Jo pazarit “Prim-Vjena”!

 

 

Përveç reformës në drejtësi apo dekriminalizmit politika është përfshirë ethshëm në një debat në distancë lidhur me mënyrën sesi do të ndryshojë Kodi Zgjedhor. Teksa PD-ja dhe PS-ja deklaronin se po diskutonin për ndryshimin e sistemit të drejtësisë, në skenë kanë dalë propozime që nuk lidhen me gjykatat, por me zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha kanë pranuar se mes tyre ka pasur diskutime për formën e re të ligjit elektoral. Një prej ideve që është hedhur në diskutim si gjoja rastësisht është ajo e Primit Elektoral. Primi  do të thotë se cilado parti që merr shumicën e votave në zgjedhje përfiton edhe një bonus në mandate deputetësh, i cili i garanton shumicën qeverisëse.Pra nuk ka nevojë për koalicione sepse ua merr krejt racionin e votave reale të atyre dhe e kalon për vete vetëm për faktin se ka dalë parti e parë. Është sistem i pranuar për ndonjë vend me demokraci shumë të zhvilluar, por kurrsesi jo për kushtet e Shqipërisë. Pavarësisht interpretimeve që i janë bërë nevojës se një sistemi të tillë, dy janë qëllimet kryesore të saj. E para, ka të bëjë me shmangien e koalicioneve. Me sistemin Prim, pushteti garantohet se do të ndahet gjithmonë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, si forca që në 25 vite kanë qenë në vendin e parë ose të dytë nga pikëpamja elektorale. Në këtë mënyrë, Rama dhe Basha duket se i kanë bërë llogaritë që në zgjedhjet e ardhshme të mos e vrasin mendjen për koalicione. Arsyeja e dytë lidhet me emra konkretë. Partia e parë që dëmtohet nga një kod i tillë zgjedhor është Lëvizja Socialiste për Integrim. Pavarësisht se ka 270 mijë vota, me një kod të tillë elektoral PS-ja dhe PD-ja marrin numrin e deputetëve në tavolinë dhe nuk kanë nevojë për votat e partive të tjera.

Sinjalin e parë se një reformë e tillë nuk do të kalojë me lehtësi e ka dhënë në mënyrë indirekte kreu i Kuvendit, njëherazi edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Dy ditë më parë, ai i kujtoi kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të jenë të dëmshme si ato të vitit 2008. Dhe pjesë e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008 nuk ishte vetëm zgjedhja e Presidentit, por edhe kodi i shumëdebatuar zgjedhor, për të cilin u bë dhe një grevë urie nga deputetët e LSI.

Por në këtë rast nuk është vetëm LSI-ja forca që dëmtohet. Me një goditje të lapsit, Rama dhe Basha, nëse kanë vendosur ta miratojnë këtë kod, nxjerrin nga loja gjithë partitë e tjera politike. Pra rrëzohet krejt pluralizmi politik dhe kalohet në qeverisje me rradhë ose “herë ti e herë unë”! Pra tani rri PS-ja 8 vjet në pushtet e më pas e merr PD 8 vjet të tjera. E prapë me radhë si në një Pazar. Ish-Presidenti dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi dje i paralajmëroi Ramën dhe Bashën se do të përballen me reagime të gjithë spektrit politik nëse e miratojnë një ligj të tillë. “Ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duhet bërë duke i marrë proceset në mënyrë paralele, që do të thotë të diskutohet në bazën e një konsensusi të gjerë dhe jo mbi bazën e bisedave dhe vullneteve okulte të dy apo tre individëve. Në rast se këta do e çonin kodin zgjedhor aty ku duan ata, do t’u bëja thirrje të gjitha partive politike, që nuk janë pak, të organizohen dhe të projektohen në interes të publikut”, – u shpreh dje Topi. Të alarmuara nga një ide e tillë kanë reaguar dhe partitë e tjera. Pak ditë më parë, rreth 20 parti të vogla të kryesuara nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, kërkuan nga Rama dhe Basha ndryshimin e kodit zgjedhor, por në mënyrë të hapur ishin kundër sistemit Prim.

Por kundër sistemit Prim ka dalë dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas tij, një model elektoral i tillë lë jashtë pushtetit dhe përfaqësimit një të tretën e votuesve të vendit, që nuk janë simpatizantë as të PD-së dhe as të PS-së. Teksa ka shprehur qëndrimin e tij, Berisha ka zbardhur edhe atë që ndodh në paskuintat e politikës. Sipas tij, ka qenë kryeministri Edi Rama ai i cili ka dërguar emisarë tek Basha që të realizohet pikërisht ky lloj sistemi elektoral. Në këtë pikë, duket se vetëm dy njerëz janë të interesuar për një sistem të tillë, Rama dhe Basha. Kreu i PD-së e sheh si mënyrën e vetme për të ardhur në pushtet, pasi i garanton një fitore në tavolinë dhe pa pasur nevojë të bëjë opozitë të fortë, por vetëm duke shpresuar që Ramës t’i bjerë numri i votuesve nga reformat pas mandatit të dytë. Ndërsa Rama duket se një sistem të tillë e sheh si mënyrën më të mirë për të qeverisur pa aleatë, pa ndarjen e tortës së pushtetit me LSI-në. Qëndrimi i Ramës dhe Bashës për sistemin Prim fakton se jo vetëm janë takuar në Vjenë (Austri), por edhe se kanë rënë dakord parimisht mbi atë çka do miratohet. Pra kjo mund të quhet marrëveshja  "Prim-Vjena"!

Por kur del Berisha publikisht e thotë “JO” pak kush e beson se mund të guxojë njeri në selinë blu të thotë ndryshe. Ndonëse nuk i dihet se Berisha është mplakur e mundet ta lenë të flasë si “plak”, por nuk e dëgjojnë , pra në selinë blu.

 

 

 

SHKARKO APP