Ka prapë arrestime!

 

Deputeti Mark Frrok u arrestua  për herë të dytë nga policia, pas kërkesës për hetim të prokurorisë si i dyshuar për një vrasje në Belgjikë disa vite më parë. Për avokatët e tij akuza është e pabazë dhe e servirur keq në media për të dëmtuar politikisht deputetin e Shkodrës. Deri sa të ketë një vendim gjykate, Mark Frroku është si gjithë qytetarë e tjerë, i pafajshëm. Por ndërsa vetë Frroku dhe avokatët e tij pretendojnë pafajësinë, detajet e reja të dosjes së ardhur nga Belgjika dhe shkrimet e mediave të këtij vendi rëndojnë pozitën e politikanit shqiptar. Gjithnjë sipas dokumenteve që drejtësia belge ka dërguar për Frrokun akuza për vrasje është vetëm njëra nga veprimtaritë e jashtëligjshme. E kaluara e politikanit ka mjaft raste të pjesëmarrjes në “shfrytëzim prostitucioni” dhe “trafik të lëndëve narkotike”. Veç këtyre, në dritë ka dalë dhe një dënim i hershëm i Frrokut, këtë herë në Holandë, me tre vite burg për “trafik droge”. Sikur të mos mjaftonin dyshimet për aktivitetin në Belgjik, dje teksa parlamenti votonte dhënien e lejes për arrestim, Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë disa detaje të tjera për deputetin Frroku. Ai akuzohet dhe për fshehje të “pasurisë” dhe “pastrim parash”. Dhe duhet se prokuroria po bën një hetim e sulm ligjor ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin e sidomos që ka hyrë në politikë e në parlament. Atë që nuk e ka bërë Prokuroria shqiptare për 24 vite po e bën kryeprokurori Adriatik Llalla vetëm në këto tre muaj. Por duhet të presim se do të ketë arrestime të tjera, të nivelit shumë të lartë politik e qeverisës në këto vite. Kush e njeh mirë sadopak Adriatik Llallën  e di mirë se ai është njeri i vendosur e  i pa ndikueshëm, aq më tepër që ka bërë disa vizita kohët e fundit në SHBA, ndaj edhe ka mbështetje të fortë nga pala amerikane. Amerikanët dhe BE duan, dhe duhet patjetër , pastrim të politikës nga krimi. Është e tmerrshme kur mendon se në parlament kanë hyrë kriminelë e njërëz që e kanë vendin në burg e jo në parlament.

  Por në rastin në fjalë nuk mungon edhe një detaj më shumë se ironik mbi aktivitetin e Frrokut gjatë dy viteve në politikë. Sipas ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, i dyshuari për “trafik femrash” ka qenë dhe anëtar i Nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe të Drejtat e Grave dhe Fëmijëve. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë prodhon dhe promovon politika.

Rasti “Frroku” mori shkas nga përfshirja e tij në akuzat e deputetit Tom Doshi. Megjithatë, Mark Frroku nuk është as i pari dhe as i vetmi që ka ardhur në politikë me një të kaluar të dyshimtë. Gjithë historia e Mark Frrokut nuk vlen të diskutohet gjatë si emër, sesa si fenomen. Kjo edhe për mënyrën sesi reaguan institucionet. E kaluara e tij u fsheh me kujdes nga opinioni dhe vetëm kur autoritet belge ishin gati të bënin skandal diplomatik, nisën procedurat.

Arrestimi dy herë i një deputeti për akuza të frikshme në adresë të tij duhet të hapë një kapitull tjetër të jetës politike në vend. Është e kotë që partitë, parlamenti dhe gjithë klasa drejtuese e vendit të bëj sikur s’ka ndodhur gjë dhe “shenjtorët” janë mbledhur në Kuvend. Prova më e mirë e molepsjes së politikës shqiptare direkt ose indirekt me krimin e organizuar dhe trafiqet janë pasuritë e tyre. Nëse kjo duket akuzë e tepruar dhe inkriminon pjesën më të madhe të politikës, mjafton të shohësh deklarimin zyrtar të pasurive të deputetëve. Në shumë raste, deputetët zotërojnë pasuri që ua kalojnë dhe biznesmenëve që kanë vite që ushtrojnë aktivitetin. Çuditërisht, gjithmonë zerot e pasurive u janë shtuar pasi kanë hyrë në politikë. Veç këtyre ka dhe politikanë të tjerë që kanë deklaruar pak të ardhura, por jeta luksoze që bëjnë dhe bizneset e transferuara tek miqtë apo të afërmit, dihen nga të gjithë, përveç nga institucionet që duhet të zbatojnë ligjin. Nëse dekriminalizimi  duhet të nis, provat nuk duhen kërkuar askund tjetër veç tek pasuritë dhe bizneset e dyshimta. Lista e politikanëve të tillë nuk është e vogël. Depozitat bankare me miliona euro, bizneset që lulëzojnë kur në krah kanë emrat e deputetëve janë prova më e mirë e abuzimit me pushtetin. Këtu nuk po flasim për korrupsion. Vjedhja e taksave të shqiptarëve është një sport kombëtar i politikës. Këtu flitet për njerëz që kanë marrë pjesë në vrasje, trafiqe droge dhe prostitucion dhe që pasi kanë bërë gjithë këto, sot hyjnë në Kuvend dhe miratojnë ligje për ne. Dhe nëse i besojmë opozitës në Kuvend janë rreth 20 të tillë. Po opozita a nuk ka deputetë të tillë siç akuzon PS-në? Ka mbi pesë deputetë të tillë e që duhen hetuar. Një parlament me burra të mençur, atdhetar, profesionistë e ku deputetët mafiozë bëjnë ligjin. Ose e bënin pasi tashmë janë strukur pjesa tjetër e tyre që janë deputetë.

Ndaj prokuroria ka nevojë me shumë se kurrë për ndihmë, përkrahje, bile nëse e çon deri në fund këtë pastrim të politikës edhe për Medalje kombëtare. E pse mund ti duket dikujt si një teprim kjo që themi ? Se kemi nevojë të shpëtojmë nga mafia që ka hyrë në parlament, se kemi nevojë të qeverisemi më mirë,por edhe nëse nuk qeverisemi kenaqshëm, të paktën të mos drejtohemi nga mafia. Një qeveri e ndërron me votë kur nuk është e mirë për popullin, por kur në qeverisje e në politikë është mafia atëhere është fundi i fundit të një populli. Mafia qeveris si në mazhorancë ,ashtu edhe në opozitë. Ata, mafiozët merren vesh me njeri tjetrin se kanë tjetër kod, jo ligjin, por kodin e pasurimit dhe vrasjeve.

Më mirë pranga e sirena policie që arrestojnë politikanë mafiozë se sa të rrijmë e të themi se u shkel paksa demokracia! Me mafian nuk ka tolerim. Ata janë botë tjetër, nuk janë bota e shqiptarëve të lirë e punëdashës.

Qamil  Xhani

SHKARKO APP