Integrimi në dorë të Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e mazhorancës për të hequr masën e pezullimit për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe me emrin Veting. Ligji u miratua me 30 korrik. Më pas u ankimua nga Partia Demokratike në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit me 25 tetor vendosi pezullimin e ligjit duke kërkuar mendimin e Komisionit te Venecias. Për mazhorancën pezullimi i Vetingut është jo vetëm një procedurë e paqartë ligjore nga ana e Gjykatës, por edhe një vendim që lidhet me procese të tjera të vendit. Në seancën e djeshme që zgjati më shumë se 4 orë qëndrimi i mazhorancës u pasqyra nga ish-kryeministri dhe deputeti Pandeli Majko.
Veç argumenteve juridik, Majko solli në vëmendjen e gjyqtarëve edhe faktin se nga ky ligj varet çelja e negociatave të Shqipërisë për hyrjen në Bashkimin Europian. “Në dhjetor, Brukseli zyrtar do të merrë vendimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin e plotë të saj në Bashkimin Europian. Nga vendi jonë pritet që të bëjë hapa të dukshëm, konkretë dhe seriozë në zbatimin e reformës në drejtësi. Funksionalizimi i ligjit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kushti kryesor. Ecuria e mëtejshme europiane e Shqipërisë varet thelbësisht nga vendimarrja e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”,- tha Majko.
Pavarësisht këtij argumenti, gjyqtarët e Kushtetueses argumentuan se nga faza e parë e shqyrtimit të ligjit dhe deri më sot nuk ka ndryshuar asgjë. Ç’ka nënkupton se ende Venecia nuk e ka kthyer përgjigjen dhe për pasojë zbatimi i ligjit është i pamundur. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë vendimin final pas datës 10 dhjetor kur pritet kthimi i përgjigjes zyrtare nga Komisioni i Venecias. Nga ana procedurale argumenti duket se qëndron. Por ky ripezullim i ligjit djeg shanset e mazhorancës dhe të ndërkombëtarëve për nisjen e zbatimit të reformës. Interesi për zbatimin e këtij ligji është i madh jo vetëm nga ana e mazhorancës, por edhe ndërkombëtarëve. Si rrallë herë, në seancën e djeshme ishin të pranishëm edhe ambasadorët e SHBE-ve, Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlauhtin. Janë dy diplomatët që u investuan direkt përgjatë një viti për kalimin e reformës në drejtësi. Tashmë, pas votimit të saj me konsensus ndodhen para faktit të kryer të bllokimit të saj nga Gjykata Kushtetuese.
I vetmi gjyqtar që ka dhënë dje një shpjegim për pezullimin e ligjit të Vetingut është Vladimir Kristo, gjyqtari më i vjetër i gjithë sistemi juridik në vend. Argumenti i tij nuk ishte vetëm ligjor, por ngriti edhe një problem moral për gjithë esencën e reformës në drejtësi. Kristo tha se “pa reformuar sistemin politik, të gjitha reformat e tjera (edhe ajo e drejtësisë) nuk mund të kenë efekte afatgjata”. Moralisht gjyqtari me përvojën më të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare ka të drejtë. Pjesë e korrupsionit në drejtësi është dhe politika, e cila ka zgjedhur, promovuar dhe shpesh herë ka ndërhyrë në vendimet e gjyqësorit. Por sot jemi në fazën kur ka një ligj të miratuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për pastrimin e drejtësisë, e cila më pas do të pastrojë edhe politikën. Mënyra e vetme për të ndërhyrje te politika e korruptuar është që drejtësia të jetë e aftë për të mos pasur ndikime nga politika. Ky proces nis nga Vetingu, kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve që sot po mbahet pezull nga Gjykata Kushtetuese.
Veç kësaj, ky ligj është i lidhur si asnjëherë më parë më integrimin. Nëse Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë pezullimin e tij, atëherë në dhjetor nuk do të kemi as hapje të negociatave dhe as nisje të zbatimit të reformës në drejtësi.
Pra Gjykata Kushtetuese ka në dorë Integrimin e Shqipërisë. Në dhjetor do jenë kryetarët e shteteve të cilët do të vendosin për pranimin ose jo në raport me ligjin e Vettingut.