Kaos në universitetet publike. Pedagogët: Grevë kundër Qeverisë
Vonesa e pagesave për pedagogët e universiteteve publikë ka shfaqur gjithë problematikën që ka sot arsimi i lartë shtetëror dhe që rrezikon të fusë në kolaps universitetet. Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, paralajmëroi dje nisjen e grevës dhe bojkotimit të mësimit, si presion ndaj neglizhencës së qeverisë. Çështja e pagave të vonuara të pedagogëve duket se është maja e ajsbergut të krizës në të cilën janë futur universitetet publike.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi dje se problemi do të zgjidhjet gjatë javës, por shtoi se mungonte Vendimi i Këshillit të Ministrave, pasi kanë qenë vetë bordet dhe administratorët e universiteteve që nuk kanë ndjekur procedurat e reja. Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni bëri të ditur dje se bordet dhe administrimi i universiteteve me ligjin e ri të arsimit të lartë varen nga qeveria. Madje, rezulton se vendimet e bordit në Universitetin e Tiranës janë bllokuar pikërisht nga ana e anëtarëve që zgjidhen nga qeveria në këto institucione. Kjo gjë, sipas tij, ka sjellë që për paaftësi apo dashakeqësi të bordeve, pedagogët të mbeten pa paga këtë muaj, ndërsa një pjesë e stafit të Universitetit të Tiranës ka të paktën tetë muaj me vonesa në pagesa. Për pasojë, bordet këtë muaj do të marrin vendim që të prekin fondet dytësore të universiteteve për paga, kur në fakt buxhetimi duhej bërë nga shteti. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë do të ndodhë në muajt në vijim, çka ka sjellë kaos në universitete, sepse nuk e dijnë se si do të jetë e nesërmja e punës dhe pagave.
Deputetja e LSI-së dhe ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj parashikon krizë totale në universitetet shtetërore nëse nuk gjendet një zgjidhej emergjente ligjore. Në një reagim për mediat, ajo e sheh problemin te reforma në arsim që u miratua me shumë debate në vitin 2015. Sipas saj, ligji i ri arsimit të lartë është klientelist dhe nga kjo situatë amullie po përfitojnë universitet private. Deputetja e PD, Albana Vokshi në emër të Partisë Demokratike deklaroi dje se vonesa e pagave për 15 mijë pedagogë dhe punonjës të universiteteve shtetërore është bërë qëllimisht nga Ministria dhe Qeveria. Por mungesa e fondëve ka bërë që universitet të mos financojnë projektet dhe degët e reja. Ligji i ri i arsimit të lartë që u reklamua si zgjidhja më e mirë për universitete, në fakt po rezulton se i ka vënë pedagogët në presionin e qeverisë dhe nën varësinë e saj.
Të vetmit që ngritën zëri dje ishin përfaqësuesit e forumit të pedagogëve, ku bëjnë pjesë akademiku Artan Fuga dhe pedagogu Mark Marku, me një deklaratë që ishte dhe një ultimatum për qeverinë “Rama”. Është një deklaratë alarmante kur mëson sesi janë katandisur universitetet shtetërore. Sipas tyre, ekziston një kastë që është krijuar kundër universiteteve shtetërore. Një kastë që lë të kuptohet se përfaqësohet nga drejtuesit e universiteteve private që kanë lidhje me qeverinë “Rama”. Deklarata thotë se bordet janë mbushur me komisarë politikë të emëruar nga qeveria, të cilët jo vetëm po bllokojnë punën, por edhe fyejnë stafin akademik. Deklarata thotë hapur se intelektualët dhe pedagogët po poshtërohen nga “komisarët politikë” të vendosur nga qeveria.
Të hënën pedagogët dhe studentët do të zhvillojnë një takim ku janë ftuar dhe përfaqësuesit e qeverisë për negociata. Nëse Ministria e Arsimit dhe Qeveria “Rama” nuk pranojnë zgjidhjen e situatës pedagogët, së bashku me studentët, deklarojnë nisjen e grevës. Një grevë që nënkupton bojkotin e mësimit dhe forma të tjera proteste.
Nëse ndizen universitetet, nuk ndalon më, pasi janë gati opozita dhe shoqërie civile. Ndaj qeveria duhet të gjejë një zgjidhje në bashkëpunim me stafin akadamik universitar e jo me kokëfortësi si deri më tani. Pikësëpari shteti ka detyrimin ligjor e moral ndaj universiteteve publike dhe me pas edhe për universitetet private. Por kurrsesi qeveria nuk mund të kthehet në vasale e pronarëve të këtyre universiteteve, siç po ndodh realisht.
Edvin Vunoi