Kancelarja gjermane Merkel dhe CDU/CSU: Jo zgjedhje pa opozitën!

Drejtuesit e CDU/CSU, partitë që qeverisin me kancelaren Merkel, kanë deklaruar për radion shtetërore gjermane “Deutsche Welle” se “Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje”.

Në kulmin e krizës politike dhe kur qeveria “Rama” duket e vendosur të çojë vendin drejt konfliktit me zgjedhje pa opozitën, ka ardhur apeli i fortë i ndërkombëtarëve. Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU), partitë që kanë shumicën qeverisëse në Gjermani, në një deklaratë të përbashkët kërkojnë nga klasa politike shqiptare që të gjejnë në mënyrë urgjente dialogun dhe të shmangin krizën. Mes shumë reagimesh që kanë bërë këto muaj ndërkombëtarët, deklarata e partive kryesore gjermane ka dy elementë të rinj që përmbysin gjithë qëndrimet e sotme të qeverisë “Rama”.

Qëndrimi i parë dhe më i rëndësishëm është se në mënyrë direkte përfaqësuesit gjermanë që kanë nënshkruar deklaratën, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, kërkojnë që të shtyhet data e zgjedhjeve vendore. Ndryshe nga deklaratat e ambasadorëve dhe të huajve të tjerë që inkurajojnë qeverinë të shkojë në zgjedhje vetëm, drejtuesit e politikës gjermane thonë hapur se zgjedhje pa opozitën nuk janë demokratike. “Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje”,- thuhet në reagimin që drejtuesit e CDU/CSU kanë bërë dje për radion shtetërore gjermane “Deutsche Ëelle”, mbi situatën në Shqipëri. Një mesazh i tillë i fortë vjen në momentin kur Edi Rama deklaron se ata që nuk lënë të bëjë zgjedhje vetëm me kandidatët e PS do t’u hiqet viza për në BE. Ndërkohë, ajo që thonë politikanët gjermanë është se zgjedhjet e Edi Ramës pa opozitën mund të mos njihen nga ndërkombëtarët. Ky është një sinjal i qartë që shkon direkt për kryeministrin Edi Rama dhe gjithë PS-në që këto javë është angazhuar në një betejë absurde për të garuar në 61 bashki pa rivalë dhe duke mos lejuar opozitën të jetë prezentë edhe në komisionet zgjedhore. Mesazhi i dytë i partive kryesore të Bundestagut gjerman vë në dukje një element që në mënyrë jo etike është shmangur nga gjithë fjalori i ndërkombëtarëve për krizën politike në vend. Edi Rama dhe  një pjesë e diplomatëve, që flasin si zëdhënës të qeverisë, thonë se protestat që kanë nisur në muajin shkurt janë të partive dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e qytetarëve. Por dje, politikanët gjermanë theksojnë se “protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve”. Më në fund, dikush jashtë Tiranës arrin të thotë se ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është çështje e partive, por një reagim qytetar që ka të bëjë me keqqeverisjen dhe sistemin aktual politik. Sigurisht, në deklaratë dënohet dhuna dhe kërkohet nga opozita që protestat të jenë paqësore, por ndryshe nga gjithë ndërkombëtarët e tjerë, drejtuesit e  CDU/CSU e kuptojnë problemin e krizës dhe janë gati të ndihmojnë me uljen e palëve në dialog. “Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës. Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë”,- thuhet në deklaratën e CDU/CSU. Angazhimi i politikës gjermane nuk ka mbetur vetëm të thirrjet për dialog, por edhe me akte konkrete për t’i ulur palët në bisedime. Në deklaratë theksohet se CDU/CSU janë gati të ndërmarrin hapa konkret për të arritur drejt një marrëveshje politike mes palëve.

Më në fund ndërkombëtarët reaguan fort dhe vendosmerisht. Tani duhet që palët të gjejnë urat e dialogut. Opozita e ka kusht largimin e kryeministrit Rama dhe më pas fillojnë uljen në tryezë.

 

SHKARKO APP