Iku Kerry, erdhën muxhahedinët

Edhe pse nuk u fol publikisht për çështjen e muxhahedinëve iranianë duket se kjo temë nuk ka mbetur jashtë bisedimeve mes John Kerry-t dhe Edi Rames ditën e dielë.Zëri i Amerikës, raporton se Sekretari i Shtetit gjatë vizitës në Tiranë, ka falenderuar Shqipërinë për strehimin e muxhahedinëve. “Gjate dy viteve të fundit, Shqipëria ka strehuar rreth 1000 muxhahedinë si dhe ka rënë dakord për të strehuar dhe 2000 të tjerë”, ka thënë për Zërin e Amerikës një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, transmetoi Top Channel. Më tej, ai shton se gjatë vizitës të së dielës është rënë dakord që Sekretari Kerry të mos flasë në publik për zhvendosjen e tyre, pasi kjo temë është ende shumë sensitive. Ndaj erdhi ne Tirane. Foli, buzeqeshi, dha porosi për drejtesinë dhe mori premtimin për muxhahedinët. Natyrisht që kryeministri Rama ka bërë veprimin e duhur për mirëpritjen e kontigjentit tjetër prej 2 mijë vetave që do të vijnë në Shqipëri në muajt në vazhdim.Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe një kandidate e denjë për në BE, duke mos harruar nje mike e veçantë e SHBA. Amerika aleati më i madh dhe me i sigurtë për shqiptarët, kudo ata jetojnë. Në fund, “Zëri Amerikës” raporton se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë me asistencë teknike dhe monetare, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, për të rritur kapacitetet për strehimin e tyre.Ndërkaq, pas përfundimit të takimeve në Tiranë, Departamenti Amerikan i Shtetit në profilin e tij në “Facebook”, i ka kushtuar një rëndësi jo të vogël, vizitës së Sekretarit Kerry në Shqipëri. Kanë qenë tre postime me përshkrimet përkatëse, të cilat kanë shërbyer dhe si një përmbledhje e të gjithë takimeve dhe mesazheve të dhëna nga Sekretari John Kerry gjatë qëndrimit në Tiranë.Takimi me Presidentin Nishani në aeroport, deklarata e përbashkët me Kryeministrin Rama, e në fund një album fotografish të çdo etape të qëndrimit të Sekretarit Kerry në Tiranë, shoqëruar me thënien e tij se “Shqipëria mund të mbështetet plotësisht në miqësinë dhe përkrahjen e qytetarëve dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. John Kerry iku i qetë se Shqiperia po bën hapa përpara, dhe pas tij po vijnë muxhahedinët iranianë, si pjesë e një marrëveshje e cila nuk është bërë publike. Duhet që pala shqiptare të jetë korrekte në këtë pikë, pasi mbetet çështje esenciale pritja e këtij kontigjenti të madh.Shqiptarët janë popull mikpritës e paqedashës ndaj i presin muxhahedinët. Edhe sikur vetë të mos kenë bukë për të ngrënë përsëri mikun e presin krahëhapur, si gjithnjë në historinë e kombit tonë. Prandaj kryesore për qeverisjen e Ramës mbetet fakti se duhet të mbajë fjalën e dhënë John Kerry në Tiranë si dhe të tregojmë mikpritjen tonë kundrejt edhe 2 mijë muxhahedinëve të cilët u ra dakort të vijnë në Shqiperi. Edhe bashkia e Tiranës po mendon seriozisht se si ti presë edhe 2 mijë të tjerë për të cilët po shikohet mundësia të strehohen në banesat sociale që ndërton bashkia për të pastrehët.

Kerry ishte i qartë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Asnjë pengesë ndaj kujtdo që shkel ligjin. Nuk ka ndihmë me të madhe për shqiptarët se sa premtimi publik i Kerrit se do t’ju ndihmojmë në këtë betejë me krimin. Ndaj politika të ulet e debatojë për reformën në drejtësi dhe ta kalojnë brenda muajit mars siç premtoi kryeministri Rama.

A.S.

Teksti i plotë nga radio “Zëri i Amerikës”

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mes të tjerash e shfrytëzoi vizitën e tij në Shqipëri për të falenderuar qeverinë për sistemimin e anëtarëve të një grupi opozitar iranian të njohur me emrin Mujahedin e Khalq, ose MEK, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Pam Dockings, e cila ishte në avionin e zotit Kerry gjatë udhëtimit të tij në Tiranë.Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka pranuar rreth 1,000 anëtarë të këtij grupi, dhe sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, ajo ka premtuar të pranojë edhe 2,000 të tjerë.Zyrtari i bëri komentet përpara arritjes së zotit Kerry në Tiranë.Shumica e anëtarëve të MEK kanë jetuar në kampet e ngritura në SHBA në Irak. SHBA e kanë ndihmuar Shqipërinë për risistemimin e grupit, i cili ka mbështetur operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit.Ndihma amerikane përfshin një donacion prej 20 milion dollarësh dhënë agjencisë së OKB-së për refugjatët, për risistemimin e MEK, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit.Për këtë qëllim, edhe Shqipërisë i është dhënë ndihmë sigurie dhe zhvillimi për të shtuar aftësitë e sistemimit të refugjatëve.

Shqipëria, rol në luftën kundër ekstremizmit

Zyrtari i Departamentit të Shtetit që foli me gazetarët, tha se qëllimi kishte qenë që vizita të bëhej në dhjetor kur zoti Kerry ishte në rajon, por meqenëse nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme ishte shtyrë për këtë radhë.Zyrtari tha se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në rajon në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe vlerësoi përpjekjet në këtë drejtim.Ai tha se sfida më e madhe për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përsa i takon përparimit të mëtejshëm, kanë qenë problemet e vazhdueshme me krimin, korrupsionin, shtetin ligjor.“Ata janë tani në një moment kyç për përballimin e këtyre sfidave. Kanë shënuar një sukses të konsiderueshëm pas një procesi të vështirë kundër krimit të përfshirë në politikë. Kishin anëtarë nga të dyja partitë kryesore, anëtarë parlamenti që ishin të akuzuar për krime dhe që nuk kishin pasur asnjë pasojë në politikë nga ai aktivitet. Tani e kanë kapërcyer këtë”.Zyrtari përmendi punën për paketën e reformave në drejtësi që do të forcojë sistemin ligjor. Ai theksoi se një nga arsyet e vizitës ishte meqë tani po bëhen negociatat me opozitën për reformën dhe sekretari donte të përforconte mesazhin se kjo paketë është pjesë e pastrimit të Shqipërisë, jo vetëm që të ketë argumenta të forta për anëtarësim në BE por edhe për të përmirësuar klimën e investimeve.

 

SHKARKO APP