Holanda voton: “JO” Shqipërisë dhe “PO” Maqedonisë së Veriut
Vendimi i parlamentit holandez rrëzon qeverinë “Rama” për reformat. Ministri i Jashtëm, Stef Blok: “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht dhe rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave ishte i parakohshëm”.
A ka njeri të mençur dhe serioz PS-ja e Ramës që të ketë kurajon të flasë e të guxojë për t’i dalë kundër kryeministrit që po shkatërron jo vetëm negociatat, porse po çon vendin drejt luftës civile me 30 qershor? Pse nuk flet njeri në PS se dekreti i shfuqizimit nga Meta ishte “gomardare” shpëtimi për PS-në, por heshtin duke i bërë temena kryeministrit?
Shqipëria ka marrë dje mesazhin zyrtar se negociatat e anëtarësimit nuk do të happen nga BE. Parlamenti Holandës ka votuar kundër nisjes së këtij procesi me Shqipërinë, ndërkohë që ka votuar pro për Maqedoninë e Veriut. Deputetët e holandezë kanë pasur në diskutim dy rezoluta, ku diskutohej procesi për çeljen e negociatave nga Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Në përfundim të debateve, deputetët i kanë dhënë miratimin qeverisë së Holandezë që në mbledhjen e Këshillit Europian të votojë kundër negociatave me Shqipërinë dhe pro atyre me Maqedoninë e Veriut. “Pas dëgjimit të diskutimeve, parlamenti i Holandës vëren se Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në bazë të raport progresit (të KE) mund të vërtetohet se Shqipëria nuk i plotëson kushtet e vendosura. Parlamenti i bën thirrje qeverisë holandeze që të mos pajtohet me propozimin e Komisionit për fillimin e negociatave për pranimin në BE”, – thuhet në dokumentin e parlamentit holandez. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi, Stef Blok deklaroi se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht dhe rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave ishte i parakohshëm”. Ajo çfarë ka vendosur Holanda në fakt është rrëzim i negociatave me Shqipërinë për këtë vit. Mbledhja e Këshillit të BE është parashikuar në fund të muajit qershor. Sipas praktikës së BE, kur një vend anëtar është kundër për vendime si hapja e negociatave edhe sikur gjithë vendet e tjera të jenë sikur të jenë “pro”, vendimi nuk miratohet. Vota e Holandës për të bllokuar negociatat i bën të pavlefshme votat pro të 27 vendeve të tjera. Por në këtë proces kundër, veç Holandës pritet të jetë Franca dhe Belgjika. Edhe pse çdo shqiptar nuk do të donte që procesi i integrimit të penalizohej, vendimi i djeshëm nuk është kundër Shqipërisë, por kundër qeverisë “Rama”. Në dokumentin e Holandës thuhet qartë se nuk janë bërë reformat e duhura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Realizimi i këtyre dy kërkesave është detyrë e qeverisë dhe dështimi është përgjegjësi direkte e saj. Pak javë më parë, parlamenti i Holandës kërkoi në Komisionin Europian kthimin e vizave për Shqipërinë, duke renditur një sërë ankesash për krimin dhe numrin e madh të azilantëve shqiptarë në këtë vend. Këtë sinjal serioz nga Holanda, qeveria “Rama” jo vetëm e nënvleftësoi, por e përdori për luftë politike. Kryeministri Rama deklaroi se vendimi për vizat nuk lidhej me punën e qeverisë së tij, por me zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe fushatën elektorale të disa partive euro skeptike në Holandë. Por nëse politika holandeze do të ishte euro skeptike dhe kundër zgjerimit të BE, dje nuk do ishte votuar kundër vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë. Pra edhe kërkesa për rikthimin e vizave dhe bllokimi i negociatave nuk lidhet me partitë kundër BE-së në Holandë, por me faktin se qeveria “Rama” nuk ka plotësuar asnjë kusht dhe Shqipëria po bën hapa pas.
Votimi i Holandës bashkë me negociatat rrëzon dhe mbështetjen e Komisionit Europian, të cilën Edi Rama e ka shitur si garanci për marrjen e negociatave. Vërejtjet e Holandës lidhen me krimin dhe korrupsionin. Të dyja këto çështje nga KE dhe konkretisht nga Presidenti i KE, Jane Clode Junker dhe nga komisionerja Federika Mogerini janë cilësuar si suksese të qeverisë “Rama”. Madje, dy ditë më parë Junker deklaroi se qeveria “Rama” është model në luftën kundër drogës, gjë që nuk ka njeri në botë që nuk e di se qeveria Rama është kampione e kanabisit dhe drogës. Këtë e ka thënë DASH dhe “Zëri Amerikës”, e së fundi edhe BILD.
Pra, fatkeqsisht, negociatat nuk do happen nga BE me vendin tonë. Do të mjaftonte vetëm kjo që kryeministrit të jepte dorëheqjen. A ka njeri të mençur dhe serioz PS-ja e Ramës që të ketë kurajon të flasë e të guxojë për t’i dalë kundër kryeministrit që po shkatërron jo vetëm negociatat, porse po çon vendin drejt luftës civile me 30 qershor? Pse nuk flet njeri në PS se dekreti i shfuqizimit nga Meta ishte “gomardare” shpëtimi për PS-në, por heshtin duke i bërë temena kryeministrit?
Qamil Xhani