Zoti Kryeministër! Ambasadorët nuk janë drejtorë hipoteke apo të legalizimeve

Dje kryeministri Rama zhvilloi një takim me ambasadorët e Shqipërisë. Duke folur për mungesën e investimeve në vend, Edi Rama i cilësoi si të paaftë ambasadorët e shtetit shqiptar për shkak se nuk kanë sjellë asnjë investitorë të huaj me projekte në Shqipëri.

“E kam pyetur veten dhe pyes edhe ju sot, shumë hapur: Po si ka mundësi që keni qenë kaq  të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e  duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq”,- deklaroi Edi Rama.

Me një gjuhë të thartë diplomatike, kryeministri i akuzoi ambasadorët dhe konsujt e nderit për paaftësi, mungesë vizioni. Nuk munguan dhe etiketime për delenxhinj, diplomatë mashtrues dhe mungesë vizioni.  Fjalimi i gjatë dhe i ashpër i kryeministrit u drejtohej gjithë diplomatëve, përfshirë dhe ministrin e tij të Jashtëm, Ditmir Bushati, që mesa duket i ka ditët e fundit në detyrë. Në të vertëtë kryeministri ka një të drejtë kur thekson se duhet diplomaci ekonomike. Por nëse do të kishte fituar me 25 qershor zgjedhjet duke ardhur nga opozita, edhe mund të pranohej kjo gjuhë sulmuese ndaj ambasadorëve të shtetit shqiptar. PS ka katër vite në pushtet dhe mundej që ministri Bushati ta kishte theksuar këtë aksiomë të kryeministrit. Nuk është dëgjuar asnjëherë kjo puna e diplomacisë ekonomike, ndonëse realisht duhet.

Në diplomacinë shqiptare ka jo pak probleme; mungesë profesionalizmi, nepotizëm dhe deri abuzime. Por duke pranuar problemet që ka diplomacia, nuk mund të bëhen përgjithësime. Jo të gjithë ambasadorët mund të etiketohen si të paaftë dhe shkelës të ligjit. Diplomacia është nga ato pjesë të shtetit që nuk mund të shpëtojë nga sëmundjet e përgjithshme që kalon vendi. Kur ka ministra të kabinetit Rama që kanë dhënë dhjetra milionë euro tenderime dhe nuk u ka hyrë ferrë në këmbë si mundet të mos kenë kopjuar edhe ndonjë ambasadë nga stili ministror!

Kryeministri foli sikur të kishte marrë sot detyrën e drejtuesit të qeverisë dhe gjeti një diplomaci të shkatërruar. Në 4 vjet vendi është drejtuar nga Rama dhe ministri i Jashtëm ka gjithmonë pjesë e kupolës së PS. Bile mik i kryeministrit. Nëse sot diplomacia, sipas kryeministrit Edi Rama, është një dështim, fajtorët nga ana politike duhet t’i kërkojë te vetja. Nuk mund të kritikojë me të njëjtin stil sikur është në opozitë, pas 4 vitesh qeverisje. Nëse kjo gjuhë e drunjtë ishte të sulmonte ministrin Bushati, kjo është gjë tjetër dhe mund të lehtësohet Rama nga kritikat, ndonëse më mirë të ishte më i drejtëpërdrejtë. Nëse i ra pragut të dëgjojë dera, tjetër punë.

Fjalimi i Kryeministri kundër diplomatëve është i pavend nëse njeh mënyrën si funksionojnë ambasadat. Selitë diplomatike shqiptare kanë një godinë, një makinë dhe shpesh herë nuk kanë as sekretarë dhe shoferë. Dhe as karburant të mjaftueshëm. Në jo pak shtete paratë e aktiviteteve për festën e 28 Nëntorit  diplomatët detyrohen t’i lypin te emigrantët biznesmenë në vende ku jetojnë. Ka diplomatë me gradën ambasadorë që detyrohen të kryejnë vetë edhe punën e shoferit, sekretares dhe të shërbimeve konsullore, për shkak se ambasadat nuk kanë fonde. Në kohën kur financimi i ambasadave është në këto nivele, si mund të kërkosh nga diplomatët të organizojnë aktivitete, forume dhe konferenca me biznese të mëdha? A e di kryeministri se ndodh shpesh që ambasadorët (lëre pastaj diplomatët e thjeshtë) nuk ka as euro për drekën me një investitor të huaj? E di zoti Rama se si jetojnë e paguhen ambasadorët e vendeve të tjera në Ballkan, pasi me BE nuk krahasohen fare? E di që pagat e ambasadorëve të Kosovës janë më të larta se sa të Shqipërisë që ka 100 e kusur vjet shtet? E di kryeministri që ndodh që iks ambasador niset për të shkuar në një takim të rëndësishëm dhe shoferi nuk zgjodhet nga gjumi, sepse shoferi është kusheri apo vëllai apo motra e deputetit? Apo e një zyrtari të lartë apo mediatiku? A e di kryeministri që ambasadat nuk kanë asnjë material promovues në anglisht që t’ju shkojë nga Shqipëria, por në shumë raste nxjerrin celularin dhe u tregojnë me anë të googlit se ku ndodhet Shqipëria?

Kryeministri i quajti “të leshtë” ambasadorët për shkak se nuk kanë sjellë asnjë investues të huaj në zyrën e tij. Ka raste pa fund, të publikuara në media, ku ambasadorë të veçantë kanë sjellë në Shqipëri investitorë të huaj. I kanë orientuar në ministri dhe drejtoritë që drejtohen nga qeveria “Rama”, por në fund biznesmenët kanë ikur me vrap nga Shqipëria. Arsyeja është e thjeshtë. Nëpër ministry, investitorëve u është kërkuar ryshfet për të realizuar projektet  e tyre në Shqipëri, ose nuk janë pritur fare nga institucionet. Ose ka ministra që nga frika se mos ka marrë gjë ryshfet ambasadori që e ka sjellë dhe vetë nuk përfiton gjë, nuk i pret apo bën sikur i dëgjon dhe pasi largohen nga zyrat e ministrisë i fut një telefon ambasadorit: A del gjë për mua?!

Diplomacia ekonomike aplikohet tashmë në gjithë vendet e botës, por ajo nuk bëhet sipas dëshirave personale të ambasadorit. Ambasadorët zbatojnë strategjinë e qeverisë. Pas 4 vitesh Qeveria “Rama” nuk ka ende strategji për investimet e huaja dhe për këtë nuk e kanë fajin ambasadorët. Në ambasadat shqiptare nuk ka as broshura dhe fletëpalosje të përkthyera në anglisht për turizmin shqiptar, sepse nuk ka fonde Ministria. Pas këtyre mungesave flagrante, si mund tu kërkosh të sjellin më shumë investime në vend.

Sigurisht, mes diplomatëve ka njerëz që nuk duhet të ishin në atë detyrë për shkak se nuk kanë lidhje me shërbimin e jashtëm. Por në takimin e djeshëm të Kryeministri ka diplomatë karrierë më me shumë se 25 vite përvojë. Janë njerëz që përfaqësojnë me dinjitet interesat e Shqipërisë në vendet ku shërbejnë dhe e njohin diplomacinë më mirë se gjithë ministrat që janë ndërruar këto vite. Pikërisht se janë të tillë është e pafalshme që kryeministri tu drejtohet njëlloj si drejtorëve partiakë të ipotekave që ka emëruar këto katër vite.

Një gjë të paktën nuk e bëri dje kryeministri: nuk iu kërkoi dorëheqjen për 24 orë si drejtorëve të ipotekave!

Edi Rama ka të drejtë për diplomacinë ekonomike, por duhet të ndryshojë shumë gjëra vetë në konceptet e tij për diplomacinë, në ministrinë e jashtme dhe pikëspëri të ministria e financave. Pra duhen paratë! Pa euro nuk bëhet gjë zoti kryeministër! Shto paratë për ambasadat dhe shto kërkesën e llogarisë ndaj tyre.

Edhe një gjë; nëse e gjithë kjo që u tha dje bëhet për të dërguar ish-deputetë të PS si ambasadorë apo edhe miq të qeverisë, atëhere shpejt do t’i dalë tymi.

S.Prulli

SHKARKO APP