Idrizi “tortën”, Meta “portën”!
Nikoll LESI.
Më në fund doli ajo çka parashikuam me kohë, se Shpëtim Idrizi do të kalonte me Edi Ramën. Dje marrëveshja PS-PDIU u bë fakt. U soll e u përdrodh Idrizi i çamëve dhe e firmosi pazarin me PS-në, pak përtej Pazarit çam. Mori çka deshi, ndonëse duket sikur paktin e bënë për parime të Çamërisë. Tashmë kuptohet se Ilir Meta, pas konfliktit me Tom Doshin është dobësuar dhe nuk pati mundësi ta pengojë ardhjen e partisë së çamëve me 6 deputetë, ndonëse thonin formalisht se “nuk ka problem”. Pjesë e prurjeve të reja në PS,nëpërmjet PDIU, duket se është dhe Mesila Doda e PD-së, e cila ka lidhje me çamët dhe do të jetë kandidatja për ministre në qeverinë ‘Rama’ të paszgjedhjeve të 21 qershorit. Dhe këtu nuk bën keq kreu i Qeverisë me një ministre çame, e cila ka manifestuar kurajo e dinjitet.
Edi Rama është forcuar shumë pas sherrit Doshi-Meta dhe ndjehet se nuk pyet shumë për LSI-në e Metës. Po ta shohësh kreun e PS-së është më në humor, i qeshur, bën shaka, batuta dhe duket sikur largimi i Tom Doshit dhe zbehja e Metës e ka mikluar,bile relaksuar.Dikush thotë se hoqi “dy gurë të rëndë nga qafa”.Pavarësisht se para konfirmimit të koalicionit me Idrizin, Rama zhvilloi një takim formal me kreun e Kuvendit, PS-ja la fushë të lirë për PDIU-në në 4 bashki. Fakti që firmosën edhe për bashkëqeverisje tregon se PDIU-ja e Idrizit bën me PS-në e Ramës 72 deputetë, pa Ilir Metën. Lojë fine e Ramës për të dobësuar forcën e LSI-së?! Nuk dihet akoma skenari rezervë! Apo i duhen Ramës për të shkuar tek numri 92 për ndryshimet kushtetuese? Matematikë e vështirë e Ramës. Eshtë sikur të kërkosh të gjesh rrenjën katrore të minus njeshit !
Duket se po vijnë kohë të vështira për LSI-në e Metës, e cila u sulmua egër këto muaj nga segmente të PS-së, të cilat nuk dihet akoma nëse kishin suportin e Ramës. Problemi nuk qëndron se PDIU-ja bëri aleancë me Edi Ramën, pasi mbetet një e drejtë e çdo partie të vendosë vetë për fatet e saj. Ajo që nuk shkon në këtë koalicion, apo “pazar” është shitja e vetvetes si një akt parimor.Partia e çamëve mandatin e kryetarit e mori nga PD-ja dhe votat për deputetët e tjerë, pothuaj i mori vetë.Gjatë viteve të PS-së në opozitë, kur Berisha bënte koalicione akrobatike me çdo forcë që kishte qoftë edhe një deputet në Kuvend, socialistët thoshin se një aleancë politike duhet të ketë moral. Madje, kupola e PS-së përbetohej se në qeverisjen e tyre nuk do trafikoheshin parti dhe deputetë nga kampet kundërshtare. Vetë Rama deklaronte se nuk do të bënte marrëveshje që fyejnë votuesit. Sot që votat e marra nga e djathta kanë hyrë në PS, cili është morali i kësaj marrëveshje? Pikëpyetjet shkojnë dhe më tej, teksa analizon se përse i duhet një koalicion i tillë PS-së. A nuk i mjaftojnë 1 milion vota për të fituar zgjedhjet? A është afrimi i PDIU-së një mënyrë për të kompensuar në bazën e majtë ikjen e mundshme të Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos nga koalicioni? Apo është thjesht zënia e karrigeve bosh që la tek e majta Tom Doshi dhe Mark Frroku? Marrëveshja mund të jetë e leverdishme në aspektin e numrave dhe i jep garanci PS-së për çdo luhatje humori që mund të ketë LSI-ja, por nga ana parimore ka jo pak probleme. Ka probleme, sepse selia rozë firmosi dje marrëveshje që dikur i ka goditur fort si fenomen antipolitik. Ata që janë votuar për të qenë në opozitë s’mund të jenë edhe pjesë e reformave të qeverisë. Të mos harrojmë, PDIU-ja për nga numri i deputetëve ishte deri dje forca e dytë e opozitës. Pra i ke vjedhur opozitës numrin dy si parti.
E dëmtuar në këtë rast është opozita. Nuk është puna për të mbrojtur Berishën, pasi atij mirë iu bë dhe prapë i bëhet më mirë, sepse ishte ai që e degjeneroi procesin e përzgjedhjes së deputetëve në vitin 2013 kur ishte majë fikut të pushtetit. Ai futi në lista interesaxhinjë, pazarxhinjë, deputetë pa shkollë e pa dinjitet, sikurse futi edhe emra VIP, natyrisht. Por në thelb, nuk bëri përzgjedhje, ndaj mori atë rezultat historik e katastrofik në vitin 2013.
Problemi mbetet se kështu mazhoranca mund të bëjë çfarë të dojë duke patur një supermazharoncë, e cila as në vendet gjysmë diktatoriale nuk është aq e madhe sa në Shqipëri. Nuk është problemi se Edi Rama do të bëjë namin duke vendosur një regjim hibrid diktatorialo-demokratik (si në disa vende të Amerikës Latine), pasi ka shumë faktorë që nuk e lënë.Nuk besoj se as ai vetë nuk e do një rregjim të tillë votash.Por frika mbetet se duke bërë një supermazhorancë interesash private, mund të degjenerojë nga pak e përditë vetë sistemi i demokracisë dhe nuk ka më çfarë t’i bëjë as Ambasadori Amerikan, Lu.
Ndaj, fakti që çamët erdhën në gjirin e Ramës nuk është një sihariq.Është një interes personal i partisë së tyre, por demokracia nuk është interes privat. Ndaj shihet paksa me dyshim ky pazar, sepse duke pasur edhe një PD ende të parinovuar e të kalçifikuar në gen nga berishizmi, ka rrezik që supermazhoranca të marrë përpara çdo skalion demokracie.
Edi Rama është një kryeministër punëtor dhe pasionant, por duhet kontrolluar. Ai ka hap të gjatë dhe më pas, po iku larg, nuk mbahet më!
Ndaj më mirë duhet kujdes, edhe nëse ne gabojmë duke dyshuar tek Kryeministri!