Vendimi i qeverisë/Heshtje varri për varrezat greke
-Spartak Ngjela: Vendimi i Qeverisë se PS dhe kryeministrit Edi Rama, tradhti kombëtare.
-Të paktën qeveria shqiptare ta kishte bërë këtë tradhti, por të kishte marrë si kompensim heqjen zyrtare të ligjit të luftës dhe kthimin e çamëve në tokat e tyre në Greqi.
Në kulmin e zhvillimeve politike në vend, kur diskutohej dosja “Tahiri” dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, qeveria “Rama” ka marrë vendimin më të diskutueshëm dhe më problematik, lidhur me Greqinë. Më 13 dhjetor Qeveria shqiptare vendos ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë që kanë rënë në territorin shqiptar gjatë luftës Italo-Greke 1940-1941. Vendimi i qeverisë mbështetet në një tjetër vendim paraardhës të qeverisë “Berisha” të vitit 2010, i cili është kundërshtuar nga PS në ato vite dhe nga qytetarët. Por ekspertët thonë se ky vendim ka tejkaluar edhe qeverinë pasardhëse duke bërë lëshime më shumë sesa duhet në favor të palës greke. Ndërkohë dje, në mbledhjen e radhës, qeveria “Rama” ka vendosur që një prej këtyre varrezave, asaj në Bularat të Gjirokastrës t’i japë statusin “varrezë historike”.
Emërtimi “varrezë historike” do mbetet sikur aty grekët kanë lindur, janë rritur dhe kanë luftuar për atdheun e tyre!
Në 7 ditë kemi dy vendime të kabinetit socialist që janë alarmante për shkak të lëshimeve që bëjnë në favor të palës greke. Vendimi ka shumë pasaktësi dhe fshehje të dhënash që lidhen me numrin e varrezave dhe kriteret e ndërtimit të tyre. Greqia pretendon se në Shqipëri kanë rënë mijëra ushtarë grekë gjatë luftës me Italinë. Në vendimin e qeverisë nuk jepet asnjë shifër duke e lënë këtë çështje në dorë të palës greke, pasi institucionet shqiptare nuk kanë evidenca të luftës Italo-Greke. Më lejimin e ndërtimit të varrezave kudo ku pretendojnë grekët, praktikisht Gjirokastra, Përmeti, Këlcyra, etj, do të jenë një “varrezë e madhe” e të rënëve grekë. Por pala greke pretendon se të rënë gjatë luftës ka dhe në Korçë, Tepelenë dhe zona të tjera, gjë që e bënë edhe më të vështirë identifikimin e zonave ku do të ndërtohen varrezat. Mjafton të kujtojmë se në Kosinë të Përmetit për të plotësuar numrin e ushtarëve të “rënë” në Shqipëri u vodhën varret e shqiptarëve duke i vendosur në memorialin që u ndërtua për ushtarët grekë. Skandale të tillë janë denoncuar pa fund në media dhe për këtë arsye vendimet e qeverisë “Rama” shihen me dyshime.
Vendimi tjetër që ka shkaktuar polemika është ai detyron Ministrinë tonë të Mbrojtjes që në datën 28 tetor të çdo viti të organizojë ceremoni zyrtare në përkujtim të të rënëve grekë në luftë. E gjitha kjo për një luftë ku Shqipëria zyrtarisht nuk ishte palë me askënd dhe vetëm u zhvillua në territorin e saj. Nuk kishte asnjë faj Shqipëria e cila ishte e pushtuar nga italianët, përkundrazi vuajti edhe pushtuesin, por edhe ushtarët grekë në Shqipëri në përballjen me Italinë, pasi armët bënin kërdinë nëpër fshatrat shqiptare pasi luftonin italianët dhe grekët.
Aktet e marra me nxitim, në fshehtësi dhe pa asnjë konsultim nga Kryeministri janë pjesë e marrëveshjes që ministri Ditmir Bushati ka arritur me homologun e tij Niko Kosias në bisedimet e Kretës. Edhe pse një muaj që është realizuar marrëveshja qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë detaj për lëshimet që ka bërë pala shqiptare. Ndërkohë pala greke e ka cilësuar si sukses vendimin për varrezat dhe ka premtuar se do të heq ligjin e luftës me Shqipërinë. Në Tiranë zyrtarët shqiptarë po e paraqesin si sukses heqjen e ligjit të luftës nga pala greke. Çështja shtrohet nëse ja vlente që Jugu i vendit të merrte një status tjetër me varrezat e ushtarëve grekë vetëm për ligjin e Luftës, që deri dje Athina thoshte se nuk ekzistonte? Por Ligji im Luftës premtohet se do hiqet, por akoma nuk është hequr. Shqipëria ka bërë çka kërkuar pala greke, kurse qeveria shqiptare nuk i ka ëëndosur kusht për ligjin e luftës dhe kthimin e çamëve në tokat e tyre në Greqi.
Për shkak të zhvillimeve të rrëmujshme politike në Shqipëri këto vendime të kabinetit “Rama” kanë kaluar pa vëmendje dhe pa asnjë reagim nga opozita shqiptare. Vetëm dje historianë dhe autoritete publike kanë vënë alarmin duke e cilësuar vendimin e Edi Ramës si anti-kombëtar.
Historiani Pëllumb Xhufi, një njohës i mirë i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi, deklaron se lejimi i varrezave siç ka kërkuar Greqia është i rrezikshëm. Ai thotë se varrezat po ndërtohen në një zonë ku Greqia ka pasur pretendime territoriale dhe ekziston kufiri i hamendësuar i Vorio Epirit.
Avokati i njohur Spartak Ngjela e cilësonte vendimin e qeverisë “Rama” si një akt të pastër antikombëtar. Në një thirrje publike ai kërkonte anulimin e tij sa më parë nga Edi Rama, duke e quajtur këtë qëndrim të kryeministrit si gjestin më të rëndë kundër interesave të vendit.
Në Shqipëri ka disa varreza të ushtarëve të rënë gjatë luftës, si për anglezët, italianët. Në praktikën ndërkombëtare për raste të tilla ngrihet një memorial i përbashkët dhe jo varreza në çdo vendluftimi. Në rastin e Greqisë pala shqiptare ka tejkaluar gjithë proceset e mëparshme duke lëshuar më shumë sesa duhet, pasi pala greke ka kërkuar dhe po merr varreza përgjatë vijës siç e quan ajo Vorio Epiriote. Kjo është e rrezikshme.
Të paktën qeveria shqiptare të kishte bërë këtë tradhti, por të kishte marrë si kompensim heqjen zyrtare të ligjit të luftës dhe kthimin e çamëve në tokat e tyre në Greqi.
Qamil Xhani