Hashashi i Koços
askush s’e ka marrë seriozisht. Që nga dje, çështja e bimëve narkotike është hedhur në mënyrë serioze për diskutim. Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima në komisionin e Ekonomisë kërkoi nga ministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, licencimin e kanabisit për industrinë farmaceutike. Mos harroni se Kokëdhima nuk është një deputet dosido, por një botues, biznesmen i rëndësishëm dhe aq më tepër, mik shumë i ngushtë i kryeministrit Rama. Në një parashtrim të gjatë, deputeti i Qarkut të Vlorës renditi dhe arsyet se përse duhej marrë në konsideratë një vendim i tillë. Madje, ai kërkoi që të hartohen dhe strategji afatgjata për t’u diskutuar me vendet e Bashkimit Europian. Ai tha se nga prodhimi i kanabisit qarkullonin 7.5 miliardë euro, shifër kjo shumë herë më e madhe se buxheti i shtetit për investime në bujqësi. Në këtë mënyrë, Kokëdhima sugjeroi që në zonat ku mbillej hashash, të praktikohet mbjellja e tij për qëllime medicinale, por këtë herë i licencuar nga shteti. Duke folur për të ardhurat që sjell kultivimi i kësaj bime, Kokëdhima ka përmendur dhe faktin se kanabisi shqiptar është një markë më vete në Europë dhe la të nënkuptohej se mund të promovohej cilësia e tij, e cila është e shkëlqyer. Për të zbutur situatën e krijuar në komisionin e Ekonomisë, pas deklaratave të tij, Kokëdhima solli si shembull faktin se në Europë, në Itali, Holandë etj., ka shumë prodhues kanabisi apo opiumi me licenca dhe leje nga shtetet, për interesa farmaceutike, të cilët paguajnë taksa. “Në shumë vende të botës së zhvilluar prodhohen bimë të tilla me leje e licenca. Në Europë tashmë njihet varianti shqiptar i kanabisit, i prodhuar nga kjo veprimtari ilegale në Shqipëri, një kanabis shqiptar që ka karakteristikat dhe vlerat e veta në treg. A keni menduar juve që ta ruani këtë vlerë dhe të licenconi për eksport, për industrinë farmaceutike një prodhim të arsyeshëm fermerësh vendas që të paguajnë taksa dhe të zhvillojnë këtë veprimtari nën kontrollin e plotë të shtetit? A mund të rishikoni ju legjislacionin për këtë çështje?”, – u shpreh deputeti i Partisë Socialiste.
Deklaratat e djeshme të deputetit Kokëdhima kanë krijuar habi jo vetëm tek ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, por edhe tek vetë deputetët e Partisë Socialiste të pranishëm në komisionin e Ekonomisë. Legalizimi apo jo i hashashit është një debat thuajse ndërkombëtar. Ka mjaft forca politike, në vendet perëndimore që e përdorin si kauzë gjatë fushatave elektorale, por kur vijnë në pushtet, realizimi i saj bëhet pak i vështirë, për shkak të problemeve ligjore dhe kryesisht rritjes së kriminalitetit. Gjithsesi, deputeti i PS-së foli për një kultivim të licencuar dhe të kontrolluar nga shteti. Por pavarësisht kësaj, janë shumë probleme që ngrihen pas një deklarate që ekonomikisht mund të jetë shumë e leverdishme për vendin.
Problemi i parë është moral dhe shkon kundër angazhimeve të mazhorancës aktuale. Partia Socialiste në qeverisje, fushatën kundër kultivimit të kanabisit e ka një nga prioritetet kryesore të saj. Madje, duhet thënë se është fushata më e suksesshme e ndonjë qeverie deri më sot në Shqipëri. Në pak muaj, u bë i mundur shkatërrimi i plantacioneve në Lazarat, në Dukagjin dhe në zonën e Kurveleshit në Tepelenë. Të kërkosh legalizimin e hashashit, pasi forcat e Ministrisë së Brendshme kanë luftuar dhëmb për dhëmb me muaj të tërë me trafikantë, duket si një qëndrim kundër rrymës për shtet ligjor. Legalizimi i kanabisit, kërkohet në një kohë kur ende ka operacione që zhvillohen në terren kapjen e trafikantëve. A nuk ngjan kjo si një dekonspirim i aksioneve të policisë? Por Kokëdhima tha se janë mbi 7 miliardë euro në lojë për buxhetin e shtetit dhe natyrisht kultivimi i tij duhet të kontrollohet.
Problemi i dytë i legalizimit është dhe ligjor. Në burgje ka sot 18-vjeçarë, gra dhe pleq që vuajnë dënime nga 3 deri në 5 vite burg, sepse kanë mbjellë disa rrënjë hashash në bahçen e shtëpisë, apo pse u është gjetur ndonjë gram kanabis në xhepa. Nëse merret një vendim i tillë për legalizimin e hashashit dhe mbjelljen e tij me ligj, çfarë do të bëhet me këta qindra mijëra që janë ende duke vuajtur dënimet për një vepër që tashmë mund ta bëjnë me licencë. Ka një të vërtetë në atë që ka deklaruar dje deputeti i PS-së, se “fshatarët që kanë kultivuar kanabis nuk janë kriminelë”. Ata janë të detyruar nga varfëria apo mungesa e kushteve për të kultivuar hashashin. Por tashmë që operacioni i policisë për zhdukjen e parcelave mund të quhet i suksesshëm, me këto qëndrime, njerëzit marrin gabimisht mesazhin se mund të vazhdojnë të mbjellin, sepse një ditë do të lejohet me ligj.
Ashtu siç ka mendime kundër legalizimit të hashashit, ka dhe plot arsye të tjera për të parë mundësinë e rishikimit të ligjeve për këtë fenomen. Por deklarata e djeshme e Kokëdhimës ka gjetur të papërgatitur jo vetëm opinionin, por edhe vetë një pjesë të forcës politike së cilës ai i përket. Kjo pasi, një pjesë e deputetëve të majtë në komisionin e Ekonomisë, nuk e kanë pasur të qartë nëse kjo është një dëshirë e deputetit Kokëdhima, apo një projekt që është diskutuar dhe më lart në Partinë Socialiste dhe në qeveri. Dihet se deputeti i Qarkut të Vlorës është një mik dhe njeri i afërt i Kryeministrit Edi Rama, por kryeministri nuk ka preferuar të komentojë më parë çështje të tilla. Në një intervistë dhënë në televizionin italian “Rai 1”, në muajin prill, i pyetur mbi këtë çështje, Rama ka deklaruar se për Shqipërinë është ende herët të futet në një debat të tillë. “Legalizimi i marijuanës është një diskutim të cilin do të preferoja të mos e bëja. Pastaj nuk i takon Shqipërisë të shkojë më tutje, të marrë një vendim të tillë, kur çështja e legalizimit të marijuanës mbetet ende një temë e hapur në vende më të zhvilluara se ne në BE”, – ka deklaruar Rama.
Kokëdhima e hodhi “ bombën” e tani mbetet të shikojmë reagimin e Kryeministrit Rama, që gjithsesi nuk do të rrijë pa folur edhe për këtë.