Ikin kriminelët politikë

 

 

Me 131 vota Parlamenti miratoi dje ligjin për dekriminalizimin e politikës dhe ndryshimet Kushtetuese për zbatimin e këtij procesi. Si rrallë herë mazhoranca dhe opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët duke i hapur rrugë një projekti që do të mundësojë pastrimin e institucioneve shtetërore që nga Parlamenti për largimin e personave me precedentë penalë.  Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dhënë menjëherë pëlqimin për hyrjen në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese duke bërë që efektet e zbatimit të tij të nisin menjëherë. Ligji i “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur dhe me termin Dekriminalizim është një prej më të debatuarve gjatë dy viteve të fundit.

Projekti përfundimtar që u miratua dje ka pasur asistencën e selive diplomatike kryesore të huaja në vend, sidomos të ambasadorit amerikan Lu. Ambasada Amerikane vetëm pak minuta pas kalimit të draftit në Kuvend ka shprehur mbështetjen për miratimin e një vendimi të tillë, duke e cilësuar si ligjin më të ashpër në Europë kundër kriminelëve. Por teksa vë theksin tek rëndësia e këtij ligji, Ambasada shton se tashmë duhet bërë më shumë kundër korrupsionit. “Ky ligj është më i ashpri në Europë kundër kriminelëve në politikë. Ndërkohë që ky ligj është rezultat i punës së madhe si nga shumica ashtu edhe nga opozita, në fund të fundit ai është një fitore për qytetarët shqiptarë që duan qeverisje të pastër dhe fundin e korrupsionit. Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit, ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ulur ndikimin e elementëve kriminalë në vend”,- thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Ligji u miratua si një kërkesë e opozitës për dekriminalizimin e politikës. Përveç kushtit të PD-së për testin e drogës, pothuaj të gjitha kërkesat e tjera për largimin e të inkriminuarave janë miratuar. Por çfarë pritet të ndryshojë ky ligj në administratën shtetërore dhe në politikë?

Ligji ka fuqi prapavepruese dhe për çdo person që është në detyrë, kur ka të dhëna kriminale atehëre zbatimi i ligjit do të bëhet menjëherë. Në rast se një deputet, ministër, kryeministër apo kushdo zyrtar i institucioneve kushtetuese rezulton se ka fshehur dënime të formës së prerë nga gjykata në Shqipëri, apo vende të tjera, në bazë të ligjit të ri mandati i hiqet brenda pesë ditëve. Duke u bazuar në deklararat e PD së në Kuvend janë rreth 17 deputetë me precedentë penalë, nëse këto rezultojnë të vërteta pritet të ketë jo pak ligjëvënës që do të lënë mandatin.

Procesi i parë për zbulimin e kriminelëve në administratë është vetëdeklarimi. Personat që preken nga ky ligj, duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë se nuk kanë kryer asnjë vepër penale të parashikuar nga ky ligj. Më pas, për çdo person që ka të dhëna do të nis procedura e verifikimit që përfshin Prokurorinë dhe Shërbimin Informativ Kombëtar. Në rastet kur ka dyshime për zyrtarë të lartë që janë dënuar për krime të ndryshme, një grup deputetësh mund të bëjë një kërkesë zyrtare në Prokurori për të nisur verifikimin. Kur një zyrtar ka fshehur dënimet edhe kjo konsiderohet shkelje dhe do të nis procedim penal.

Nga ana tjetër, ligji është mjaft i ashpër me personat që kandidojnë për në postet publike. Në mënyrë kategorike, u ndalohet zgjedhja dhe emërimi i funksionarëve publikë, që kanë kryer një vepër penale të përfshirë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Personat të cilët rezultojnë të dënuar për vepra penale që nga manipulimi i zgjedhjeve e deri tek vrasja nuk kanë të drejtë të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie apo këshilltarë në këshillin bashkiak. Gjithashtu nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë postin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave. Veç kësaj u ndalohet të kandidojnë këshillat bashkiakë ose të qarkut. Ky ligj vlen edhe për rastet kur nuk ka një vendim të formës së prerë nga vendet të tjera si në BE dhe SHBA.

Votimi i dekriminalizimit në Kuvend hap një fazë të re në politikën shqiptare. Parlamenti dhe administrata pritet të përfshihen në një periudhë pastrimi nga trafikantët, tutorët dhe gjithë shkelësit e ligji që kanë zënë vend në institucionet shqiptare.

Filloi spastrimi i madh.

 

 

SHKARKO APP