me ngjyra dhe jo regjim kriminal siç ishte në të vërtetë. Një pjesë e atyre që vuajtën gjatë komunizmit në burgje dhe internim kanë ndërruar jetë gjatë kësaj kohe dhe vërteta po u lihet në dorë ish-sekretarëve dhe pinjollëve të byroistëve. Hapja e dosjeve duhet parë dhe si një mundësi për të treguar atë që deri më sot s’e kanë treguar historianët. Ndaj, për të shmangur çdo iluzion është nevoja që dosjet të hapen të gjitha. Ideja e nismëtarëve të shoqërisë civile, që ligji i ri të lejojë njohjen me dosjen vetëm të personave që kanë qenë viktima është vetëm një hapje përgjysmë. Nuk mjafton që vetëm viktimat apo pasardhësit e tyre të njohin emrat e atyre që i spiunuan apo i dënuan. Në shumicën e rasteve të përndjekurit e komunizmit i kanë ditur se kush ua ka bërë “gropën”, vetëm se të tjerët nuk i besojnë, sepse u duket e pabesueshme që “njerëz normalë” me karriera të respektueshme dhe pushtet politik kanë qenë dikur punonjës të Sigurimit. Derisa në media jemi njohur me çdo detaj të jetës luksoze të drejtuesve komunistë; si hanin, si visheshin, sa dashnore kishin etj., është mirë që shoqëria të dijë edhe sa veta morën në qafë bashkëpunëtorët e Sigurimit me firmën e tyre, sa dëshmi të rreme, sa spiunime, sa të afërm futën në burg. Duhet që shoqëria, mediat dhe gjithë opinioni të bëhet dëshmitar i krimeve dhe të reagojë ndaj së keqes. Vetëm kështu pas 24 vitesh nga rrëzimi i komunizmit, hapja e dosjeve do të ketë kuptim për shoqërinë dhe brezat që kanë nisur të harrojnë diktaturën.
Nëse e kanë seriozisht, më mirë t’i hapin njëherë e mirë, ose nëse është lojë presioni të mos i hapin më, asnjëherë. Por ama, edhe të mos flasin më për këtë punë.