I vogël vendi për aq shumë statuja
I vogël vendi për aq shumë statuja
Asnjëherë nuk është folur e shkruar më shumë se këtë herë për nëntorin e Enverit me partizanë, dhe për dhjetorin e Ramizit me studentët e tij. Dhe guxoj të parathem se do të flitet më shumë në vitet që vijnë. Rrjedha e viteve ndihmon, ngaqë kujtesa e njerëzve sa vjen e shuhet, kurse e fantazia e tregimtarëve sa vjen e ndizet.
Përtypim dhe ripërtypim historinë dhe duket sikur nuk duam tjetër ushqim?!
Mbaj mend se në fillimet e regjimit enverian, nuk ishte kjo mëri kaq e ndezur për kundërshtarët. Lufta e Klasave u nevojit më vonë, e u ashpërua kur duheshin ndarë të mirat e pakta: apartamentet, të drejtat e shkollimit, televizorët… Lufta e Klasave ashpërohej dhe tradhtarët bëheshin edhe më tradhtarë, kuislingët edhe më kuislingë, vocërrakët e të dënuarve edhe më të përbuzur. Edhe trimëritë e luftës, në rrjedhë të gjatë kohe, legjendarizoheshin shumë dhe më shumë.
Druaj se deri tani e kam mbushur kupën dhe meritoj të zë edhe një herë vend në faqe e parë të ndonjë gazete, siç më ndodhi me njërën prej tyre, e cila pa përfillur bashkëpunimin tonë të gjatë, më denoncoi në sytë e mijëra e mijëra njerëzve që në kioska shohin vetëm faqen e parë. Duke shkruar në atë faqe se “që ti z. Kulla të mos jesh enverist, vallë duhet të lëvdosh kuislingët?!” jep një imazh të gabuar për mua, apo jo? Edhe pa bërë unë asgjëkundi ndonjë lëvdatë! E bile pa lënë kurrkund të nënkuptohet simpati për ta! Dhe redaksia as shpjegon dhe as kërkon ndjesë për atë shpifje të ulët ndaj bashkëpunëtorit të saj!
Unë ato ditë thjesht u angazhova në rolin e atij për të cilin italianët kanë një cilësim të veçantë: guastafeste! Prishanik i festës! Dhe nuk ishte aspak roli i historianit, por tamam një rol në natyrën e veprimtarisë time, ai i prishanikut të festave të mëdha, për të cilin prishanik, nëntori dhe dhjetori i vitit që shkoi kishin aq shumë nevojë.
Nuk hyra në sinorët e historianëve. Nuk solla asnjë fakt të ri, asnjë tezë të re. Mbeta në petkat e mia të përjetshme. Shtrova vetëm ca pyetje të paturpshme që vërtet ia ulnin goxha madhështinë luftës por, në analizë të fundit, unë bashkohesha me të gjithë historianët tanë akademikë, se luftë në të vërtetë u bë.
Dhe bile po bëhet akoma në Shqipëri!..
Në një tregim mbi ndërrimin pas 35 vjetësh të datës së çlirimit të një qyteti kam figurën e një veterani që u tregon vit për vit pionierëve betejën për çlirimin e qytetit dhe çdo përvjetor shton edhe një nazist të vrarë nga gryka e dyfekut të tij!
E kam tepruar? Këtë zanat di të bëj unë! Satirizimi im i partizanit veteran zgjon menjëherë reagimin e pritshëm: “Ua! Po ti deri më sot ke ridikulizuar vetëm ballistët!” Po natyrisht, atëherë, a mund të tallja unë komunistët?! Më kujtojnë dhe rikujtojnë pastaj ca komedi që unë nuk i fsheh aspak nën pashët e dheut, siç bëjnë qindra poetë, dramaturgë dhe historianë. Unë vazhdoj t’i shfaq ende me kënaqësi ato, komedinë me ata luftëtarët e varur nga këmbët, apo atë tjetrën me kuislingë, “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë!”, inskenuar në teatrin e Elbasanit dhe laurate e një festivali kombëtar.
Thumbimet që më bëhen nuk u kanë hije as gazetarëve, as historianëve dhe as kryetarëve të partive, të panumërta që popullojnë sot Shqipërinë! Ndjej neveri kur më duhet të përplasem estetikisht me këtë lloj popullate të një vendi që ka fatkeqësinë të pjellë vetëm heronj. Kush e ka tallur apo akuzuar filmbërësin Luixhi Komençini dhe aktorin e pavdekshëm Alberto Sordi për filmin “Të gjithë në shtëpi”, ku satirizohen italianët frikacakë dhe dezertorë gjatë rrokullisjes së Italisë në disfatat e luftës botërore? Komençinin dhe Sordin i duartrokasin unanimisht sepse italianët janë tërë bashkë në vetëtalljen e tyre. Teksa ne, të “Vendit të Shqiponjave”, vazhdojmë të jemi të ndarë akoma mëdysh, në vazhdim të asaj lufte. Me kutin e Hoxhës mua automatikisht më numërojnë ballist. Nuk më lejojnë të shfaq as edhe njëzë pakënaqësi, apo mallkim për dëmet që solli politika e Ballit. Shpresohet se zihem ngushtë që kam vizatuar qesharakë pjesëtarët e gjorë të çetave balliste, të cilëve u kish zënë rrota bishtin e nuk merrnin vesh se ç’hile dhe ç’qëllime pushteti ndiqnin shefat e tyre që herë fshiheshin prapa gjermanëve dhe herë tundnin flamurin e nacionalizmit? Partizanët nuk mund t’i prekja. Pu-pu-pu! Atyre, udhëheqja u merrte të keqen, jo t’i mashtronte dot!
Ballistët në skeçet e mij, falë dhe aktorëve të talentuar ishin parë qesharakë në skalitjen e tyre karakteriale njerëzore, në frikën e tyre nga partizanët dhe gjermanët, mes të vorbullës marramendëse të luftës. Personazhet e mi nuk janë të urryer, ama! Nuk janë mizorë, nuk çajnë me bajoneta barqet e grave, nuk djegin shtëpi dhe nuk vrasin fëmijë. Ata thjesht janë njerëzorë, shqiptarë, ashtu siç do të mund të ishin edhe partizanët e hutuar pas strategjive të pakuptueshme internacionaliste të Enverit dhe Dushanit, ashtu si italianët e Sordit dhe Komençinit. Kujtoni pak artistin e mrekullueshëm Luftar Paja i cili u bë më i dashur me rolet e tij të ballistit të trembur dhe të hutuar nga lufta, se sa si deputet, kur u zgjodh bash për talentin e tij të pashterrur!
Që kam pritur vitet ‘90 që të imitoj Komençinin italian dhe të vazhdoj të shfaq komeditë me ballistë dhe të shtoj tani, pas këtij “çlirimit” tjetër, në repertorin satirik edhe atë veteranin partizan, që vret vit për vit nga një gjerman më shumë, nuk duhet të turpërohem unë por dikush tjetër, nga ata që sot po i dekoron me të dy duart Presidenca dhe qeveria me ministrat e saj!
Dhe pikërisht këtu, në fund rezervoj thelbin e kësaj ndërhyrje të re. Kuptimi i pjesëmarrjes sime në shkrimet mbi himnizimet e stërtepruara u shtrembërua. Nuk besoj që të kem qenë aq i paqartë sa të mos kuptohesha se uroja që lufta në këtë atdhe të cfilitur duhet të pushojë. Palët aktuale ndërluftuese sot janë identike si origjinë, akoma luftohet egërsisht për pushtet, por njëra, ajo më e egra, ka veshur rrobat e një klase që nuk ekziston më, vetëm se i lipset për të thënë se është tjetërgjë. Për të theksuar këto dallime të dy palët fusin në lojë, deklaratat, monumentet, portretet, shallet e luftës.
Edhe dekorimet si korrjet e bollshme janë pjesë e luftës së tyre
Enverizmi i mësoi shqiptarët që të rrojnë duke thithur ajrin me barot luftërash, saqë duket sikur ata asfiksohen nga ajri i pastër. Në atdheun tonë janë bërë të padurueshme ikonat e paqes. Në këtë vend të ngratë ka më shumë hapësirë për Berishën që u fryn borive të luftës, se sa për Nënë Terezën e paqtë ëngjëllore.
Dhe strategjia qëllimkeqe e madhështimit të Luftës Nac Çlirimtare u përdor bash që të hapen sheshet për statuja madhështie, që shkallë-shkallë të arrihet te rikthimi i diktatorit në sheshin e Skëndërbeut. Për këtë shërbyen fanfarat e nëntorit që sollën dekorimet e Perllakut, Nexhmie Hoxhës dhe Vito Kapos.
Ja, Vito Kapo! A nuk ju ngjan kjo luftëtare e harruar, njësoj si ai veterani im që shtonte gjermanët e vrarë nga dyfeku i tij? Si ndodh që vitet e paqes shtojnë heroizmat e luftës?! Përse dekorohet kjo zonjë pas shtatë dekadash?! Për “meritat e mëdha” që ajo, me të shoqin dhe shokët e tyre e shndërruan vendin në ferrin e Europës?! Apo për merita të panjohura në këto 24 vjet të mënjanimit të saj?!
Në këtë dyluftim politik dekorimesh vitrina shqiptare është bërë qesharake, bile groteske. Vlerësimet aty më ngjasin me hollimin e rakisë. Sfidimi i kundërshtarëve politikë, pompimet historike, shpërblimet e militantëve dhe klientelizmi kanë inflacionuar vlerat dhe kanë sjellë barazitizëm në nivele të mjeruara.
Që tani Shqipëria është populluar shumë me “Ndere Kombi”, Rakia është bërë ujë. Unë nuk mund të përfytyroj se si shumë prej këtyre “Ndereve” nuk rrijnë mbi gjemba në alltarin e kombit, bri, fjala vjen, Isa Boletinit, Mitrush Kutelit, Nënë Terezës, apo Ismail Kadaresë.
Me yryshin e këtyre kohërave, unë kam frikë se shumë shpejt do të bëhen mjaft të rrallë shqiptarët e padekoruar.
Në atdheun tim më shumë luftohet se sa punohet. Dhe lufta dihet që është gjenerator lavdish. Ekonomia mund të jetë më I vogël vendi për aq shumë statuja e dobëta në Europë, jetesa mund të jetë më e vështira. Por kjo nuk e pengon valën e dekorimeve. Kur udhëtoj e shoh buzë rrugës fusha të papunuara mendoj se ato nuk është e nevojshme të mbillen. Janë vërtet sheshe të përshtatshëm për statujat e shqiptarëve të sotëm.
Vend i bekuar nga Zoti!
Pellumb Kulla