Jozefina Topalli hedh “bombën” tek Basha
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:16
Zgjedhjet e 21 Qershorit kanë sjellë një bilanc të hidhur për Partinë Demokratike. Nga 61 bashki në gjithë vendin, mori vetëm 14. Por nuk është vetëm numri i bashkive ai që cilësohet si rezultat i keq për opozitën. Humbja e kandidatëve është votë me sistemin mazhoritar dhe një pjesë e faturës shkon edhe për kandidatët, modelin e fushatës që bënë apo dhe mënyrën sesi u përzgjodhen nga selia blu. Bilanci më negativ për PD-në është i votës popullore në Këshillat Bashkiakë në të gjithë vendin, ku demokratët e Bashës morën vetëm 316 mijë vota, rreth 20 mijë më pak sesa në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Ndërsa në krahasim me votat si subjekt politik, në zgjedhjet e vitit 2013 ka marrë rreth 140 mijë më pak vota.
Një disfatë të tillë, kur pas dy viteve pushtet qeverisja konsumohet dhe bie mbështetja elektorale janë një sinjal alarmi për Partinë Demkratike. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është ndër të paktët zyrtarë të lartë të selisë blu që dje ka vendosur të flasë pa dorashka. Në reagimin që ka bërë dje në rrjetet sociale, Topalli thotë se “harta e Shqipërisë është pothuaj mavi” dhe se “si koalicion jemi me minus 482 mijë vota”. E thënë thjesht, Topalli pranon se PD-ja ka humbur. Ish-kryetarja e Kuvendit duket se merret posaçërisht me qëndrimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Ne nuk kemi fituar dhe as kemi bërë hap të madh përpara”, – shprehet ajo.Ndërsa zëra të tjerë brenda PD-së kanë gjetur justifikime për humbjen që lidhet që nga ndarja territoriale dhe deri tek blerja e votës, Topalli thotë se “zgjedhjet nuk plotësuan standardet, por edhe kjo nuk është se na zuri gafil”. Ajo shton se PD-ja duhet të shohë më shumë brenda vetes, duke nënkuptuar se problemi i opozitës është tek opozita. Qëndrimi i Topallit pritet të sjellë zhvillime brenda Partisë Demokratike. Ndryshe nga PS-ja, ku zërat kundër kryetarit janë deri diku normalë, në PD ka shumë pak raste të daljes kundër linjës zyrtare. Dhe Topalli nuk ka kundërshtuar vetëm Bashën, por edhe qëndrimin e Berishës që si ish-kryetar i PD-së nuk shihte një humbje kaq të madhe. Thënë ndryshe, në PD duket se ka nisur sherri për rezultatin që e renditi më dobët se herët e tjera në këto zgjedhje.
Sigurisht që kritikat ndaj Bashës nuk mungojnë. Në sistemin politik dhe elektoral që ka sot vendi, Basha duhet të dinte, ose duhet të ishte këshilluar se futja në garë me një koalicion të vogël prej 15 partish nuk do t’i jepte asnjë avantazh. PDIU dhe PBDNJ nëse do të ishin pjesë e koalicionit të djathë do të kishin ndryshuar pamjen e rezultatit. Fryma e Re Demokratike, Partia Demokristiane dhe një mori parti të tjerash që duken të pa rëndësishme në fletën elektorale rezultuan se çuan vota në koalicionin e majtë. Nga ana tjetër, strategët që ideuan fushatën elektorale duhet ta kishin këshilluar kryetarin se në zgjedhjet vendore ka më shumë rëndësi kandidati dhe jo fjalimet për referendum popullor. Në fund, llogaritë bëhen me sa bashki ka marrë e djathta. Zgjedhjet vendore nuk mund të sjellin rrëzimin e qeverisë edhe sikur ato t’i merrte me shumicë opozita. Më kryesorja ishte qëndrimi ndaj kandidatëve; në Durrës në Dibër dhe në bashki të tjera, nëse përzgjedhja e kandidatëve do të ishte bërë më me shumë konsensus brenda strukturave dhe partive aleate, fitorja në këto bashki mund t’i takonte PD-së. Por nëse renditen gabimet e Lulzim Bashës si kryetar, nuk duhet harruar se PD-ja ka struktura, kryesi dhe forume drejtuese. Një pjesë e vendimeve nuk janë marrë të gjitha me kokën e Bashës, ndaj përgjegjësia nuk është vetëm e një njeriu. Dhe në listë ka jo pak figura të PD-së, deputetë, ish-ministra që kanë mëkatet e tyre në këtë fushatë. Në disa bashki ish-ministrat, të kënaqur me luksin që vunë në pushtet, u panë shumë rrallë në fushatë. Një pjesë e kandidatëve deklaronin gjatë fushatës, të deleguarit e partisë kishin shkuar në takime me banorët e bashkive vetëm gjatë prezantimit dhe më pas nuk u dihej vendndodhja. Një pjesë e ish-ministrave të Berishës shkuan në fushatë për të ngrënë dreka dhe thonin se “jemi në popull”, por popull nuk takuan. Ose kishte të deleguar të tjerë që shkonin në zonat e caktuara vetëm kur zhvillonte takimet Lulzim Basha dhe më pas zhdukeshin në Tiranë. Të tjerë deputetë dhe ish-ministra quanin angazhim maksimal në fushatë vetëm statuset që publikonin në Facebook. A thua se votuesit në fshatra lexonin facebook-un dhe ngroheshin si demokratë! Me një angazhim të tillë të emrave që kanë vite në PD, faji nuk mund të jetë vetëm i Bashës, por duhet parë edhe në strukturat e tjera të Partisë Demokratike. E një pjesë e këtyre tashmë kanë nisur dhe ngrejnë zërin për largimin e Lulzim Bashës. Zgjedhjet vendore nuk janë basti politik i Bashës. Basha duhet të gjykohet për zgjedhjet e përgjithshme dhe fati i tij politik do të vendoset në 2017-ën. Zgjedhjet vendore ishin një provë, një kolaudim i makinës së PD-së që drejtohet prej dy vitesh nga Basha. Prova e 21 qershorit tregoi shumë mangësi dhe defekte në funksionimin e PD-së. Gabime që kanë nevojë të analizohen dhe të mendohet riparimi për të ardhmen. Lulzim Basha ka nevojë të hap partinë për zgjedhjet e vitit 2017 dhe jo të rrijë deri tek gardhi i selisë blu. Rëndësi ka të zgjedhë emrat me mbështetje publike e popullore, e pak rëndësi ka që ato të thonë “Rroftë Basha apo rroftë Berisha!”. Rëndësi ka që të duan rrëzimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një fronti të madh antiRama. Nëse PD-ja ecën me synimin që ta vendosë prapë emra kandidatësh për deputetë që janë besnikë e fanatikë të linjës së selisë blu do ta ketë të vështirë ti fitojë zgjedhjet politike. Në vitin 2017 vendoset fati politik i Bashës dhe nëse PD-ja do të vazhdojë të jetë një forcë apo do të copëtohet e ndahet në copëza.
Topalli tha dje se për rezultatin e dobët duhet të shohim nga vetja. Ky është dhe hapi i parë serioz për nisjen e analizës në Partinë Demokratike. Por pas Topallit janë gati shumë të tjerë që mezi presin të hidhen në sulm kundër Bashës, i cili ka vetëm një zgjidhje; zgjerim të PD-së e jo duke iu dhënë teserën partiake, por duke ofruar për betejën finale 2017 çdo forcë e individ që sjellë impakt publik.
Nëse mbetet t’ia caktojnë emrat prapë një grup në PD apo ndonjë televizion do të përfundojë si një transmetues lokal i kësaj media që vendos se cilët do jenë kandidatët për deputetë siç bëri dhe në vitin 2013 e ky selia blu shkoi ” për lesh në presh”.