Ikën turku, vjen serbi
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:03
Tirana është kthyer gjatë këtyre ditëve në një qendër të zhvillimeve gjeopolitike rajonale. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan vizitoi dje kryeqytetin. Ndërsa më 27 maj është parashikuar vizita e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Të dyja vendet kanë peshë specifike në zhvillimet në rajon dhe vizitat e politikanëve kryesorë, veç kortezisë diplomatike, sjellin edhe mesazhe që kanë të bëjnë me të ardhmen e marrëdhënieve dhe rolin që Shqipëria ka sot në Ballkan.
“Vëllai i madh”
Vizita konsiderohet e veçantë për shumë arsye. Turqia është një nga superfuqitë rajonale dhe vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike. Në takimet e zhvilluara dje mes Erdogan dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë u fol për 1 miliardë dollarë shkëmbime tregtare mes dy vendeve. Aktualisht janë 260 kompani turke që operojnë në tregun shqiptar. Delegacioni turk përbëhej nga 120 biznesmenë që kërkojnë të shtrijnë aktivitetin ekonomik në vendin tonë. Në një krizë ekonomike rajonale investimet turke janë një garanci për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Veç aspektit ekonomik, Turqia ka marrë përsipër edhe realizimin e disa veprave publike. E para është Xhamia e Tiranës. 30 milionë eurot për ndërtimin e saj janë dhënë nga autoritetet turke. Një tjetër projekt me vlerë më të madhe investimi është dhe i ndërtimit të godinës së re të Parlamentit shqiptar. Zyrtarisht, një nismë e tillë nuk u konfirmua, por gjatë takimeve mësohet se është diskutuar që ndërtimi i këtij projekti do të financohet nga autoritetet turke.
Veç aspektit ekonomik, fuqizimi i marrëdhënieve me Turqinë ka për Shqipërinë dhe një tjetër rëndësi gjeopolitike. Jo rastësisht, Erdogan foli për zhvillimet në Maqedoni duke përmendur zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje është as më shumë dhe as më pak plotësimi i të drejtave për shqiptarët e Maqedonisë nga qeveria e Gruevskit. Në situatat e ditëve të fundit, kur Serbia thotë se është e gatshme të ndihmojë qeverinë e Gruevskit për të zgjidhur “problemet” që ka me shqiptarët, fjalia e Erdoganit ishte një mesazh i qartë dhe për ndërhyrjet serbe apo të vendeve të tjera në Maqedoni. Erdogan është burrë shteti që nuk ka shumë llafe të tepërta; ai nuk buzëqesh shumë,por vepron me autoritet të fortë. Dhe Serbia nuk e “kruan” me Turqinë në asnjë rrethanë. Bile edhe Greqia si vend anëtar i BE e mban mirë me Turqinë.
Turqia ka marrë rolin e “vëllait të madh” në marrëdhëniet me Shqipërinë. Bujaria ekonomike dhe mbështetja e fortë diplomatike, sigurisht që kanë një çmim. Një pjesë e mediave e lidhën fjalimin e Erdogan për largimin e strukturave paralele të terrorizmit me lëvizjen e Fejtyllah Gylen, një multimiliarder turk që jeton në SHBA, aktiviteti i të cilit shihet nga Erdogan si kërcënues i qeverisë turke. Rendja e një pjese të opinionit shqiptar për të hyrë në problemet e brendshme të Turqisë dhe për të kërkuar qëndrime parimore nga Tirana lidhur me zhvillimet në Ankara, është jashtë mundësive dhe interesave të Shqipërisë. Turqia është një nga vendet kryesore të NATO-s, kandidat për në Bashkimin Europian dhe një superfuqi ekonomike që bashkëpunon me shtetet më të forta dhe me vendet më demokratike në botë. Shqipëria, duke ruajtur interesat e saj, duhet ta shohë afrimin e Turqisë si një mundësi për të rritur bilancet ekonomike dhe si garanci ndaj faktorit shqiptar në rajon. Pjesa tjetër e debatit, për atë çka ndodh në Turqi dhe çfarë përfaqëson Turqia është një çështje larg mundësive për t’u trajtuar apo shqetësuar vetëm qeveria shqiptare. Nuk ka takat Shqipëria të jap mend Turqisë apo edhe nuk ka përse krijon qejfmbetje me Ankaranë për atë problem që ka Erdogan. Erdogan duket se do të jetë gjatë në krye të Shtetit turk, prandaj më mirë një mik të fortë e të mirë që sa herë ka probleme rajonale një e teshtitur turke sjell kollë në Ballkan.
Armiqtë e vjetër
Pas Erdogan, vizita e kryeministrit serb në 27 maj është një tjetër pikë kulmore e zhvillimeve në rajon. Aleksandër Vuçiç mbërrin në Tiranë si kryeministri i parë i një qeverie serbe në vizitë zyrtare. Vizita pason qëndrimin e Ramës në nëntorin e vitit të kaluar në Beograd. Megjithëse kanë kaluar disa muaj dhe ka pasur disa takime në samite rajonale të qeveritarëve të dy vendeve, tensionet nuk kanë munguar. Ndeshja e tetorit të vitit të kaluar mes dy kombëtarëve të futbollit nxori në pah mërinë dhe nervin ballkanik mes dy shteteve. Akuza, nota protesta në ambasada dhe fyerje deri edhe personale mes dy kryeministrave janë shkëmbyer gjatë këtyre kohëve. Megjithatë, “armiku” i vjetër vjen në Tiranë si mik. Problemet mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk zgjidhen me disa takime. Do të duhen shumë vite derisa të mund të flitet për marrëdhënie normale mes Beogradit dhe Tiranës. Por takimi i radhës është një hap përpara. Vuçiç nuk do të ketë ndryshuar qëndrim për Kosovën dhe as për incidentin me futbollistët shqiptarë. Kjo është diçka që tashmë dihet. Ajo që duhet të ndryshojë mes marrëdhënieve të dy vendeve është fakti se Serbia duhet të kuptojë se është e detyruar të pranojë realitetin e ri në Ballkan dhe se të dyja vendet janë të “dënuara” të bashkëpunojnë në aspektin ekonomik.
Komshiun ta zgjedhë Zoti,kurse mikun e zgjedh vetë- thotë një fjalë e urtë popullore. Ndaj nuk kemi ç’të bëjmë , porse jemi të detyruar të jemi miq se mbetemi komshi.