Kajmaku i Vorës, varros kryeministrin Rama
Edi Rama ka vetëm një zgjidhje: të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë dhe populli le të vendosë nëse don prapë Ramën kryeministër apo jo. Por duhet shkuar në zgjedhje për zgjidhjen finale të krizës së fortë politike ku është futur vendi prej me shumë se një vit. Me gjithëato problematikë deputetë e ish-deputetë, kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë është mbushur kupa dhe nuk mban më.
Partia Demokratike publikoi dje dokumente që tregojnë se Agim Kajmaku “fituesi” i votimeve moniste të 30 qershorit në Vorë është arrestuar në Greqi në vitin 2003. Sipas dokumenteve të shtetit grek, që ka siguruar Partia Demokratike, Kajmaku i cili në atë kohë mbante emrin Jorgo Toto është arrestuar për përdorim të parave të falsifikuara sëbashku me disa persona të tjerë. Kajmaku është arrestuar dhe është liruar me detyrim paraqitje për veprën e falsifikimit, sipas selisë blu. Gjatë kohës se procesit në ngarkim të tij, ai është arratisur nga Greqia dhe ka ndërruar sërish emrin në Shqipëri.
Sipas dokumenteve të prokurorisë greke, për veprën penale për të cilën është arrestuar Kajmaku (Jorgo Toto) është ende në kërkim në shtetin grek. Vepra penale e falsifikimit të parave në Greqi dënohet deri me 10 vjet burg. “Fituesi” i votimeve njëpartiake në Vorë reagoi dje në Facebook për akuzat e Partisë Demokratike. Çuditërisht, Kajmaku nuk ka komentuar çështjet konkrete për të cilat e denoncon PD-ja, por ka folur në mënyrë të përgjithshme. Ai nuk ka folur për akuzën e arrestimit në vitin 2003, për përdorimin e parave false, për lirimin me detyrim paraqitje edhe pse dokumenti ka emrin Jorgo Toto.
Në vend të këtyre përgjigjeve, Kajmaku tha se “nuk është arrestuar asnjëherë për trafiqe në Greqi” dhe pranoi sërish se është e vërtetë që ka ndryshuar emrin. Reagimi ngjan paksa jo normal, pasi ai nuk është akuzuar për trafiqe nga PD-ja, por për përdorim të parave false. Gjithashtu, PD-ja nuk e ka akuzuar se përse ka ndryshuar emrin, por përse në formularin e dekriminalizimit nuk ka deklaruar arrestimin që i është bërë në Greqi. Kajmaku thotë se “nuk është arrestuar për trafiqe”, kur në fakt askush nuk e ka akuzuar për trafiqe. Akuza që i është bërë nga PD-ja lidhet vetëm me faktin se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe kjo automatikisht i heq të drejtën për të mbajtur detyrë shtetërore. Prokuroria e Përgjithshme ka dy javë që akoma nuk po arrin të verifikojë nëse Agim Kajmaku ka probleme ligjore apo jo në Greqi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste edhe pse kjo çështje ka disa javë që është temë kryesore e politikës, nuk e shohin të arsyeshme të japin asnjë deklaratë.
Në foto: Kajmaku duke marrë detyrën e kryebashkiakut me votimet e 30 qershorit
Në fakt, çështja e Agim Kajmakut nuk duhet parë më si zyrtari i radhës që bie në rrjetën e dekriminalizimit. Nëse akuzat e PD faktohen plotësisht, atëhere kandidati i PS-së në Vorë do të jetë zyrtari që i vëndos vulën e kriminalizimit total të Rilindjes. Sepse një kryeministër mund të gabojë me një apo dy emra që zgjedhë dhe që mund të mos kenë treguar të vërtetën. Por nëse lista vjen dhe shtohet çdo muaj me zyrtarë të inkriminuar, atëherë problemi duhet parë te kreu i qeverisë.
Mënyra sesi Edi Rama dhe PS janë sjellë pas çdo rasti përbën një tjetër skandal të Rilindjes. Kryeministri është investuar personalisht për t’i shpëtuar nga akuzat dhe për t’i nxjerrë të pastër njerëzit që ka kandiduar. Mjafton të kujtojmë betejën që bëri për Ervis Roshin në Kavajë dhe garancitë që u jepte qytetarëve se ishte i pastër. Po ashtu u soll dhe me Armando Prengën dhe së fundi dhe me Valdrin Pjetrin në Shkodër. Jo vetëm nuk ka pranuar t’i marrë si të vërteta akuzat e opozitës, por është hedhur në mbrojtje të njerëzve më të kaluarën problematike. Në fund, kur faktet janë vendosur mbi tavolinë dhe ka dalë se të zgjedhurit e tij ishin kontigjent në kundërshtim me ligjin, kryeministri është justifikuar duke thënë se përgjegjësitë janë personale. Por kur rastet e personave të inkriminuar shtohen çdo javë nuk kemi më përgjegjësi invididuale, por përgjegjësi politike të njeriut që i zgjedhë. Edi Rama është ai që bëri listat dhe vendosi se kush do ishte kryetar bashkie pa zgjedhje. Emrat që vendosi në 30 qershor nuk dolën nga PS-ja, por nga zyra e tij dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë. Kështu që kryeministri nuk mund të thotë më “nuk e dija”, sepse ka detyrimin për ta ditur se kush janë njerëzit që zgjedhë në emër të PS-së. Justifikimet që ka përdorur deri më sot, nuk pinë më ujë dhe nuk i beson askush. Me Kajmakun e Vorës, kryeministri i vuri kapakun modeli të tij duke e merituar emërimin “qeverisje kriminale”.
Edi Rama ka një zgjidhje: të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në një ditë dhe populli le të vendosë nëse don prapë Ramën kryeministër apo jo. Por duhet shkuar në zgjedhje për zgjidhjen finale të krizës së fortë politike ku është futur vendi prej me shumë se një vit.
Mili Xhani
Në foto: Kajmaku me kryeministrin në Vorë