Holanda: Nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë pa plotësuar kushtet

Ministri i Jashtëm i Hollandës, Stef Blok paralajmëron bllokimin e qeverisë “Rama” në Samtin e muajit maj në Kroaci: “Duam rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Edhe Reforma në drejtësi nuk mjafton për ti bindur europianët, ndaj mazhorancës së sotme i duhet të plotësojë 9 kushtet e parlamentit gjerman.

Sinjalet e vendeve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatat me Shqipërinë vazhdojnë të jenë negative. Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok ka deklaruar dje se integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të bëhet vetëm duke parë rezultatet konkrete në reforma në të dyja vendet. Rezervat më të mëdha dhe në mënyrë më konkrete, kreu i diplomacisë holandeze i ka për Shqipërinë. Në mënyrë të qartë, në një intervistë për median kroate, ai ka deklaruar se nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë pa parë rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Përpara se të hapë negociatat Shqipëria duhet të demonstrojë një angazhim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Stef Blok. Ai ka shtuar se Holanda është gati të ndihmojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me reformat duke dhënë asistencën përkatëse. “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një mundësi të vërtetë për t’u bashkuar me BE-në. Është e rëndësishme që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të procedojnë me reformat e sundimit të ligjit për të cilat Hollanda është e gatshme të ndihmojë në të dyja vendet për këtë proces”,- deklaroi ministri holandez.

Jo rastësisht deklarata është dhënë për mediat në Kroaci dhe është një paralajmërim për zhvillimet në BE lidhur me integrimin e Ballkanit Perendimor. Kroacia mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe një nga çështjet kryesore që ka në axhendën e saj është hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas dështimit me negociatat në tetor vitin 2019, për shkak të qëndrimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës, BE shpreson se me presidencën kroate vendet e Ballkanit do të kenë një mundësi tjetër për marrjen e një “po”-je unanime. Për këtë qëllim, në muajin maj të këtij viti Kroacia do të mbajë Samitin e BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jenë temë kryesore. Vendi që kundërshtoi më fort hapjen e negociatave ishte Franca, e cila paraqiti në Bruksel një skemë të re vlerësimi të reformave dhe kërkoj që procesi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhej. Samiti i Kroacisë shihet si një mundësi që Franca të ndryshojë qëndrim dhe të pranojë hapjen e negociatave për dy vendet. Ndërkohë, Shqipëria duket se nuk i ka problemet vetëm me Francën, por edhe me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Konkretisht, deklarata e ministrit të jashtëm Holandez që veçon Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut është sinjali se në samitin e majit qëndrimi kundër Tiranës zyrtare do të jetë njëlloj bllokues. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ndaj së cilës nuk ka rezerva për reformat në mënyrë konkrete, për Shqipërinë kritikat thuhen hapur. Kërkesa e ministrit holandez për të pasur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është paralajmërim për atë që mund të ndodhë në muajin maj në Kroaci. Qeveria “Rama” ka më pak se gjashtë muaj kohë për të bindur Holandën e cila ka vetëm dy kërkesa themelore; luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Qëndrimi i Holandës rrëzon dhe propagandën me të cilën qeveria kaloi refuzimin e negociatave gjatë vitit që lamë pas. Argumenti kryesor i kabinetit “Rama” ishte se qeveria i ka kryer reformat, por ishte Franca ajo që për probleme të brendshme të BE-së bllokoi gjithë procesin e zgjerimit. Në fakt, Holanda thotë të kundërtën duke renditur dhe arsyet konkrete. Nuk ishte faji i Francës për negociatat, por mungesa e reformave konkrete nga ana e Shqipërisë. Në qëndrimin e Holandës ka dhe një element shqetësues për atë që qeveria e cilëson suksesin më të madh të saj, reformën në drejtësi. Qeveria “Rama” thotë se reforma në drejtësi është investimi më i madh ndërkombëtar në vend dhe pas miratimit të saj zgjidhen të gjitha problemet që ka sot Shqipëria. Duket se jo të gjithë ndërkombëtarët ndajnë të njëjtin qëndrim, pasi Holanda thotë se Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Konkretisht reforma në drejtësi nuk mjafton dhe mazhorancës së sotme i duhet të plotësojë një sërë detyrash të tjera për të bindur vendet e Bashkimit Europian, nëse nuk do të humbasë dhe majin 2020 për negociatat.

Ndërkohqë që shteti holandez flet hapur për kapje të shtetit shqiptar nga oligarkia e krimi, PD-ja akoma nuk po vendos nëse do të fillojë protestat kundër kryeministrit. Loja e Ramës me gjoja “reformën zgjedhore” është që ta shtyjë sa me shumë reformën si pretekst që të mos zhvillohen zgjedhje të parakohshme.

M. Xhani

SHKARKO APP